` . Libri i zi i komunizmit - TV SHENJA

Libri i zi i komunizmit

Çfarë saktësisht mendojmë me termin “Komunizëm praktik” dhe përse duhet të bëhet dallimi ndërmjet doktrinës dhe praktikës së tyre? Për të qenë sa më afër një realiteti në lidhje me këto, një nga studimet më të preferuara mendoj se është libri “The Black Book of Communism – Crimes, Terror, Repression” [Libri i zi i Komunizmit – krimet, terrori, shtypja], të autorëve Stephanie Courtois, Nicolas Werth, Jean-Louis Panne, Andrzej Paczkowski, Karel Bartosek dhe Jean-Louis Margolin, një botim i vitit 1999 i Univesitetit “Havard”

 Shkruan: Hajrudin S. Muja, Nju-Jork

Historia është shkenca e fatkeqësive njerëzore”, pati shkruar Raymond Queneau [Paris: 1979] ende pa mbaruar shekulli XX, shekulli që na ka mësuar se asnjë doktrinë filozofike nuk është në vetvete çlirimtare, se secila rrëshqet lehtësisht dhe çoroditet deri në përgjakje! Fuqitë e shumta europjane u përfshinë në tregti me skllevër afrikanë! Republika Franceze e praktikoi kolonizimin! Shtete e Bashkuara të Amerikës u influencuan me një kulturë të dhunshme në dy tragjeditë më të mëdha që i njeh historia: në skllavërimin e zezakëve afrikanë dhe në zhdukjen e amerikanëve autoktonë! Të njëjtën e bënë edhe mbi aborixhinët e Australisë!

Në dekadat e mesit të shekullit XIX pati pesë konflikte të armatosura: Lufta e Krimesë (1854-1856), Lufta Italiane (1859), Shtatë Javët e Luftës (1866), Lufta Franko-Prusiane (1870-1871) dhe Lufta Ruso-Osmane (1877-1878). Lufta e Krimesë mori 400.000 jetë njerëzore. Lufta Franko-Prusiane përfundoi me rrethimin gjashtëmujor dhe me bombardimin e Parisit, duke shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve [Stevenson: 2004, f. 4]. Lufta civile amerikane (1861-1865) mori me vete 600.000 jetë njerëzore, kurse Lufta në Taiping e la Kinën me 350 milion banorë (1873) nga 410 milionë që i kishte më 1850.

Para Luftës së Parë Botërore, Fuqitë Evropiane zhvilluan disa luftëra jashtë kontinentit të tyre: Britania kundër Afrikës Jugore (1899-1902), Rusia kundër Japonisë (1904-1905), Italia kundër Perandorisë Osmane dhe Libisë (1911-1912). Shtetet ballkanike luftuan, së pari, kundër Perandorisë Osmane e më pas kundër njëra-tjetrës në luftërat ballkanike (1912-1913). Por, në periudha të mëvonshme, komunizmi me karakteristikat e tij të përcaktuara të “shekullit të shkurtës të njëzetë”, që filloi në Sarajevë më 1914 dhe mbaroi në Moskë më 1991, ka siguruar një rrëfim qendror, duke kaluar përtej fashizmit dhe nazizmit, të cilët në fakt nuk patën ndonjë histori individualiste sikurse komunizmi, por ishin më shumë si një “anti-lëvizje” ose një “nihilizëm revolucionar” [Sorkin&Tortorice: 2004, f. 54].

Kur them “filloj” kam para sysh “komunizmin praktik”, pasi filozofia politike e komunizmit ka ekzistuar në shekuj. A nuk ishte Platoni i cili në veprën “Republika” e futi konceptin e “qytetit ideal”, në të cilin populli nuk do të korruptohej me para dhe pushtet dhe në të cilin urtësia, arsyeja dhe drejtësia do të triumfojnë!? A nuk ishte Sir Thomas More, i cili gjithashtu e përshkroi “shoqërinë ideale”!? Por, komunizmi praktik, për të cilin e kemi fjalën, nuk ekziston në sferën e jashtëzakonshme të ideve. Është real dhe ka ekzistuar në periudha kryesore të historisë, veçanërisht të vendeve që e kanë sjellë liderët e tyre të famshëm: Vladimir Iliç Lenin, Josif Stalin, Mao Ce Dung, Ho Shi Min, Fidel Kastro [Life, 20.10.1961] e deri te Enver Hoxha “i jonë”.

