` . Lindshmëria dhe riprodhimi i popullsisë - TV SHENJA

Lindshmëria dhe riprodhimi i popullsisë

Përtëritja biologjike e popullsisë, si problem qendror demografik dhe shumë më gjerë, i ka ligjësitë e veta specifike, që kushtëzohen nga ligjësitë e përgjithshme socio-ekonomike, si dhe nga vetë rrjedhat dhe ligjësitë demografike.

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë

Lëvizja natyrore e popullsisë, me komponentët e saj natalitetin (fertilitetin), mortalitetin dhe, si rezultantë e tyre, shtimin natyror, është ndër sektorët kryesorë të zhvillimit demografik si proces kompleks i zhvillimit të popullsisë. Përmes nivelit dhe ecurisë së kësaj lëvizjeje pasqyrohet e tërë gjendja dhe tendencat e ndryshimeve në kompleksin demografik, si dhe ndikimet e drejtpërdrejta dhe të ndërmjetshme të zhvillimit social-ekonomik dhe kulturor të së kaluarës së largët e të afërme dhe të sotmes, ndërsa dinamika natyrore – si pjesë përbërëse e zhvillimit demografik dhe shoqëroro-ekonomik, me veçoritë, shkaqet e ndryshimit të saj dhe implikimet që dalin nga ajo në planin afatgjatë – është edhe bartëse e së ardhmes.

Komponentët dhe konceptet themelore

Lindshmëria (nataliteti dhe fertiliteti efektiv, që nënkupton numrin e të lindurve gjallë në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë femërore në periudhën fertile, reproduketive 15-49 vjeç), paraqet komponentin pozitiv dhe dinamik në zhvillimin e popullsisë, ndërsa ndryshimet në nivelin e tij paraqesin variablën qendrore të zhvillimit të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë të lëvizjes së popullsisë, veçanërisht të lëvizjes natyrore dhe të gjitha strukturave të popullsisë. Lëvizja natyrore e popullsisë, veçanërisht nataliteti, duke ndikuar në ndryshimet demografike, e shtrin manifestimin e tij në shumë rrjedha e procese shoqërore dhe ekonomike të një popullate, sikundër që strukturat e popullsisë, veçanërisht sipas moshës e gjinisë, dhe përbërja sociale-ekonomike e popullsisë, ushtrojnë ndikim në të gjithë përbërësit e lëvizjes natyrore të popullsisë. Pasi që numri më i madh i fëmijëve lind në martesa, në lëvizjen natyrore ndikon faktori martesë (nupcialiteti) dhe ndarja e çiftëve martesorë (divorcialiteti), por dhe norma e mortalitetit specifik, sidomos e foshnjave, ndikon në shkallën e vdekshmërisë së përgjithshme. Meqenëse përbërësit e lëvizjes natyrore dhe proceset demografike, në përgjithësi, për nga mënyra e manifestimit janë të karakterit afatgjatë, “në demografi vitet konsiderohen si dhjetëvjetësha, ndërsa dhjetëvjetëshat si shekuj” (D. Vogelnik).
Tashmë është fakt i njohur shkencërisht se ligjësitë e popullsisë nuk janë të përhershme, por të ndryshueshme në hapësirë dhe kohë të caktuar, kjo varësisht nga një varg determinantësh biologjikë, socio-ekonomikë, socio-psikologjikë dhe antropologjikë, të cilët, në ndikimin e tyre në procesin e lindjes, janë reciprokisht të lidhur e të kushtëzuar dhe kanë karakter të drejtpërdrejtë dhe të ndërmjetshëm. Prandaj, nataliteti dhe fertiliteti, si përbërës shumë të rëndësishëm të zhvillimit demografik, nuk janë fenomene të automatizuara dhe madhësi të pandryshuara e statike, siç mendonin maltusianistët, por janë dukuri të ndryshueshme në hapësirë dhe kohë, që do të thotë se përcaktohen nga një sistem i ndërlikuar biosocial (R. Pressat).

