` . Lindshmëria dhe përtëritja biosociale e popullsisë së Kosovës - TV SHENJA

Lindshmëria dhe përtëritja biosociale e popullsisë së Kosovës

Të dhënat që i disponojmë për ngjarjet vitale të popullsisë (nataliteti, mortaliteti dhe shtimi natyror) së Kosovës i hasim në fillim të dhjetëvjetëshit të dytë të shek. XX, të cilat, edhe pse me defekte, kanë një rëndësi të veçantë për njohjen e retrospektivës demografike të vendit tonë. Duke vështruar ecurinë e shkallëve të natalitetit në pikëpamje kohore ishin mjaft variabile, ndërsa në aspektin territorial dhe social mjaft homogjene, por në nivel shumë të lartë.

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë

Për shkak të rolit që luan në rrjedhat demografike dhe rëndësisë që ka në zhvillimin e përgjithshëm shoqëroro-ekonomik, por edhe politik, do të shqyrtohet evolucioni i natalitetit dhe i riprodhimit të popullsisë së Kosovës në kompleksitetin e tyre. Në shoqëritë tradicionale, sikurse na është e njohur, zhvillimi demografik i bartte me vete të gjitha veçoritë e jetës klasike shoqërore, ku në të gjitha sferat e jetës familjare, sociale dhe prodhuese, ruheshin mbeturinat e marrëdhënieve feudale dhe gjysëmfeudale. Në rrethana të rënda ekonomike, sociale, kulturore dhe shëndetësore në popullata gjeografikisht të izoluara, në pikëpamje sociale homogjene dhe me “pjellori natyrore” (P. Festy), riprodhimi i popullsisë zhvillohej përgjithësisht shumë joracionalisht, sepse ekuilibri demografik midis lindjes dhe shuarjes së jetës arrihej me humbje të mëdha njerëzish, gjë që edhe ndodhi edhe me popullatën e shoqërisë paraindustriale, klasike agrare shqiptare, ku shtimi natyror formohej përgjithësisht nga normat e larta të natalitetit dhe të mortalitetit. Kjo situatë ka zgjatur deri vonë në shumë mjedise rurale të Kosovës derisa proceset e industrializimit dhe të urbanizimit në kuptimin e tyre të gjerë kanë depërtuar intensivisht (H. Islami).

 

Niveli i lartë i homogjenitetit territorial dhe social të lindshmërisë

 

Të dhënat që i disponojmë për ngjarjet vitale të popullsisë (nataliteti, mortaliteti dhe shtimi natyror) së Kosovës i hasim në fillim të dhjetëvjetëshit të dytë të shek. XX, të cilat, edhe pse me defekte, kanë një rëndësi të veçantë për njohjen e retrospektivës demografike të vendit tonë. Duke vështruar ecurinë e shkallëve të natalitetit në pikëpamje kohore ishin mjaft variabile, ndërsa në aspektin territorial dhe social mjaft homogjene, por në nivel shumë të lartë. Në periudhën prej kur disponohet me të dhëna e deri në Luftën II Botërore, madje edhe deri në gjysmën e viteve të ‘60-ta të shekullit të kaluar, normat e natalitetit në Kosovë silleshin midis 50,0 dhe 35,0 promilë mesatarisht në vit, ndërsa mortaliteti, veçanërisht i foshnjave në nivel shumë të lartë (deri në vitin 1970 afër 100 promilë). Nga ky trend i natalitetit dhe i mortalitetit ndryshonin shumë shkallët e shtimit natyror, të cilat në disa vite dhe periudha të shkurta ishin shumë të ulëta, ndërsa deri në vitin 1980 mjaft të larta, prej kur nis të zvogëlohet. Për këto arsye fluktuonte bukur shumë edhe lëvizja e numrit të përgjithshëm të popullsisë, ndonëse, marrë në kontekst më të gjatë kohor, kishte tendencë të rritjes.