Çfarë mendojmë saktësisht me termin “komunizëm praktik” dhe përse duhet të bëhet dallimi ndërmjet doktrinës dhe praktikës së tyre? Për të qenë sa më afër një realiteti në lidhje me këto, një nga studimet më të preferuara mendoj se është libri “The Black Book of Communism – Crimes, Terror, Repression” [Libri i zi i Komunizmit – krimet, terrori, shtypja], të autorëve Stephanie Courtois, Nicolas Werth, Jean-Louis Panne, Andrzej Paczkowski, Karel Bartosek dhe Jean-Louis Margolin, një botim i vitit 1999 i Universitetit “Havard”.

E para gjë që mund ta kujtojë shekullin e kaluar (XX) është etja për gjak. Është ky shekulli i katastrofave njerëzore, i dy luftërave dhe Nacizmit, pa përmendur tragjeditë Ruandë (1994) etj., pa përmendur Gjermaninë në gjenocidin kundër çifutëve dhe romëve [Ascher: 2007], Italinë nën Musolinin (1883-1945) dhe kasaphanën kundër etiopianëve [Zewde: 2001]. Pa përmendur, madje, edhe vetë Zvicrën, e cila u fut në një skandal të madh në lidhje me rolin e administrimit të vjellë nga nazistët prej çifutëve të asgjësuar, edhe pse kjo sjellje nuk e arrin nivelin e gjenocidit [Finkelstein: 2003]!

Jorastësisht autorët janë marrë me çështjen e komunizmit si një histori e veçantë, pasi sipas tyre, janë regjimet komuniste ato që duke u përpjekur për t’u ngritur në pushtet, kanë kryer krimet më të tmerrshme të sponsorizuara nga regjimi shtetëror i terrorit. Asnjë prej këtyre regjimeve nuk përjashtohet nga ky rregull. Kujtojmë këtu Kinën e Mao Ce Dung-ut (1893-1976), Kim II Sung (1912-1994) të Koresë Veriore, Ho Shi Minh (1890-1969) të Vietnamit, Fidel Kastron (1926-2016) e Kubës, Mengistu Haile Mariam (1937) të Etiopisë ose Agonstinho Neto (1922-1979) të Angolës.

Autorët kanë para sysh individë të cilët pretendojnë se “komunizmi aktual” nuk ka fare të bëjë me “komunizmin teorik”. Dhe, kanë të drejtë, pasi do të ishte absurde të themi se ishte fajtor Jezu Krishti për krimet që u bënë në emrin e tij gjatë Renesancës. Por, siç thotë Ignazio Silone, “Revolocionet janë si pemë, mund ta njohësh nga frutat që prodhon”. Nuk ka qenë rastësi që bolshevikët filluan ta quanin veten “komunistë” dhe jo pa arsye i ngritën në Kremlin monumentet e atyre që ata i konsideruan si paraardhës me emrat Sir Thomas More (1478-1535) dhe Tommaso Campanella (1568-1639)!

Autorët i vendosin në diskutim krimet e komunizmit, të cilat në fakt nuk kanë qenë vetëm kundrejt individëve ose grupeve njerëzore pa dallim moshe e gjinie, por edhe kundrejt civilizimeve dhe kulturave kombëtare. Stalini (1878-1953) ka shkatërruar një duzinë kishash e manastiresh në Moskë. Nicolae Ceausescu (1918-1089) e shkatërroi qendrën historike të Bukureshtit. Pol Pot i Kamboxhias (1925-1998) e shkatërroj katedralen gurë pas guri dhe e shndërroi në shkretëtirë vendin e tempullit “Angkor Wat”. Po kështu edhe gjatë Revolucionit Kulturor të Mao Ce Dung-ut, pasuri të paçmuara u shkatërruan dhe u dogjën nga “Garda e kuqe”.

Andrej Paczkowski dhe Karel Bratosek, kur diskutojnë rreth shtypjes religjioze në Shqipëri, shkruajnë se kur e shpallën zyrtarisht “shtetin e parë ateist në botë”, përveç ekzekutimeve të hoxhallarëve e priftërinjve, përfshi edhe avokatin Mustafa Pipa që u vinte në mbrojtje, zyrtarët e gazetës “Nëndori” me kënaqësi njoftonin për të gjitha institucionet fetare (2.169 në total) që u shkatërruan ose u mbyllën! Sipas burimeve zyrtare, nga këto 1.270 ishin institucione islame, 608 institucione ortodokse dhe 157 institucione katolike, pasi feja na paskësh shkaktuar “mosmarrëveshje e vëllavrasje” [Bruce: 2003, f. 73]! Veç kësaj, sipas vendimit ligjor #4263 u konfiksuan edhe të gjitha pasuritë e tyre, duke ia vendosur shqiptarit “shqiptarinë” për fe [Enderson 2012].