Determinantët e drejtpërdrejtë të lindshmërisë

Determinantët e drejtpërdrejtë të natalitetit dhe fertilitetit janë aftësia prokreative (fekonditeti, që nënkupton aftësinë fiziologjike ose pjellorinë potenciale të pjesëmarrësve në procesin e përtëritjes biologjike të popullsisë), steriliteti, mosha e hyrjes në martesë dhe, lidhur me të, zgjatja e periudhës riprodhuese, moshyrja fare në martesë (celibati i përhershëm), vëllimi i formimit ose i mosformimit të bashkësive martesore ose hyrja vetëm për një kohë në këtë bashkësi gjatë periudhës fertile për shkak të prishjes së saj, pastaj planifikimi i familjes, i realizuar përmes abstinencës seksuale me qëllim ose pa qëllim (impotenca, sëmundja), zbatimit të kontracepcionit, aborteve etj. Ndërsa përcaktorët me ndikim të ndërmjetshëm ose të tërthortë, të cilët vetëm përmes faktorëve të drejtpërdrejtë manifestohen në nivelin e lindshmërisë, janë të ashtuquajturit faktorët e modernizimit të shoqërisë, siç janë aktiviteti ekonomik, profesioni dhe niveli i të ardhurave, shkalla e arsimit, emancipimi socio-kulturor i femrës, tipi i vendbanimit dhe niveli i urbanizimit, roli, struktura dhe funksioni i familjes në shoqëri, ndërvarësia midis mortalitetit dhe fertilitetit, mobiliteti social etj. (J. Caldwell ).
Fertiliteti diferencues është rezultat i ndikimit të përbashkët të të gjithë faktorëve të përmendur, si të karakterit biologjik, ashtu edhe të atij social-ekonomik dhe social-psikologjik. Studimet sociologjiko-demografike kanë treguar se në shoqëritë tradicionale ndikim dominues në nivelin e lindshmërisë kanë determinantet e drejtpërdrejta të natyrës biologjike (fekonditeti, mosha e hyrjes në martesë, steriliteti, abstinenca seksuale për arsye konfesionale etj.), ndërsa në shoqëritë bashkëkohore rol vendimtar në këtë drejtim kanë faktorët e drejtpërdrejtë të karakterit social-ekonomikë, siç janë kontracepcioni, dështimet, celibati, martesat kohabituese, shtyrja e martesave etj. (K. Davis-J. Blake; R. Freedman; N. Raduški; R. Reedman etj.).

Normat e përtëritjes biologjike të popullsisë

Përtëritja biologjike e popullsisë, si problem qendror demografik dhe shumë më gjerë, i ka ligjësitë e veta specifike, që kushtëzohen nga ligjësitë e përgjithshme socio-ekonomike, si dhe nga vetë rrjedhat dhe ligjësitë demografike. Riprodhimi nuk është racialisht, etnikisht dhe konfesionalisht i determinuar, por vëllimi i tij varet nga faktorët shoqërorë-ekonomikë në kuptimin e tyre më të gjerë. Riprodhimi i popullsisë, në pikëpamje kohore, nuk është i kufizuar, ndërsa përtëritja e familjes ka kontinuitet vetëm gjatë pjesës reproduktive të ciklit familjar, që fillon me hyrje në bashkësinë martesore. Shoqëria, përmes institucionit të martesës, si rregullim shoqëror i marrëdhënieve seksuale, dhe institucionit të familjes, ku fëmijët lindin, rriten dhe socializohen, ka ushtruar gjithnjë ndikim në procesin e lindshmërisë. Riprodhimi biologjik paraqet sferën më intime, më të ndërlikuar dhe më të decentralizuar të jetës shoqërore të njeriut.
Riprodhimi biologjik i popullsisë nënkupton procesin e përtëritjes së brezave brenda popullsisë. Indikatorët e riprodhimit të popullsisë, të cilët përdoren më shpesh, quhen norma të riprodhimit. Dallohet norma bruto e riprodhimit, ku nuk merret parasysh vdekshmëria para përfundimit të periudhës prokreative, dhe norma neto e riprodhimit, ku merret në konsideratë vdekshmëria. Këto norma të riprodhimit paraqesin raportin e numrit të përgjithshëm të fëmijëve të lindur gjallë të gjinisë femërore, përkatësisht të gjinisë mashkullore, ndaj numrit të përgjithshëm fillestar të personave në kohortën femërore, përkatësisht mashkullore, që këta fëmijë i kanë lindur (United Nations; R. Pressat). Procesi i riprodhimit, sipas rregullit, është stihik, sepse individi dhe çiftët bashkëshortorë nuk preokupohen me efektet e ndryshme të lindjes në planin e përgjithshëm. Në këtë drejtim, nuk kanë ndikim thirrjet e qarqeve politike ose të shoqërisë se nga norma e ulët e natalitetit po rrezikohet kombi ose se nga norma e lartë po krijohen probleme sociale-ekonomike etj. Në procesin e përtëritjes njerëzore femra është aktori kryesor, ndërsa martesa dhe familja janë suaza themelore ku realizohet procesi i lindjes dhe amësia. Stabiliteti dhe forca e një shoqërie varet nga stabiliteti i familjes, ndërsa stabiliteti dhe forca e familjes varet nga stabiliteti i martesës.
Kapaciteti gjenetik ka rol të rëndësishëm në përcaktimin e nivelit të fertilitetit të grave, mirëpo ndikimi i këtij komponenti është i njëjtë te popullatat me përkatësi të ndryshme racore, etnike dhe fetare, që do të thotë se dallimet në aftësinë prokreative krijohen para dhe gjatë periudhës riprodhuese të individit, ku determinantet sociale, në kuptim të gjerë, kanë rolin kryesor (D. Breznik; G. Tapinos; R. Pressat). Në kuadër të familjes, përveç funksionit riprodhues si formë e saj afatgjate, gjatë etapave të ndryshme të zhvillimit shoqëroro-historik janë kryer edhe shumë funksione të tjera, por që me kohë janë ndryshuar, reduktuar ose shtuar, varësisht nga intensiteti i transformimit të kushteve materiale të jetës dhe të organizimit shoqëror. Në shoqëritë e zhvilluara familja, si institucion shoqëror, gjithnjë e më tepër po e humb rolin e transmisionit të vlerave kolektive, ndërsa individualizmi dhe tjetërsimi i prindërve po bëhen vlera dominante.

