LAJMI I FUNDIT: Arrihet marrëveshja për targat

LAJMI I FUNDIT: Arrihet marrëveshja për targat

Pala kosovare dhe ajo serbe kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, ka konfirmuar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, shtoi tutje ai.

Kryenegociatorët e dy shteteve janë takuar të mërkurën në Bruksel në një takim që ka zgjatur më shumë se gjashtë orë diskutime në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte dënimin e shoferëve me targa ilegale në vetura.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Me kërkesë të SHBA-së, Kosova e pati shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parashihte shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihej të vendosen disa targa provuese. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më automjete me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht automjetet me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. /Koha.net