Koncepti i krimit kundër njerëzimit është koncept kompleks. Specifika primare e tij është gjenocidi. Sipas Konventës së OKB-së të 9 dhjetorit 1948 “Gjenocidi nënkupton çdo akt i bërë me qëllim të shkatërrimit, pjesërisht ose tërësisht, të grupeve nacionale, etnike, racial, religjioz, sikurse: (a.) vrasja e anëtarëve të një grupi, (b.) shkaktim lëndimesh serioze fizike ose mentale të anëtareve te një grupi, (c.) të shkaktuarit e qëllimshëm të kushteve të një grupi për t’i sjellë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesërishëm, (d.) Caktim masash me qellim që të kontrollojë natalitetin e një grupi dhe (d.) transferimin e dhunshëm të fëmijëve nga një grup në një grup tjetër”. Kodi Kriminal Francez e ka definuar gjenocidin më të shëmtuar, si një: “veprim ekzekutimi, përpjekje të përbashkëta që përpiqet të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një grup etnik, racial apo religjioz”. Një përcaktim ligjor nuk është në papajtueshmëri me të arriturat filozofike të Andre Frossard-it, i cili beson se gjenocidi: “është krim kundër njerëzimit kur dikush vret mbi bazën e virtyteve të lindjes” [Frosard: 1987].

Shifrat e këtyre gjenocideve, të cilat arrijnë në 100 milionë viktima njerëzore, valëzohen nga koha në kohë dhe nga vendi në vend, jo vetëm kundrejt rrymave opozitare politike, të cilat as nuk vinin në konsideratë, pasi sipas Mikhail Tomsky-t (1927): “duhej të ndiqej sundimi i një partie dhe të gjitha të tjerat në burg”, por madje edhe brenda vetë ideologjisë komuniste, e cila ishte ndarë në tri kategori kryesore dhe të cilat kundërshtonin njëra-tjetrën. Ato ishin stalinizmi [sipas Josif Stalinit (1878-1953)] – rryma “konservatore“, leninizmi [sipas Vladimir Iliç Leninit (1870-1924)] – rryma “e moderuar” dhe trockizmi [sipas Leon Trocky (1879-1940)] – rryma “liberale” e komunizmit. Natyrisht që pati edhe rryma më të vogla nga të cilat e pësuan shumë njerëz. Bie fjala, në Kinë vetëm brenda një viti pati 35 gjykata politike me 639 dënime, ndër ta 10 me vdekje, 48 me burg të përjetshëm dhe të tjerët së bashku 7.850 vite burg. Sipas Chow Chingwen-in, numri i përgjithshëm i “vetëvrasjeve politike” arrinte në 700.000.

Në pikëpamjen ideologjike Stalini synonte fuqizimin e shtetit, industrializimin e shpejtë, kolektivizimin e detyrueshëm, konfiskimin e tokave të pronarëve përmes reformës agrare dhe pastrimin e vazhdueshëm të partisë për ta mbajtur pushtetin [Wood: 2004]. Ideologjia leniniste ishte një përpjekje për të modeluar pikëpamjet e Marksit dhe për t’i zbatuar ato në shoqërinë agrare të Rusisë Cariste [Harding: 1996]. Trockizmi synonte “Revolucionin e përhershëm” për vendet që nuk i kishin adoptuar idealet demokratike, ku proletariati duhej ta merrte barrën e krijimit të revolucionit, pa bashkëpunuar me kombet kapitaliste [Callinicos: 1990]. Ai qe kritiku më i ashpër i Stalinit, të cilin e akuzonte për “Revolucionin e tradhtuar” dhe për zhvendosjen e Bashkimit Sovjetik në një “shtet të punëtorëve burokratikisht të degjeneruar”.

