` . Lazio një hap larg titullit, mundet nga Milani - TV SHENJA

Lazio një hap larg titullit, mundet nga Milani

Pa Immobilen e Caicedon të pezulluar, të cilët të dy së bashku kanë shënuar më shumë se gjysmēn e golave të Lazios këtë sezon, bardhekaltrit ishin një skuadër normale, për të mos thënë e rëndomtë dhe pa ide pēr lojën.

Këtë fakt e shfrytëzoi maksimalisht tekniku i Milanit Stefano Pioli, i cili kishte karikuar maksimalisht të tijtë dhe mori përgjigjen e duhur në fushë pasi Ibra me shokë u shfaqën padronë të “Olimpicos”.

Pas disa shkëndijash të fillimit, milanezët zhbllokuan sfidën në minutën e 23-të me turkun Hakan Calhanoglu, i cili gjuajti nga jashtë zone dhe topi i devijuar të trupin e një futbollisti bardhekaltër, u ndal në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Thomas Strakosha, i cili nuk mundi të bëjë asgjë për të shmangur golin.

Vetëm 10 minuta më vonë, kuqezinjtë zbritën rrezikshëm nga e djathta dhe Saelemaekers krosoi në zonë, por topi u ndal në mënyrë naive me dorë nga mbrojtësi veteran i Lazios, Ionut Radu dhe arbitri Calvarese nuk ngurroi të japë penallti në favor të Milanit.

Nga pika e bardhë gjuajti gjiganti suedez Zlatan Ibrahimoviç, i cili mposhti për herë të dytë Strakoshën çoi Milanin në pushim të ndeshjes me avantazhin e dyfishtë, ndërsa vetë preferoi të mos kthehet më në fushë në pjesën e dytë.

Pioli vendosi të zëvendësojë Ibrën me kroatin Rebiç, i cili nuk e harroi zakonin as mbrëmjen e sotme, pasi në minutën e 59′ shënoi edhe golin e tretë për Milanin, duke “vrarë” përfundimisht ndeshjen.

Lazio bëri shumë pak për të shmangur humbjen dhe tani e sheh veten plot 7 pikë larg kreut, një shifër kjo thuajse e pamundur për t’u rikuperuar në 8 javët e mbetura të kampionatit, ndaj ëndrra për titullin kampion do të mbetet në sirtaret e klubit kryeqytetas.

Nga ana tjetër Milani lë pas krahëve atë barazim zhgënjyes ndaj Spalit dhe me fitoren e sotme rikthehet në vendin e gjashtë me 46 pikë, vetëm dy më pak se Roma e vendit të pestë.