Riprodhimi i thjeshtë, zëvendësimi i brezave dhe numri i lindjes së fëmijëve

Për t’u riprodhuar një popullatë në përmasën e thjeshtë, është e domosdoshme që brezi i grave në periudhën fertile (15-49 vjet) në tërësi të përtëritet përmes vajzave të tyre. Dhe, pa hyrë në shpjegime të hollësishme të konceptit të riprodhimit të popullsisë, në kushtëzimet dhe supozimet teorike të tij, një popullatë për t’u riprodhuar në vëllim të thjeshtë, është e nevojshme që çdo femër në periudhën e përtëritjes biologjike ose të prokreativitetit, të lindë mesatarisht mbi dy fëmijë ose më saktësisht, 2,15 fëmijë. Mirëpo, meqenëse të gjitha femrat nuk marrin pjesë në procesin e përtëritjes, për shkak se një kontingjent i tyre nuk e përjeton fare periudhën fertile (vdes pa i mbushur 50 vjet), një numër tjetër nuk hyn fare në martesë, një kontingjent tjetër hyn në martesë, por nuk mund të lindë fëmijë për shkak të sterilitetit të trashëguar ose për të fituar ose një kontingjent tjetër i femrave nuk dëshiron të lindë fëmijë për shkaqe të ndryshme – atëherë çdo femër duhet të lindë 2,53 fëmijë. Këto janë vetëm kategori dhe mesatare statistike. Më konkretisht, në qoftë se një grua gjatë periudhës së saj fertile ka lindur një fëmijë të gjinisë femërore (neto-norma e riprodhimit), popullata do të ketë stagnim, ndërsa mbi një do të shënojë rritje ose nën një rënie (A. B.-Wertheimer).
Në shumë shtete të zhvilluara të botës, edhe norma bruto (numri mesatar i fëmijëve të lindur gjallë të gjinisë femërore, të cilin vajza e lindur sot do ta lindë gjatë periudhës fertile, duke marrë parasysh mortalitetin e grave para dhe gjatë periudhës së saj riprodhuese, me kusht që fertiliteti të mbetej i njëjtë sikurse edhe fertiliteti i brezave të grave në vitin e vështruar dhe me kusht që asnjë vajzë e lindur gjallë të mos vdesë pa e përfunduar periudhën fertile nga 15-49 vjet) e edhe norma neto e riprodhimit – që tregon numrin mesatar të fëmijëve të lindur gjallë të gjinisë femërore, të cilin vajza e lindur sot do ta lindte gjatë periudhës fertile, duke marrë parasysh mortalitetin e grave para dhe gjatë periudhës prokreative 15-49 vjet (R. Pressat; G. Tapinos), ka sa vite që janë nën një, që do të thotë nën nivelin e duhur për përtëritje biologjike të popullsisë dhe zëvendësim të brezave, sikurse edhe në Serbi e Vojvodinë. Në vitin 1960 norma neto e riprodhimit në Serbi ishte 0,92 dhe në vitin 2000 0,68, ndërsa në Vojvodinë 0,96 më 1960 dhe 0,69 në vitin 2000. Kështu është gjendja në 60 vjetët e fundit në shumicën e vendeve evropiane. Në Kosovë këto dy norma deri në gjysmën e viteve të ‘80-ta ishin rreth dy fëmijë të kësaj gjinie, që do të thotë se popullata jonë riprodhohej në vëllim të zgjeruar dhe siguronte dyfishimin e popullsisë. Por, pas vitit 1990, për shkak të proceseve intensive emigruese të të rinjve shqiptarë në botën e jashtme, nën presion të pushtetit okupues serb dhe ndikimit