Courtois, Panne dhe Kauffer tregojnë se ndjenjat e këtyre rrymave kishin arritur edhe në Shqipëri. Prej vitit 1941, kur u formua PKSH-ja nën drejtimin e dy agjentëve jugosllavë – Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha [Glenny: 2007, f. 560], u krijuan dy rryma të ndryshme: grupi i krahut të majtë dhe ai që mbështeti Anastas Lula-n, përkatësisht ndërmjet trockitëve dhe krahut ortodoks të Enver Hoxhës, të cilët i merrnin këshillat nga Jugosllavia [Pearson: 2005]. Lula u ekzekutua në vitin 1943. Pas disa përpjekjeve për jetën e tij Sadik Premtaj, një tjetër lider popullor i trockistëve ia arriti të dalë në Francë, por në maj të vitit 1951 u vra nga Xhemal Çami, një ish anëtar i Brigadës Ndërkombëtare dhe një agjent shqiptar në Paris. Në Jugosllavi, Tito (1892-1980) që u ngrit kundër Stalinit në vitin 1948, e krijoi burgun e kundërshtarëve politikë në ishullin e pabanuar “Goli Otok” (1949-1989) ku u vetëvranë, u ekzekutuan dhe vdiqën nga uria ose nga sëmundjet 31.000 deri në 32.000 njerëz [Gibbens: 2017]. Autori i këtij shkrimi ka biseduar me një burrë (tani i ndjerë), i cili kur është kthyer nga ky “ferr i gjallë”, është dukur si një skelet dhe ka peshuar 15 kilogramë!

Është e natyrshme që ideologjitë ngjallen dhe zhvillohen në emrin e “një bote më të mirë” dhe “çilirimtares” në kohë krizash. Bie fjala, në vitin 1891 vetëm nga rajonet e Rusisë së Mesme, të Volgës së Ultë dhe të një pjese të Kazakistanit, kishin vdekur nga uria 400 deri në 500 mijë njerëz. Regjimi mori përsipër për të vendosur kontroll të përgjithshëm mbi produktet ushqimore dhe për t’i shpërndarë ato në bazë të “meritave” individuale. Kjo politikë ishte “recetë” për të krijuar krizën e urisë në masë. Duhet të kujtohet periudha pas vitit 1918, kur shtetet komuniste u përballën me të tilla kriza urie, të cilat shpurën në vdekje qindra mijë njerëz. Në valën e parë të urisë, për avokatin e ri Vladimir Iliç Lenin, që jetonte në Samara, uria ishte një gjë e mirë për bolshevikët, sepse ajo jo vetëm që do ta shkatërronte besimin në Carin, por edhe në Zotin!? Tridhjetë vjet më pas (1918), kur u bë koka e shtetit bolshevik, Lenini i thoshte Leonid Krasinit: “Rryma elektrike do ta zëvendësojë Zotin. Fshatarësia le t’i falen asaj, për çdo rast ata do t’i ndjejnë efektet e saj…”. Sapo bolshevikët e morën sundimin, i ndërprenë lidhjet me kishën ortodokse, që kishte qenë një forcë e rëndësishme e shoqërisë sovjetike. Më 5 shkurt 1918 qeveria deklaroj ndarjen e kishës me shtetin dhe ndarjen e kishës me shkollën. Nga 54.692 kisha aktive që kishte pasur më 1914, në vitin 1936 kishin mbetur vetëm 15.835 kisha ortodokse (28% e atyre që kishin qenë para Revolucionit) dhe vetëm 4.830 xhami (32% prej atyre që kishte pasur para Revolucionit). Numri i priftërinjve të regjistruar ishte 112.629 më 1914 dhe vetëm 17.857 në vitin 1928. Kleri, në terminologjinë zyrtare, u bë si një “mbeturinë e një klase që po vdiste”.

Në fillimin e viteve të 1920-ta, paga mujore për një punëtorë në Petrograd ishte ndërmjet 7.000 dhe 12.000 rubla, ndërsa në tregun e lirë një kilogram gjalpë kushtonte 10.000 rubla, një kilogram mish 6.000, kurse një pintë qumësht 500 rubla. Në fund të vitit 1919 një punëtor i industrisë së rëndë kishte të drejtë racioni gjatë ditës për gjysmë kilogrami bukë, gjysmë kilogrami sheqer në muaj, gjysmë kilogrami yndyrë dhe 2 kilogram caragë të thatë. Lenini i shkruante Trockit më 1 shkurt 1920 se: “Racioni i bukës do të ulet për të gjithë ata që nuk punojnë në sektorin transportues dhe duhet të rritet për punëtorët që punojnë në këtë sektor”, pasi ky sektor ishte tejet i rëndësishëm. Më tej i thoshte: “Le të vdesin mijëra, por shtetin duhet ta shpëtojmë” [Brovkin: 1994, f. 54].

