Lëvizja palestineze Xhihadi Islamik: Më shumë se 100 raketa lëshohen në Izrael

Lëvizja palestineze Xhihadi Islamik: Më shumë se 100 raketa lëshohen në Izrael

Lëvizja palestineze “Xhihadi Islamik” njoftoi se kishte lëshuar më shumë se 100 raketa nga Rripi i Gazës në qytetet izraelite në përgjigje të vrasjes së një prej liderëve të saj më të lartë nga forcat izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).

“Si përgjigje ndaj krimit të vrasjes së Al-Jabarit dhe shokëve të tij, Saraya al-Quds bombardoi Tel Avivin dhe qytetet e tjera me më shumë se 100 raketa”, tha krahu i armatosur i lëvizjes.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se sirenat paralajmëruese u dëgjuan në disa zona në jug të Izraelit, ndërsa mediat lokale raportuan se sirenat u dëgjuan edhe në disa qytete afër Tel Avivit, në pjesën qendrore të Izraelit.

Ekipi i AA-së në Gaza raportoi se dhjetëra raketa u panë të lëshoheshin drejt zonave izraelite.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulmet ajrore ndaj objektivave të lëvizjes “Xhihadi Islamik” në Rripin e Gazës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, në sulmet izraelite u vranë 10 palestinezë, përfshirë një vajzë 5-vjeçare.

Tensionet e fundit filluan të hënën e kaluar pasi Izraeli arrestoi Bassam al-Saadin, liderin e lëvizjes “Xhihadi Islamik”, në kampin e refugjatëve Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor.

Të martën, Izraeli njoftoi një sërë masash kundër Rripit të Gazës nga frika e reagimit të lëvizjes “Xhihadi Islamik” pas arrestimit të al-Saadit.