Depresionet ciklike të popullsisë vareshin nga sigurimi i kushteve ekzistenciale, që krejt lidhej me sasinë e prodhimtarisë agrare, të cilën e diktonin ritmet natyrore, pastaj nga intensiteti i sëmundjeve epidemike me përmasa të mëdha (mortaja, kolera, lia, malaria, tuberkulozi, tifoja etj.), të cilat mjekësia popullore, e vetmja që zbatohej, nuk mund t’i shëronte. Luftërat e shpeshta ishin një faktor tjetër që, duke shkaktuar humbje të drejtpërdrejta dhe indirekte, çrregullonin strukturat bazë demografike dhe kufizonin rritjen e përgjithshme të popullsisë. Për shkak të vdekjeve të shumta e të hershme, e gjithë popullsia e aftë për riprodhim nuk përjetonte tërë periudhën fertile (moshën 50-vjeçare). Sidomos vdisnin foshnjat dhe fëmijët e vegjël dhe femrat në periudhën e riprodhimit. Mortaliteti i foshnjave arrinte deri 200 promilë mesatarisht në vit, që në demografi njihet si nivel ekstrem maksimal, të cilin e kishin deri në vitet e 70-ta të shek. XX vetëm popullatat e shoqërive paraindustriale. Në këtë mënyrë baza e piramidës së moshës dhe e përtëritjes së mëtejme të popullsisë jo vetëm që nuk zgjerohej, por herë-herë, në disa grup-mosha, edhe ngushtohej. Nga demografia historike dhe antropologjia mund të mësohet se në popullatat e shoqërisë paraindustriale ekzistonte shkallë e lartë e paralelizmit midis nivelit të mortalitetit dhe nivelit të natalitetit, që do të thotë se vdekshmëria e lartë kushtëzonte lindshmërinë e lartë dhe e kundërta (A. Sauvy). Një qëndrim të tillë duket se më fuqishëm e mbronte demografi amerikan F. Notestein.

 

Lëvizja natyrore e popullsisë së Kosovës prej 1911-1940 sipas periudhave pesëvjeçare (në promilë)

Periudha Nataliteti Mortaliteti Shtimi natyror Mortaliteti i foshnjave
1911-1915 38,0 34,0 4,0
1916-1920 39,0 38,0 1,0
1921-1925 49,0 30,0 19,0
1926-1930 43,0 25,0 18,0
1931-1935 39,0 21,0 18,0 198,2
1936-1940 35,0 18,0 17,0 161,8

Burimi: Burimi: Prirodno kretanje stanovništva NR Srbije od 1863. do 1954. godine, Prikazi 20, Zavod za statistiku Srbije, Beograd, novembar 1957, ff. 52-53, 68-71; The Population of Yugoslavia, Demographic Research Center, Institut of Social Sciences, Belgrade, 1974, p. 14; H. Islami, Rrjedha demografike shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1994, f. 37; Statistički godšinjak Jugoslavije (vitet përkatëse), SZS, Beograd, 1991-1994; Saopštenje Saveznog zavoda za statistiku, br. 024, Beograd, 30.01.1997, ff. 10-12.

 

Shkalla e fertilitetit ishte shumë e lartë te femrat që hynin herët në bashkësi martesore, kur zgjatej periudha riprodhuese dhe kur në vitet e hershme aftësia fiziologjike e gruas për lindje ishte më e lartë (F. Lorimer). Lindshmëria shpeshherë te shumë gra shqiptare arrinte kufirin maksimal të fekonditetit, që do të thotë se gruaja lindte aq fëmijë, saqë e konsumonte tërë potencialin prokreativ ose aftësinë fiziologjike për lindje (L. Henry; F. Lorimer; C. Tietze). Disa të dhëna tregojnë se niveli i pjellorisë së popullsisë së Kosovës ishte pothuajse identik me atë të popullatave paraindustriale (L. Henry). Mortaliteti shumë i lartë, sidomos ai i foshnjave dhe i fëmijëve të vegjël si pasojë e kushteve të pavolitshme socio-shëndetësore, jeta dhe ekonomia e mbyllur agraro-blegtorale, shkalla shumë e ulët e arsimit dhe, mbi të gjitha, analfabetizmi si përcjellës shekullor i shoqërisë shqiptare, kanë kushtëzuar nivel shumë të lartë të natalitetit dhe të fertilitetit. Nevoja dhe vetëdija për numër më të madh të lindjeve, si dhe për familje të tipit të zgjeruar, siç është familja e madhe si njësi dhe institucion i rëndësishëm në shoqërinë tradicionale rurale shqiptare, ishin kërkesë pothuajse universale (V. St. Erlich). Në të kaluarën jo shumë të largët të shoqërisë shqiptare si çështje themelore shtrohej ekzistenca: si të mbesnin njerëzit gjallë dhe si të ruhej në jetë një numër i caktuar i fëmijëve nga numri i madh i tyre të lindur gjallë në martesa. Prindërit qysh më parë e dinin se në kushtet e vështira shëndetësore dhe ekonomike një numër i mirë i fëmijëve, në shumë familje madje edhe rreth gjysma, do të vdisnin në ditët dhe vitet e para të jetës (H. Islami).