Falë këtij mentaliteti, popujt e vendeve komuniste vuanin në vazhdimësi! Ishin dy shtetet afrikane të cilat pretendonin të ishin marksiste-leniniste, si Etiopia dhe Muzambiku, që pas viteve të 1980-ta gjithnjë po vuanin nga uria vdekjeprurëse! Në fund edhe Enver Hoxha (1908-1985), që rrugëtoi përmes Kalamegdanit dhe Kremlinit deri te Muri Kinez, i la shqiptarët me thasë krahëve, pa miq, pa ekonomi, pa forcë vitale shtetërore dhe pa ndonjë objektiv për t’u bashkuar [Bajrami: 2006, f. 85].

Mbi “Top listën” e krimeve thuhet se qëndroi Stalini, i cili kishte “krijuar” plot ithtarë të çuditshëm, si Lazar Kaganovich, i cili “ka qenë një njeri i atillë sa do t’i priste kokën babait të vet po t’i thoshte Stalini se është në interes të stalinizmit” [Khrushchev: 1970, f. 345-348]. Ai ka dhënë “dritën e gjelbër” për shumë krime të mëdha. Vrasja e thuajse të gjithë oficerëve polakë, që u zunë rob në luftë më 1939, rreth 4.500 burra, dhe u masakruan në Katyn, është vetëm njëra prej episodeve të tilla. Më e madhja vrasja është ajo e dhjetëra mijë ushtarëve gjermanë të zënë rob ndërmjet viteve 1943 dhe 1945 ose dhunimet e panumërta të femrave gjermane nga “Ushtria e Kuqe”, të cilët sipas gjeneralit Aleksei Brusilov “nuk kishin as ide të përafërt se çfarë kuptimi kishin në të vërtetë Komunizmi, Proletariati apo Kushtetuta”.

Mënyra se si funksiononte ky terror tregohet më së miri në  librin “The Red Terror in Rusia” [Terrori i kuq në Rusi], të botuar më 1924 në Berlin, ku historiani rus dhe socialisti Sergei Melgunov citon Martin Lastis-in, njërin prej liderëve të parë të “CHEKA’s” (Policia Politike Sovjetike) që në urdhërin e 1 nëntorit 1918 u thoshte: “Ne nuk bëjmë luftë kundër ndonjë populli në veçanti. Ne asgjësojmë klasën borgjeze. Gjatë hetimeve tuaja, mos kërkoni dokumente apo evidenca rreth asaj se çfarë ka bërë i akuzuari, nëse ka folur apo ka vepruar kundër autoriteteve Sovjetike. Pyetja e parë që duhet të bëni është se prej cilës kastë vjen, cilat janë rrënjët e tij, edukimi, trajnimi dhe profesioni”.

Kur jemi te urdhëresat zyrtare, do të mjaftohemi edhe me dy ilustrime të tjera. Ta marrim urdhrin #171 të 11 qershorit 1921, të nënshkruar nga Antonov Ovsenko dhe Tukhachevsky, i cili pasqyron qartë metodën e “pacifizimit” të provincës Tambov: “Të vritet secili qytetar që refuzon të japë emrin e tij… secili fshatar në shtëpinë e të cilit gjendet armë. Kudo që të gjenden armë, le të vritet djali më i madh i shtëpisë edhe tek ata që strehojnë ‘banditë’… Në rastin kur familja e ‘banditëve’ largohet, t’u digjen menjëherë shtëpitë. Këto urdhra duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe pa asnjë mëshirë” [Danilov&Shanin: 1994, f. 178-179]. Një ditë më pas Tukhachevsky do të japë urdhër për të asgjësuar të gjithë kryengritësit: “Mbetjet e kryengritësve të mundur dhe disa banditë të izoluar po fshihen ende në pyje… Këto pyje duhet të pastrohen me gaz helmues. Kjo duhet të llogaritet mirë, që asnjë ‘bandit’ i vetëm të mos shpëtojë i gjallë” [Danilov&Shanin: 1994, f. 226-227].

