Lavrov: SHBA dhe NATO dëshirojnë fitore në fushëbetejë në Ukrainë për të shkatërruar Rusinë

Lavrov: SHBA dhe NATO dëshirojnë fitore në fushëbetejë në Ukrainë për të shkatërruar Rusinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, tha se SHBA dhe NATO po kërkojnë fitore në fushëbetejë në Ukrainë për të shkatërruar Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Veprimet e vendeve të Perëndimit si kolektiv dhe (presidentit ukrainas) Volodymyr Zelenskyy, i cili kontrollohet prej tyre, konfirmojnë natyrën globale të krizës ukrainase”, tha Lavrov në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

“Nuk është sekret se qëllimi strategjik i SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s është fitorja ndaj Rusisë në fushën e betejës si një mekanizëm për dobësimin e ndjeshëm apo edhe shkatërrimin e vendit tonë”, tha Lavrov.

Ai tha se SHBA mbetet “përfituesi kryesor” i luftës së Ukrainës, duke përfituar ekonomikisht dhe ushtarakisht, ndërsa ndjek gjithashtu “qëllimin e saj gjeopolitik për të thyer lidhjet tradicionale ruso-evropiane dhe për të nënshtruar më tej Evropën”.

“SHBA po bëjnë gjithçka për të zgjatur konfliktin dhe për ta bërë atë më të dhunshëm. Pentagoni po planifikon hapur urdhra për industrinë amerikane të mbrojtjes për vitet në vijim, duke ngritur vazhdimisht kufirin e shpenzimeve ushtarake dhe duke kërkuar të njëjtën gjë nga anëtarët e tjerë të aleancës anti-ruse”, tha kryediplomati rus.

Ai tha se forcave ukrainase po u jepen armët më të reja, duke përfshirë edhe disa që sipas tij nuk janë përdorur ende nga ushtritë perëndimore, në mënyrë që të testohen ato në luftime.

Lavrov akuzoi politikanët amerikanë se po përpiqen ta fusin Ukrainën në NATO me çdo kusht, ndërsa kundërshtoi publikisht çdo lloj përplasje të drejtpërdrejtë midis aleancës dhe Rusisë.

“Kjo është hipokrizi e pastër. Shtetet anëtare të aleancës janë bërë de fakto një palë në konflikt tashmë, me kompanitë ushtarake private perëndimore dhe instruktorët ushtarakë që luftojnë përkrah ukrainasve”, tha ai, duke shtuar:

“Amerikanët kanë transferuar të dhëna satelitore dhe të dhëna të tjera të inteligjencës tek komandantët ukrainas praktikisht në kohë reale, duke luajtur gjithashtu një rol në planifikimin dhe kryerjen e operacioneve luftarake”.

Lavrov gjithashtu tha se Kyiv po luan rolin e tij për ta bërë të pashmangshme një “përplasje të drejtpërdrejtë” midis Perëndimit dhe Rusisë, duke përmendur si shembull incidentin me raketa të muajit të kaluar në Poloni.

Ai tha se Rusia ka paralajmëruar vazhdimisht “armiqtë tanë në Perëndim për rreziqet e përshkallëzimit të krizës ukrainase”.

“Me kontingjentin që ata kanë ngritur në Kiev, rreziku i zhvillimeve të pakontrolluara mbetet shumë i lartë”, shtoi Lavrov.

“SHBA dhe Ukraina mund t’i japin fund luftës”

Duke iu përgjigjur një pyetjeje, Lavrov tha se Ukraina dhe SHBA mbajnë çelësin për t’i dhënë fund konfliktit.

Ata mund ta përfundojnë konfliktin në çdo kohë duke adresuar kërcënimet e identifikuara nga Moska, u shpreh kryediplomati rus, duke shtuar se përndryshe Rusia “do t’i eliminojë ato vetë”.

Ai kritikoi Perëndimin për akuzën e rreme ndaj Rusisë për planifikimin e përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë.

“Ne kemi përsëritur vazhdimisht se nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore dhe ajo nuk duhet të fillojë kurrë”, pohoi ai.

Lavrov u shpreh se Rusia ka marrë parasysh ndryshimet në doktrinën bërthamore të SHBA-së, duke përfshirë mundësinë e një “goditje çarmatosëse”.

Lavrov i kërkoi Perëndimit të “ushtrojë përmbajtje maksimale” dhe të jetë “jashtëzakonisht i ndjeshëm” kur bëhet fjalë për armët bërthamore.

Lidhur me marrëdhëniet me SHBA-në, ministri e cilësoi gjendjen aktuale të marrëdhënieve “të mjerueshme”, duke theksuar se çdo hap për përmirësime duhet të bazohet në parimin e reciprocitetit.

Rusia nuk i shmanget dialogut konstruktiv, por kjo mund të ndodhë vetëm pasi të krijohen kushtet e nevojshme, tha Lavrov, duke shtuar se “është e vështirë të thuhet diçka” për kontaktet e mundshme diplomatike me Washington-in për momentin.