Te çiftet bashkëshortore domosdoshmërisht u krijuan normat dhe qëndrimet se për ta ruajtur një numër të caktuar të fëmijëve në jetë, mundësia e parë ishte të lindnin sa më shumë fëmijë. Nga numri i fëmijëve që do të mbesnin në jetë dhe do të hynin në periudhën e punës do të varej funksionimi i ekonomisë së tipit natyral, ngase si fuqi ekstensive punëtore do të angazhoheshin herët në punët përkatëse, sikurse në fushë, rreth bagëtisë etj., në një anë, dhe do t’i siguronin familjes perspektivën dhe kontinuitetin social, në anën tjetër (Al Gore). Femra jonë hynte herët në martesë, për ç’arsye zgjatej periudha e saj fertile dhe rritej mundësia e lindjes së numrit më të madh të fëmijëve. Intervali midis momentit të themelimit të bashkësisë martesore dhe lindjes së fëmijës së parë në këtë bashkësi (intervali protogjenezik) ishte shumë i shkurtër, shpeshherë 9 deri 12 muaj, sikundër që edhe intervali midis lindjeve të ardhshme ishte po ashtu tepër i shkurtër – intervali intergjenezik (R. Pressat).

Mosha mesatare e grave me rastin e lindjes së fëmijës së parë ishte mjaft e ulët. Intervalet e shkurta kohore midis lindjeve, sidomos intervalet më pak se dy vjet, bartnin rreziqe të mëdha për shëndetin e gruas, që manifestoheshin në lindjet e parakohshme, në peshën e vogël të të posalindurve, në zvogëlimin e sasisë së qumështit të nënës (thithja), në mundësinë e zgjerimit të sëmundjeve të ndryshme infektive etj.; konsekuencë e këtyre problemeve ishte vdekshmëria e lartë e foshnjave. Nga numri i madh i fëmijëve të lindur, të gjallë ose të vdekur, rraskapitej gruaja dhe plakej para kohe. Mirëpo, ndonëse për jetën rurale dhe në esencë agrare fëmijët ishin vlerë dhe pasuri e madhe, megjithatë vetë aktit të lindjes shumë pak i është kushtuar kujdes. Në mjedise të ndryshme ndodhte që gruaja të lindte edhe jashtë shtëpisë dhe për një kohë shumë të shkurtër t’i përvishej punës qoftë në amvisëri, qoftë në oborrin ekonomik ose në fushë. Por, këtë shpeshherë e diktonte vetë ritmi i punëve dhe i nevojave jetësore, veçanërisht në vlugun e punëve në bujqësi! (H. Islami).

 

Grafikoni 1: Lëvizja e natalitetit, mortalitetit dhe shtimit natyror në Kosovë në vitet 1950-2018

 

Lëvizja e natalitetit, mortalitetit, shtimit natyror dhe e numrit të martesave në Kosovë në vitet 1950-2018

Viti Numri i lindjeve Në 1.000 banorë Numri i vdekjeve Në 1.000 banorë Shtimi natyror Në 1.000 banorë Numri i martesave
1950 35.222 46,1 12.991 17,0 22.231 29,1 8.636
1955 36.737 43,6 15.292 18,2 21.444 25,4 6.815
1960 41.631 44,1 13.365 14,2 28.266 29,9 8.226
1965 43.569 40,5 11.767 10,9 31.802 29,6 8.226
1970 44.496 36,5 10.829 8,7 33.667 27,8 11.280
1980 53.147 34,2 8.909 5,7 44.238 28,5 12.666
1985 53.920 30,6 11.826 6,7 42.094 23,9 12.482
1990 55.175 27,8 8.214 4,1 46.961 23,7 12.742
1995 44.776 21,2 8.671 4,1 36.105 17,1 12.979
2000 42.920 18,7 8.624 4,1 34.296 14,6 11.866
2005 37.218 18,0 7.207 3,5 30.011 14,6 15.732
2010 33.751 15,8 7.232 3,7 26.519 15,0 18.289
2015 24.594 13,9 8.202 4,6 16.392 9,3 16.274
2018 22.761 12,6 8.988 5,0 13.773 7,6

