Libër i çmuar për tokat e liruara

Libër i çmuar për tokat e liruara

(Qerim Lita, Tokat e Liruara (1941 – 1944): përmbledhje dokumentesh, Logos-A, 2016)

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë  

Libri me katër vëllime, Tokat e Liruara (1941 – 1944), ka dokumente që janë përzgjedhur, përkthyer, redaktuar dhe komentuar nga historiani Qerim Lita. Libri flet me dokumente të shumta për periudhën kur funksionoi Shteti Etnik Shqiptar, pra nga viti 1941 deri në vitin 1944.

Shqiptarët, të cilët gjatë kohës së pushtimit nga Mbretëria Jugosllave nuk kishin të drejta kombëtare e civile, në këtë qark kohor mund të komunikonin me institucionet qendrore e lokale nëpërmjet gjuhës shqipe, kurse fëmijët mësonin në gjuhën amtare. Ky kishte qenë ideali i martirëve dhe grupimeve kulturore e politike shqiptare që e kundërshtuan, aq sa mundën, politikën serbe të asimilimit dhe pastrimit etnik.

Në librin Tokat e Liruara (1941 – 1944), kemi: raporte, shkresa, qarkore, njoftime, telegrame, lutje, vendime, të dhëna statistikore, projekte, informata, promemorie, udhëzime, analiza, dekrete, vështrime, procesverbale, apele, akte themelimi të institucioneve, rezoluta, plane operative, ditarë operativë, proklamata, studimet: “Kufijt e Shipnis Ethnike” të Hamit Kokalarit, që ishte hartuar në vitin 1940 ose 1941, “Reforma Agrare e ish – Jugosllavisë dhe Kollonizimi i Viseve të Jugut”, të Gjon Mark Gjonajt, i hartuar në vitin 1942 etj.

Dokumentet flasin për funksionimin e institucioneve, për jetën e përditshme, për entuziazmin e shqiptarëve pas një robërimi shumëvjeçar apo për raportet ndëretnike.

Në këtë qark kohor u krijua sistemi i ri administrativ dhe arsimor. Shkolla e kishte si mision parësor emancipimin arsimor e kulturor të shqiptarëve të këtyre viseve.

Le të japim disa shembuj, të shkëputur nga libri, që dëshmojnë për kontributin e ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit.

Koliqi i hapi shkollat shqipe në Tokat e Liruara, solli mësuesit më të zotë dhe u kërkoi atyre që të ndikonin te nxënësit dhe popullata nëpërmjet “një kulture të shëndoshë e të thjeshtë shqiptare”, për ta zhdukur çdo “shej të robnisë së kalueme”.

Me një qarkore të 25 tetorit të vitit 1941, ai i kërkonte “familjes arsimore” që të tregonte shpirt sakrifice.

“Çdo dyshim, çdo plogti, çdo akt mos-interesimi, ka me u quejtë mungesë besimi kundrejt Atdheut”, shkruante Koliqi.

Më 3 nëntor të vitit 1941, u drejtonte mësuesve pesë porosi se si të silleshin gjatë misionit të tyre. Personeli arsimor duhej: 1) Të mos përzihej në çështje politike, fetare e minoritare. 2) Të mos përzihej në çështje lokale apo administratash të tjera. 3) Të sillej mirë me popullin dhe t’ia fitonte zemrën me punën e tij të lartë e të zbatuar me mend e me themel brenda e jashtë shkollës. 4) T’i trajtonte nxënësit me dashuri atnore dhe në mënyrën më të përsosur të një edukatori, duke i ndihmuar që me durim t’i kapërcenin vështirësitë e fillesës, veçanërisht mësimet e para. 5) Mësuesit të kishin jetë të rregullt dhe të ndershme private, duke u bërë shembulli më i përsosur me vetitë burrërore të shqiptarit të kulturuar.

Janë pesë porosi që vlejnë edhe për kontekstin tonë politik, shoqëror e kulturor.

Dokumentet dëshmojnë për interesimin e madh të shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe dhe për respektin që ata kishin ndaj mësuesve.

Në një raport të inspektorit të arsimit në Tetovë, Mexhit Bekteshit, thuhet se shqiptarët ndjeheshin të rilindur dhe ishin në gjendje “të sakrifikonin çdo gja për madhështinë e Atdheut”.

Dokumentet flasin edhe për përkushtimin e mësuesve, të cilët mësuesinë nuk e kishin vetëm profesion, por edhe mision e pasion. Ata ishin poliglotë dhe me dije të thelluara për kulturën dhe historinë shqiptare. Misionin e tyre e shihnin si “mobilizim civil për Atdheun”.

Dokumentet flasin edhe për pengesat e ndryshme kundër këtij projekti të madh iluminist.

Nga libri mësojmë shumëçka për historinë më të re të këtyre viseve, ndryshe nga çfarë thotë historia zyrtare.

Libri i Qerim Litës do t’u shërbejë studiuesve që merren dhe do të merren me historinë e kësaj periudhe, sepse aty kemi burime arkivore, shkrime nga shtypi i kohës dhe studime.

Si lexues duhet t’i jemi mirënjohës autorit për këtë punë të vlefshme dhe titanike, sepse kësi librash, që kërkojnë mund pafund, zakonisht përgatiten nga grupe studiuesish.

Katër vëllimet e librit Tokat e Liruara 1941 – 1944 duhet të jenë nëpër bibliotekat publike dhe bibliotekat personale të historianëve, pedagogëve, sociologëve e albanologëve. Duhet të lexohen edhe nga politikanët, të cilët mund të mësojnë se si punohet për ngritjen e një kombi.

Ky libër u duhet edhe ministrave shqiptarë të Arsimit, që mund të marrin shembull si punohet me përkushtim për shkollat shqipe dhe jo të eksperimentohet me projekte të përkohshme, që rezultojnë të dështuara. Shumë shtete, ndonëse e ruajnë konceptin tradicional të arsimimit, kanë shënuar dhe shënojnë rezultate të çmuara në çdo fushë të dijes. Është për të ardhur keq se ende nxënësit mësojnë me libra shkollorë që kanë përmbajtje shoviniste. Pra, kemi shkolla të përkthyera dhe nuk kemi shkolla shqipe.

Ky libër na vetëdijeson se kur institucionet udhëhiqen nga njerëz që dinë çfarë duan, që kanë vizion, atëherë mund të bëhen gjëra të mëdha brenda një qarku të shkurtër kohor.

Ky libër na kujton shumë emra të harruar mësuesish, të cilët erdhën nga viset e ndryshme shqiptare që të përhapnin dije dhe ta krijonin një vetëdije të re kombëtare, në përputhje me zhvillimet e gjithmbarshme europiane.

Pasi e lexon këtë libër e kupton se sot nuk ka strategji për rrugëtimin e kombit, ashtu siç ka pasur dikur.

 

MARKETING

UniConverter_20230519143422.gif