` . Lëvizja kombëtare shqiptare dhe rivaliteti austro-italian në Shqipëri - TV SHENJA

Lëvizja kombëtare shqiptare dhe rivaliteti austro-italian në Shqipëri

Austria, ndonëse ruajtjen e status quo-së e shihte si kusht për sigurimin e paqes, ajo nuk i linte mënjanë interesat e saj për të shtrirë influencën e saj në Shqipëri. Austria e mbështeste autonominë e Shqipërisë në rast të rënies së Perandorisë Osmane, por nën protektoratin e saj. Nga ana tjetër Italia përkrahte parimin e kombësisë në rastin e shkatërrimit të Perandorisë Osmane, megjithatë interesi i saj kryesor ishte që Shqipëria të mos binte në duart e Austro-Hungarisë.

Shkruan: Denisa TARE, Durrës

Shqipëria, me pozitën e saj strategjike. zinte kryqëzimin e interesave ekspansioniste të dy fuqive imperialiste të Adriatikut. Kjo solli që të bëhej një nga zonat e rivalitetit të ashpër austro-italian, një rivalitet që u forcua më tepër në vitet 1908-1912. Madje, një rivalitet i tillë s`kishte si mos të sillte cenim të status quo-së në Ballkan. E vetmja gjë që mund të bëhej ishte të gjendej zgjidhja e këtij konflikti, që duket që s`ka mbarim. Dhe, zgjidhja e vetme shihej në realizimin e një marrëveshjeje mes dy palëve. Kjo marrëveshje konsistonte në ruajtjen e status quo-së në Shqipëri. Në lidhje me shkaqet e rivalitetit të Italisë dhe Austro-Hungarisë mjaft qartë flet edhe gazeta «Korca» në artikullin “Austria, Italia dhe Shqipëria”, e cila shkruante : “Javën që shkoj shtypi i Austrisë si dhe ay i Italisë ninë të zihen mes tyre. Shkaku është Shqipëria”.

Ndërkaq shtypi i Vjenës shkruante se “Austria vetëm një udhë ka nga ana e detit dhe kjo udhë është deti Adriatik, andaj në do të ketë udhën e liruar nga ana e Adriatikut duhet të bëjë të sajën buzë – detin e bukur të Shqipërisë…”. Nga ana tjetër, fleta e Romës “Preparazione” shkruante se “L`Adriatico é mare Italiano” ( Adriatiku është det italian) dhe çuditej se si gazetat e Austrisë guxuan të ngrenë të drejta mbi Shqipërinë”.

Lufta përmes fjalëve, pasqyruar në shtypin e kohës, tregon qartë se rivaliteti dypalësh kishte arritur kulmin. E vetmja gjë që mund të bëhej ishte të gjendej zgjidhja e këtij konflikti, që dukej që s`ka mbarim. Dhe, zgjidhja e vetme shihej në realizimin e një marrëveshjeje mes dy palëve. Kjo marrëveshje konsistonte në ruajtjen e status quo-së në Shqipëri. Marrëveshja austro-italiane për Shqipërinë e brigjet e Adriatikut u arrit nën ndikimin e Gjermanisë dhe u vu në themel të Aleancës Tripalëshe: Gjermani, Austri, dhe Itali. Kjo aleancë synonte ruajtjen e “ekulibrit” në Adriatik, me të cilën nuk i lejohej asnjërës prej këtyre dy fuqive të vendosej në Shqipëri, por nuk duhej të binte as në duart e shteteve te tjera. Nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe, me synim ruajtjen e status quo-së ishte në interes si të Austrisë, ashtu edhe të Italisë. Kjo dëshmohët me nënshkrimin më 20 maj 1882 të të ashtuquajturës Aleancë Tripalëshe mes Gjermanisë, Italisë, Austro-Hungarisë. Në bazë të kësaj aleance Vjena deklaroi se nuk do të kundërshtonte një shtrirje të influencës italiane në Mesdhe; mjaft që Italia t’i përmbahej rreptësisht status quo-së në Adriatik.