Burimi: Demografska statistika 1990, SZS, Beograd, 1992, ff. 27, 32; Statistički godišnjak Jugoslavije, SZS, Beograd 1987, ff. 438-439; Demografska statistika 1993, SZS, Beograd, 1996, ff. 54, 57; Saopštenje Saveznog zavoda za statistiku, br. 012, Beograd, 17. 01. 1996, ff. 10-16; Demografska statistika 2000, SZS, Beograd, 2002, ff. 62-63, ff. 74-75; për vitet 1997-2000 vlerësimi, ndërsa për vitet 2002-2006 burimi: Statistikat vitale të Kosovës 2006, Enti Statistikor i Kosovës, Prishtinë, 2007, f. 9; Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës, ASK, Prishtinë, 2019, ff. 43-44, 48-49.

 

Institucionet e rëndësishme të riprodhimit

 

Familja si institucion shoqëror gjithnjë luante funksionin e transmisionit të vlerave kolektive. Në kuadër të familjes, përveç funksionit riprodhues si formë e saj afatgjate, kryheshin të gjitha funksionet e tjera: ekonomike, konsumuese, arsimore, edukative, mbrojtëse, shëndetësore etj. Ishte shumë e ngushtë lidhja midis funksionit ekonomik të familjes dhe funksionit të saj reproduktiv. Familja e madhe ishte jo vetëm formë karakteristike, por edhe territorialisht shumë e zgjeruar e organizimit shoqëror të shqiptarëve. Mbi bazën e tipit të prodhimtarisë agraro-natyrale dhe të izolimit social e hapësinor dhe të jetës së krijuar mbi to të popullatës shqiptare, familja i ruante të gjitha funksionet e njësisë ekonomike, ndërsa femra, për shkak të varshmërisë ekonomike, shkallës shumë të ulët të arsimimit, ngulitjes për shtëpi dhe suaza familjare, objektivisht nuk ka mundur t’i theksonte aspiratat dhe qëllimet e saj personale jashtë jetës familjare dhe ekonomisë shtëpiake. Në shoqërinë patriarkale shqiptare, martesa, familja dhe lindshmëria vlerësoheshin lart. Në rrethana të përmendura shoqëroro-ekonomike, sipas traditës popullore, martesa konsiderohej si ngjarje më e rëndësishme familjare, sepse sillte sukses, fat dhe, mbi të gjitha, pasardhës dhe krah të ri të punës.

Në shoqërinë shqiptare tradicionale, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, komponentët kryesorë të martesës ishin lindja e fëmijëve dhe nevoja për ta si fuqi punëtore. Në përkufizimin e martesës dominojnë qartë funksioni reproduktiv dhe funksioni ekonomik: “M’u martue më kanun do’ me thânë m’u bâ shpi, me ia shtue shpis nji rob mâ teper, sa per krah të pûnve, sa per ta shtuem të fmive” (Kanuni i Lekë Dukagjinit, paragrafi 28). Fëmijët, veçanërisht ata të gjinisë mashkullore, paraqiteshin si faktor i domosdoshëm i kontinuitetit të familjes e të ekonomisë shtëpiake si njësi ekonomike, të trashëgimit të pasurisë dhe të emrit të familjes dhe si mbajtës të prindërve në pleqëri, meqenëse do t’u mungojë baza e gjerë sociale, siç janë sigurimi social, shëndetësor, pensional e invalidor. Në këtë shoqëri pozita e gjithmbarshme e gruas ishte tepër e rëndë, ku në të gjitha sferat e vendosjes e të aktivitetit i nënshtrohej vullnetit të burrit dhe interesave kolektive të familjes, ndërsa sa i takonte kontrollit të lindjes, dominonte forma tradicionale e tij, coitus interruptusi ose ndërpritja e kontaktit (aktit) seksual apo gjenital.