të faktorëve të tjerë me karakter politiko-psikologjik dhe socio-psikologjik, edhe në Kosovë norma neto e riprodhimit nisi të zvogëlohet, për të arritur nivelin 1,20 në vitin 1995 dhe diçka mbi një fëmijë në vitin 2000, ndërsa sot faktori emigrim i të rinjve dhe zvogëlimi i numrit të martesave e ka sjellë normën neto të përtëritjes në kufi të riprodhimit normal të popullsisë dhe zëvendësimit të brezave, ndoshta edhe nën këtë nivel në dekadën e fundit.
Teza se lindshmëria dhe riprodhimi i popullsisë janë të determinuara racialisht, etnikisht dhe konfesionalisht shkencërisht nuk qëndron. Por, edhe në qoftë se mund të thuhet se disa determinante të lindshmërisë, në këtë apo në atë masë, janë të lidhura me përkatësinë etnike, siç janë p.sh. zakonet, qëndrimi ndaj fëmijëve dhe ndaj madhësisë së familjes, roli dhe vendi i femrës në familje dhe shoqëri, mosha e hyrjes në martesë, ndikimi i konfesionit, vlerësimi i situatave jetësore etj., megjithatë edhe këto “nuk janë veçori etnike të dhëna njëherë e përgjithmonë, por janë dukuri shoqërore që kanë traditë shekullore dhe në këtë kohëzgjatje historike marrin formën e ligjësive shoqërore deri në momentin kur pikëpamja tradicionale nuk ndeshet me kushtet e ndryshuara materiale të jetës. Ndeshja e mënyrës tradicionale të jetës, e pikëpamjeve dhe e kushteve të ndryshuara materiale është në vazhdë, por ajo nuk i ka përfshirë me intensitet të njëjtë të gjitha rajonet, të gjitha grupet etnike, të gjitha brezat” (K. Miljovski).
Përkatësia etnike e konfesionale përputhet me ndikimin e përkatësisë sipas grupeve socio-ekonomike, profesionale, arsimore dhe pavarësisë materiale të femrës etj. Me përfshirjen e një kontingjenti të konsiderueshëm të femrave në proceset materiale dhe shoqërore, edhe regjimi i riprodhimit biologjik pësoi ndryshime të dukshme: u krijuan supozimet objektive për depërtimin e motivacioneve dhe vetëdijes së re për përqafimin e kontrollit të lindjes në martesa si “stil” të jetës dhe për shkallë të ulët të natalitetit dhe familje të vogël (Z. Grebo). Rasti i serbëve e dëshmon këtë: shkalla e natalitetit deri në vitin 1981 e më vonë ishte më e lartë në Kosovë dhe në BeH sesa në Serbi dhe në Vojvodinë. I tillë është edhe rast i malazezëve, ku niveli i lindshmërisë ishte dy herë më i lartë në Kosovë dhe në Mal të Zi sesa në Serbi dhe në Vojvodinë. Ose, shembulli i kroatëve, që kishin normë më të lartë të natalitetit në BeH sesa në Kroaci. Te pjesëtarët e nacionaliteteve me shkallë të lartë të fertilitetit është numri më i vogël i femrave të punësuara, niveli i arsimit është më i ulët, janë më të theksuara marrëdhëniet patriarkale në ekonommi shtëpiake dhe në familje etj. Pra, bëhet fjalë për ndikimin dominues të faktorëve ekonomikë dhe socialë, që i kanë kushtëzuar dallimet sa i përket nivelit të fertilitetit sipas kombësisë, duke u krijuar mbi këtë bazë vetëdija e caktuar reproduktive (D. Breznik).