Një shembull tipik në mesin e mijëra të tillëve mjafton për ta ilustruar këtë situatë edhe në Shqipëri. Është letra e KQ të PKSH për Tuk Jakovën më 24 mars 1944, ku i jepet urdhër për të arrestuar Tele Baçin – komandant i Batalionit “Reshit Çollaku”, t’i bëjnë gjyq dhe ta pushkatojnë. I dërgojnë edhe ‘akuzat’ që do t’i bëhen, si dhe emrin e Panajot Plakut, i cili do të jetë akuzuesi i Teles në Gjykatë [Hoxha: 2019, dok. 44, f. 116-118]. Natyrisht pason pastaj letra e Tuk Jakovës: “gjyqi është kryer, Tele Baçi është pushkatuar” [Hoxha: 2019, dok.46, f. 120].

E para kthesë zyrtare për të pranuar krimet e komunizmit vjen në mbrëmjen e 24 shkurtit 1956, kur sekretari i Parë Nikita Khrushchev hyri në podiumin e Kongresit XX të PK të BRSS dhe i habiti të gjithë të pranishmit që ishin mësuar të dëgjojnë gjithmonë lëvdata për “babanë e popullit”, i cili për tridhjetë vjet kishte qenë “heroi botëror i komunizmit”. Por, motivet e Khrushchevit për ta thyer njërin nga tabutë më të mëdha të regjimit sovjetik nuk ishin të parat. Ai foli: “Çfarë do t’u bëjmë ne të gjithë atyre që janë arrestuar dhe janë eliminuar…? Ne tani e dimë se populli i cili ka vuajtur gjatë represionit kanë qenë të pafajshëm… kanë qenë burra e gra të sinqerta, besnikë të Partisë, të dedikuar Revolucionit, kanë qenë të përkushtuar në çështjen leniniste dhe në ndërtimin e socializmit dhe komunizmit në Bashkimin Sovjetik… Si mund ne të pretendojmë se nuk dimë çfarë ka ngjarë në të vërtetë? Ne e dimë që ka pasur regjim arbitrar, shtypje dhe represion në Parti dhe na duhet t’ja themi Kongresit se e dimë” [Khrushchev: 1970, f. 345-348]. Është pikërisht ky Khrushchevi që po atë vit mori guximin të dërgojë tanket e tij në Budapest. Më 24 tetor 1964 u detyrua të largohet, kurse në vitin 1971 vdiq në rrethana të paqarta.

Libri i zi i Komunizmit” përmban 858 faqe dhe ka plot informacione, shifra, citime e dokumente, të cilat zbulojnë shumë të vërteta të tmerrshme brenda kësaj “parajse tokësore”, por zbulon gjithashtu edhe konstatime e analiza të autorëve të cilët e shikonin “nga jashtë”. Bie fjala, në fillim të vitit 1931, Papa Pius XI proklamoj në “Qadragesimo Anno” se: “Komunizmi mëson dhe kërkon dy objektiva: luftën e klasave dhe shkëputje të tërësishme nga pasuria private. Jo me metoda të fshehura tinëzare, por publikisht, haptas duke zbatuar çdo metodë të mundshme pa përjashtuar edhe dhunën. Për t’i arritur objektivat nuk kursejnë asgjë dhe kur vijnë në fuqi janë të egër, mizorë e johumanë”. Një autor tjetër ka parashikuar se “Komunizma ka për të shkretuar botën dhe ka për të shkulur rrënjët e racës të njeriut”, kurse më vonë ka konstatuar se: “Komunizmi ka qenë mëkat të eksperimentohej në kafshë e lëre më në njerëz”. A nuk e quajtën ata njeriun “kafsha më e zgjuar”?! Aty ku “nuk ka Zot” dhe aty ku njeriu nuk e konsideron veten përgjegjës për atë që vepron, nuk ka etikë. Aty nuk ka të gabueshme dhe të pagabueshme, të vërtetë dhe gënjeshtër, virtyt dhe ves. Në një ideologji të tillë gjithçka është e ligjshme dhe e drejtë. Komunizmi është shembulli më i mirë ilustrues për këtë [Akram: 1971, f. 185].

Zëra të tillë nuk kanë munguar as ndër shqiptarët. Vlen të veçohet një poezi e Hafiz Ibrahim Dalliut, i cili i kishte shijuar të gjitha “të mirat” e komunizmit, që sipas tij në vend të bukës të jep urinë, në vend të nderit – poshtërsinë, në vend të shokut – pabesinë, në vend të mëshirës –gjakësinë, në vend të dritës – errësirën, në vend të fesë – mundimin… dhe pastaj: “Po të duash paqen, të bashkojnë me krimin, po të duash familjen, të japin burgimin, po kërkove rregullin, të japin kukudhin, po kërkove Zotin, të japin të paudhin”.