Letër Vetes

Jo, nuk asht shenjë egoizmi. Ndoshta mungesë vetëbesimi ose nevojë reflektimi. Ose-ose asnji nga këto. Thjeshtë nji copë jete kalue n’12 muej t’shkurt sa pulitja e synit

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Fundi asht si ajo Prralla me plot ngjyra që troket dhomëzave të Njoma për me i ftue n’gjumë ata që kanë më së shumti fuqi e energji! Prralla e mbramë, që të rrëmben tinëz për të të çue cepave të pa përthyem që gërvishtin lehtë, por thellë, mbajtësen e menimit dhe kujtimit! Fundi, në mos asht ajo andrra që kryhet ma shpejtë se sa fillon!

– fundmoti

Dhjetor. Zhurmë, hapa të çrregullta, mjegull, tym drunjsh t’sosun edhe plot gështenja! Sivjet, qëlluen të krymbuna shumë sosh! Sa kanë ndrrue gjanat! Krimbat i hajnë frutat, kurse ne, të zotët e menjes, i kalbim zemrat. Nejse. Dhjetori asht muaji i shesheve t’ndriçueme; kohë Lindjesh t’rreme, stinë blloqesh me numra të pakufijshëm 0-1; dhe, e dymbëdhjeta kujtesë e kambanave që biejnë për data t’reja dhe rrudha t’vjetra ndën qeskat e nxiera të syve perëndues! Dhjetori asht edhe kazani ku gatuhen gjellnat e kriposuna katran prej babadimrit, që e ka harrue qyshkur folezën e tij; prej bore t’baltosun. Borë që shkrihet akoma pa rënë mbi Tokë. E ç’borë mund të jetë ajo?! Jo Borë. As Babadimër. Diçka mes asgjësë dhe çdo gjëje! Dhjetori asht drithërimë. Llogari. Përkujtim. Ndryshe, dhjetori asht xhepi bosh, sofra e ftohtë dhe zemra pezull!!

– Çdo vit që kryhet sikur na kujton se fundi asht afër! Fundi asht diku brenda nesh dhe në ne! Ndodhë shpesh që këtij muaji të këputem prej nji soj nostalgjie që më huton e më harron në njiandërrt’pafillim! Ktu asht fllad. Fryejnë erna t’lehta që avash-avash m’çlirojnë prej dhimtës së frigës! (Frigës së shpërfilljes, humjes, kohës së shkueme dëm!) e pastaj ato erna, ashtu nxitueshëm, më çplojnë prej marres së randë që më vjen prej paditunisë.

 me Dijtë edhe me Dashtë!

Ditunia! Ç’emën i randë! E kam takue kahera! Jo, besa nuk e kam takue, por veç aromën ia pata ndje diku, dikur! E kam dashtë ashtu siç e kërkon fmija tamlin e nanës. Më dijtë dhe me dashtë! Për me u rritun tuj mbetë fmijë! Me u shkri e me u ri-ba njeri! Ditunia asht Dashni! Himn zemrash t’përpëlituna n’rrëfenjat e plakave, që s’i ka prek kurrë e përbotshmja hile! Dashni shkronjash t’qendisuna prej duarve të bardha të meraklinjve; kërkuesve të paepun të mirësisë dhe Paqtimit!

Ditunia asht Dashni që të zhvesh prej ngarkesave dhe të përplasë amël me të panjohunat e misteret! Nji dhe e vetmja udhë që të mëson me notue pa pasë nevojë për ujë. Ditunia nuk do llafe shumë, si këto që sot i shkruej! I padituni flet, shkruen … ai/ajo që asht mveshun me petkun e Ditunisë s’ka vakt me hup! As i dallon ditnetet e shkurta: as prrallat e ngurta!

Mue prap m’vjen marre shumë që s’muj kurrë me e përthekue aq sa due, s’muj me e Dashtë qysh kisha Dashtë a dëshirue, e qysh Due; Dituninë! Vitin! Kohën! Njeriun! Dashninë!

 

Sot veç e po e lëshoj shallin që m’i ka lidhë krejt menimet e kujtimet, e pastaj ashtu kërrysun kam me e çelë nji penxhere, prej ku ta ndjej aromën e trëndafiltë, e t’i numroj lëshimet e gabueme edhe poezitë e pashkrueme, amanet n’kohnat’shkueme!

 

Vit i Ri, a i Vjetër!

Ardhësh i urtë, i Butë, i Paqtë.

Pa ego, inat e luftë.

Kaq du. Në duash: m’duej edhe ti mu!

 

Postscript

NA, njerëzit e kohnave post-moderne, kthehemi shpesh nëpër venet e kohnat që prej neve kanë marrë copëza shpirti! Kthehemi me e gjetë veten e humbun, edhe veten e harrume! Kthehemi me shpresën e zanit, që e lut Paqen mos me ik ma!