Është e vërtetë që nënshkrimi i kësaj aleance jepte një farë sigurie për sa i përket plotësimit të kushtit kryesor të saj ruajtjes të “ekuilibrit” ballkanik. Kjo siguri ishte lehtësim për Fuqitë e Mëdha, për dy rivalet (Itali e Austro-Hungari), por pas kësaj loje sigurie s`kishte si të mos shfaqej dyshimi i ndonjë loje të dyfishtë të secilës nga dy palët rivale. Ishte ky dyshim që, sipas meje, është i justifikueshëm duke marrë parasysh interesat e thella që fshiheshin pas secilës palë në raport me Shqipërinë. Për ta zhdukur mosbesimin mes Italisë dhe Austro-Hungarisë, u përsërit Aleanca Tripalëshe më 20 shkurt 1887, që u shoqërua me një traktat austro-italian, në të cilën të dyja palët zotoheshin të ruanin status quo-në në Ballkan, bregdet dhe në ishujt osman në Adriatik dhe Egje. Kjo marrëveshje e përforconte marrëveshjen e nënshkruar më 20 maj 1882 dhe duket se ajo jepte një siguri më shumë. Këtë fakt e mbështet dhe Tommassini, sipas të cilit: “Marrëveshjes së nënshkruar më 20 maj 1882 u mendua t’i shtoheshin dy klauzola, një për Lindjen, e tjetra për Mesdheun. Së pari theksonte ruajtjen e status quo-së në ishujt osmanë në Adriatik dhe detin Egje dhe shtonte se nëse kjo do qe e pamundur për t’u realizuar, si rezultat i veprimtarisë së ndonjë fuqie të tretë ose nëse Italia dhe Austro-Hungaria do të donin ta ndryshonin status quo-në, kjo do të realizohej në rast të një marrëveshjeje bazuar mbi një këmbim reciprok, që do t’i kënaqte pretendimet e të dy palëve. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje pati rëndësi edhe sepse e përforcoi status quo-në në Ballkan dhe e theu monopolin e influencës austriake dhe ruse në Gadishull. Duket, në fakt, se situata u qetësua, por kjo thjesht qe fasadë. Pas qetësisë fshihej mosbesimi për ruajtjen e status quo-së. Kështu arrihet në këtë konkluzion se aspiratat për shtimin e influencës në Adriatik nga të dyja palët nuk qenë shuar aspak. Pas heshtjes fshihej frika e ndonjë loje të fshehtë nga të dyja palët rivale. Kjo solli një lëkundje të marrëveshjes përforcuese 20 majit 1882. Italia kërkonte një njohje të së drejtës për një rol të ri në Ballkan, por pas kësaj aspirate fshihej frika e pushtimit të Shqipërisë nga Austria. Kjo dëshmohet nga raporti i vitit 1890 mbi Shqipërinë, shkruar nga ambasadori italian në Beograd, Galvagna, i cili shprehte frikën e pushtimit austriak të Shqipërisë. “Nëse Austria do bëhej zonja e Shqipërisë, shkruante ambasadori, atëherë Italia t`i lajë duart nga zotërimi i Adriatikut, një aspiratë kjo shekullore e saj”. Kjo duhet penguar, sepse do të kishte qenë “fatale sa për interesat politike të Italisë, aq edhe për tregtinë e saj”. Sipas Galvanës, italianët duhej ta përgatisnin fushën për një protektorat të Italisë (mbi Shqipërinë). Kjo do të arrihej nëpërmjet një aksioni politik dhe ekonomik.

Ky raport i Galvanës i shprehte hapur qëllimet italiane për një protektorat në Shqipëri, i cili nuk do ishte shumë i pëlqyeshëm as nga pala austriake dhe aq më pak nga pala shqiptare. Dukej se çështja shqiptare kishte marrë rëndësi të madhe nga të dyja palët, por askujt nuk i shkonte ndër mend t’i llogariste mendimet e palës shqiptare. Ky interes për Shqipërinë u vu re sidomos si rezultat i përsëritjes së Aleancës Tripalëshe më 6 maj 1891. Një ngjarje për t’u shënuar është marrëveshja e nënshkruar nga Visconti-Venosta, ministër i Jashtëm Italian, dhe Kancelarit Austriak, Goluchowsky, e cila u realizua në një intervistë të nëntorit 1897 dhe u nënshkrua në dhjetor të vitit 1900.

Para se të flas për rëndësinë që solli marrëveshja Visconti-Venosta dhe Goluchowski, duhet t’i sqarojmë raportet mes Austrisë, Perandorisë Osmane dhe Italisë, si dhe rëndësinë që kishte ruajtja e status quo-së për secilën palë. Perandoria Osmane po kalonte një moment të vështirë dhe interesi i saj ishte vetëm për të shpëtuar nga shkatërrimi, por edhe që të mos cenohej integriteti i saj territorial. Për Fuqitë e Mëdha ruajtja e status quo-së qe boshti i politikës së tyre për të siguruar që të mos cenohej paqja në Ballkan, të mos prishej “ekuilibri” europian. Austria, ndonëse ruajtjen e status quo-së e shihte si kusht për sigurimin e paqes, ajo nuk i linte mënjanë interesat e saj për të shtrirë influencën e saj në Shqipëri. Austria e mbështeste autonominë e Shqipërisë në rast të rënies së Perandorisë Osmane, por nën protektoratin e saj. Nga ana tjetër Italia përkrahte parimin e kombësisë në rastin e shkatërrimit të Perandorisë Osmane, megjithatë interesi i saj kryesor ishte që Shqipëria të mos binte në duart e Austro-Hungarisë. Për të qetësuar situatën në 20 dhjetor 1900 në Monze u mbajt një konferencë dypalëshe.