Në të gjitha shoqëritë paraindustriale, siç është e njohur, qëllimi më i lartë i femrës në bashkësi martesore, por edhe në jetë në përgjithësi, ishte lindja e fëmijëve. Në shoqërinë shqiptare familjet pa fëmijë dhe familjet me një gjeneratë janë konsideruar si të shkreta dhe pa perspektivë sociale pikërisht për shkak të mungesës së trashëgimtarit e të fuqisë punëtore dhe të ngushtimit të mundësive të ekzistencës. Prej faktit se a do të lindte nusja fëmijë, madje në disa familje edhe të cilës gjini i lindte, varej edhe pozita e saj në familje. Ishte dukuri që të prishej kurora për shkak të moslindjes së fëmijëve. Ndonëse kurrë nuk vërtetohej se kush ishte steril, gruaja apo burri, megjithatë faji i hidhej gjithmonë gruas; ky fakt e mbante gruan në pozitë labile, madje edhe e nxirrte krejtësisht nga shtëpia. Gruaja që lindte fëmijë respektohej aq shumë, saqë i atribuoheshin disa veti të mira fizike dhe morale dhe përforcohej pozita e saj në familje. Në disa vise shqiptare dëgjohej edhe shprehja: më mirë pjellëmirë e grua e keqe se grua e mirë e pjellëkeqe. Shpenzimet e mbajtjes së familjes dhe të ngritjes së fëmijëve në popullatën shqiptare, sikundër edhe në çdo popullatë tjetër që ka ekzistuar në kushte të tilla të moszhvillimit, gjithmonë kanë qenë shumë modeste. Nga të gjitha këto arsye edhe shpjegohen normat dhe pikëpamjet mbi martesën, siç janë hyrja e hershme në të, ruajtja e karakterit të institucionit universal të saj, hyrja përsëri në martesa pas shkurorëzimeve etj.

 

Barra e riprodhimit biologjik bie mbi popullatën rurale, bujqësore dhe të paarsimuar

 

Nga eksperienca e popullatave që e kanë kaluar fazën e plotë të transicionit demografik (rënia e mortalitetit dhe e natalitetit, zgjatja e jetës së njeriut dhe transformimi i gjithë zhvillimit demografik), shihet qartë se fillimi i rënies së natalitetit nuk paraqitet në tërësinë e popullatës, por në ato pjesë dhe shtresa të saj te të cilat janë krijuar kushtet e ndryshimit të sjelljes riprodhuese. Barra e riprodhimit në asnjë popullatë nuk është njësoj e shtrirë në të gjitha tipat e vendbanimeve, shtresat sociale të shoqërisë, kohortat e popullsisë sipas moshës etj. Në territoret e pazhvilluara, që nuk janë gjendur nën çrregullime të fuqishme të proceseve dhe strukturave bazë demografike, sipas rregullit, barra kryesore e riprodhimit biologjik bie në popullatën rurale, bujqësore dhe të paarsimuar.

Të gjitha kërkimet demografike në botë, të bëra në këtë shekull, veçanërisht këto 50 vjetët e fundit, treguan se lindshmëria është çështje e shtresëzimeve sociale: femrat ekonomikisht aktive lindin më pak fëmijë se femrat e mbajtura, femrat aktive edhe ato të mbajtura të profesioneve bujqësore kanë shkallë mesatarisht më të lartë të fertilitetit se femrat e profesioneve jobujqësore dhe se më shumë fëmijë lindin femrat analfabete dhe ato pa përgatitje shkollore, ndërsa më pak femrat me nivel më të lartë të arsimit. Për  shembull, të dhënat e regjistrimit të vitit 1981 në Kosovë, si më ploti në këtë drejtim, dëshmuan se një femër kosovare aktive në jetën ekonomike lindi 3,07 fëmijë, ndërsa ajo e mbajtur 5,49 fëmijë; femra e mbajtur në bujqësi lindi 6,74 fëmijë, kurse femra aktive në profesionet jobujqësore 2,74 fëmijë; femra analfabete dhe pa përgatitje shkollore lindi 7,04 fëmijë, me shkollë të mesme 2,24 dhe me arsim superior 2,18 fëmijë. Prandaj, teza mbi determinimin etnik dhe konfesional të natalitetit, lidhjes së riprodhimit me veçori ataviste apo me ideologji të caktuar, nuk ka mbështetje shkencore. Dëshira të lindura për numër më të madh apo më të vogël të pasardhësve nuk ka, por ato krijohen gjatë ciklit jetësor, sikundër që lindja si akt dhe nataliteti si proces prej homo sapiensit e deri më sot kurrë nuk janë cilësuar si çështje etnike ose  nacionaliste. Niveli jo i njëjtë i natalitetit te popullatat e ndryshme nuk mund t’u atribuohet as dallimeve në kapacitetin fiziologjik të gruas dhe në komponentin trashëgues (F. Lorimer).

Kur të vështrohet lëvizja e natalitetit në Kosovë në shek. XX, vërehet se niveli i tij deri rreth gjysmës së dytë të viteve të ‘60-ta ishte shumë i lartë, mbi 40 promilë mesatarisht në vit. Pas këtyre viteve nataliteti nis të zvogëlohet nën nivelin prej 40 promilësh dhe kjo tendencë pak më ndjeshëm shpejtohet në vitet e ‘70-ta, për t’u stabilizuar në rreth 30 promilë në vitet e ‘80-ta. Pas vitit 1965 edhe shkalla e mortalitetit të përgjithshëm bie nën nivelin prej 10 promilësh, ndërsa mortaliteti i foshnjave, me gjithë rënien e konsiderueshme në raport me periudhat e mëparshme, deri në fund të viteve të ‘70-ta mbetet në nivel shumë të lartë (mbi 100 promilë). Pas gjysmës së dytë të viteve të 60-ta, me rritjen e numrit të popullsisë së përgjithshme dhe veçanërisht me shtimin e kontingjentit të popullsisë në periudhën e përtëritjes biologjike, si dhe me rënien e mortalitetit, numri absolut i lindjeve dhe shtimi natyror deri në fund të viteve të ‘80-ta gjithnjë shënojnë rritje, ku vlerat më të larta arrihen midis viteve 1987 dhe 1990.

Nga të dhënat që ofrojnë statistikat vitale të popullsisë së Kosovës, vërehet se ka një rënie të theksuar të numrit të lindjeve (në periudhën 2010-2020 numri i lindjeve të gjalla është zvogëluar nga rreth 33.000 në afër 20.000), një trend që paraqet një shqetësim. Një thyerje kaq e madhe demografike është rezultat i ndikimit të faktorëve të jashtëzakonshëm (gjithsesi eksternë), sepse proceset demografike, veçanërisht nataliteti, për nga karakteri i tyre janë afatgjate. Duhet të kishte ndikuar një faktor i fuqishëm i jashtëm, në këtë rast janë emigrimet ilegale dhe legale të të rinjve shqiptarë të moshave më vitale nga 20-35 vjet, në të cilat realizohen 81-85% e lindjeve. Ka refuzim të popullatës serbe që të bashkëpunoj me shërbimet civile të Kosovës, pra t’i mos raportojë të gjitha ngjarjet vitale, por kjo nuk çon peshë në këtë drejtim, sepse është numri i vogël i tyre dhe nuk kanë vëllim të madh të lindjeve (H. Islami).

Në anën tjetër vlerësohet se në këtë periudhë nga Kosova janë shpërngulur më se 300.000 veta dhe procesi i braktisjes së vendbanimeve rurale, kryesisht të rajoneve kodrinore-malore, është dramatik. Tregues të qartë të regresit demografik, përmes rënies së natalitetit dhe emigrimeve, janë zvogëlimi i numrit të paraleleve dhe të nxënësve në klasat e para të shkollave fillore, deri te mbyllja e tyre në pjesën dërmuese të vendbanimeve rurale, në veçanti në zonat periferike kodrinore-malore. Por, një tendencë e tillë vërehet edhe në vendbanimet urbane e të urbanizuara. Rrjedhimisht, rezulton zvogëlimi i numrit të gjithmbarshëm të popullsisë në nivel të vendit. Pritet që gjendja të përkeqësohet me nxjerrjen e Ligjit rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar nga shteti gjerman, i cili ka sa kohë që gëlltit numrin më të madh të migrantëve nga Kosova, por edhe të vendeve të tjera, para së gjithash për tregun e punës në shërbime shëndetësore, në ndërtimtari, hotelieri, bujqësi etj. Vështruar në dimensionin strukturor, gjendja del edhe më e pavolitshme, ngase tendencat negative të lindshmërisë dhe të emigrimit ndikojnë në zvogëlimin e kontingjenteve të popullsisë ekonomikisht aktive dhe të moshave fertile dhe në rritjen e moshës mesatare të popullsisë e të kontingjenteve të popullsisë mbi 60 vjet, që i ngarkon fondet sociale e shëndetësore.