Nga pala italiane mbrohej fuqishëm ideja për autonominë e Shqipërisë. Kjo do të sillte qëndrueshmëri në Shqipëri. Kjo aleancë u përsërit sërish në 1891 dhe 1902.

Dy superfuqitë europiane të kohës, Austro-Hungaria dhe Italia, ishin për ruajtjen e status quo-së në rast të shkatërrimit të Perandorisë Osmane, si dhe vendosjen e autonomisë në Shqipëri ose krijimin e një shteti të pavarur. Por, ato i kishin interesat e tyre ishin të ndryshme: Italia synonte marrjen e Vlores dhe ishullit Sazan, në mënyrë që ta kontrollonte kanalin e Otrantos, nga i cili varet siguria në Adriaktik, ndërsa Austro-Hungaria donte që Durrësi dhe Vlora t’i mbeteshin Shqipërisë, që ajo të gëzonte liri veprimi në Adriatik dhe të shërbente si barrierë për sundimin sllav.

Të dy fuqitë rivale, ndonëse me mosbesim ndaj njëri-tjetrit, vazhduan ta ndjekin politikën e depërtimit paqësor. Ky depërtim u realizua në arsim, në fushën e tregtisë dhe lundrimit detar dhe në shërbimin postar. Për ta realizuar depërtimin në Shqipërinë e jugut, u ndoq politika e ndërhyrjes në tregun e Shqipërisë, ku edhe Italia edhe Austro-Hungaria vendosën kontroll mbi tregtinë e jashtme, mbi lundrimin detar, mbi transportin tregtar dhe postar të porteve shqiptare të Adriatikut dhe të Jonit. Depërtimi i huaj ekonomik, ai austriak dhe italian, u realizua edhe nëpërmjet sistemit bankar e të kredisë. Në 1906 u themeluan në Shkodër e në Durrës degë bankare italiane të “Shoqërisë tregtare të lindjes” (“Societa Comerciale d’oriente”) me synim të përqendrimit të blerjes së mallrave, hipotekimeve, inkasimeve dhe vendosjes së ndikimit të Romës në sistemin financiar të Shqipërisë së veriut. Si Austro-Hungaria, ashtu edhe Italia, synonin të kenë monopol mbi shërbimin postar, sepse kjo do ta ndihmonte propagandën në favor të tyre. Në këtë aspekt Austria kishte siguruar koncesion nga Perandoria Osmane. Ajo e kishte siguruar monopolin e shërbimit postar në Shqipëri dhe Epir, duke e përdorur atë për qëllime politike.

Një fushë tjetër e ballafaqimit mes dy palëve ishte ajo e arsimit. Si Austro-Hungaria, ashtu edhe Italia, e zgjeruan rrjetin e shkollave të tyre, të cilat ishin kryesisht fetare katolike dhe lirike. Austro-Hungaria ngriti shkolla për djem e vajza në Shkodër, Durrës, Shkup, Prizren, Pejë, Manastir, Tiranë etj. Shkollat austriake ishin shumica fetare nën administrimin e institucioneve katolike. Më 1855 Austro-Hungaria e financoi ndërtimin e Seminarit Papnor në Shkodër dhe dha një shumë të rëndësishme për mbrojtjen e studentëve. Ajo krijoi shkolla të mesme në Shkodër, njëra drejtuar nga jezuitët tjetra nga françeskanët. Italia kundërveproi, duke hapur në vitin 1888 shkollat e para italiane në Shkodër me nismën e F. Krispit, kurse më 1889 u hap shkolla tregtare italiane në Shkodër, e shoqëruar me shkolla fillore, shkolla nate e kopshte fëmijësh.

Për sa i përket palës shqiptare, ajo pati reagime të ndryshme ndaj politikës austro-italiane. Shumica e patriotëve shqiptare ishin përkrahës te Austrisë. Konica shprehej se një bashkim me Italinë do sillte rënie ekonomike dhe mjerim, ndërsa një bashkim me Austrinë do të mundësonte zhvillim të lirë ekonomik dhe intelektual për Shqipërinë. Edhe Naim Frashëri, Satir Peci, Dervish Hima etj. e përkrahën bashkimin me Austrinë. Duke iu trembur Italisë dhe politikës së saj, patriotët shqiptarë e përkrahën Austrinë. Politika austriake e favorizonte çështjen shqiptare dhe ndihmonte në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Austria e përkrahu çështjen shqiptare, ndihmoi në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe e favorizoi klerin katolik.

Të njëjtën politikë ndaj çështjes shqiptare e ndoqi edhe Italia, por u kuptua shumë shpejt se pas këtij interesimi fshihej një objektiv që shkonte me tej autonomisë. Pavarësisht opinioneve të ndryshme të palës shqiptare, kryesisht pati një qëndrim pro politikës së Austro-Hungarisë, të cilën e shihnin si përkrahëse të interesave shqiptare dhe ndihmonte në ngritjen e zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare.