Lajçak pas takimeve ndaras me Kurtin e Vuçiqin: Nesër presim një marrëveshje, por jo atë finale

Lajçak pas takimeve ndaras me Kurtin e Vuçiqin: Nesër presim një marrëveshje, por jo atë finale

Përfaqësuesi Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar për media pas takimeve ndaras që ka zhvilluar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak ka thënë se presin një marrëveshje nga takimi i nesërm mes Kurtit e Vuçiqit, por jo atë finalen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“I kam takuar Kurtin dhe Vuçiq ndaras, për të diskutuar programin dhe për t’i përgatitur për takimin e nesërm. Presim një marrëveshje nesër, jo finale natyrisht, do të ishte shumë naive të shpresonim atë”, ka thënë Lajçak për media.
Lajçak më tej tha se do të diskutohet se si të arrihet një marrëveshjet e së ardhmes dhe se si të arrihet një normalizim në mes të raporteve Kosovë – Serbi.

Teksa i pyetur se a do t’i kërkohet Kurtit të shtyhet vendimi për targat, Lajçka i është drejtuar gazetarit duke buzëqeshur “se po bënë shumë pyetje”.

Pas takimit, ka folur edhe Kurti. Sipas tij, takimi ka shkuar mirë dhe ishte përgatitor për atë të nesërmin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka thënë se nesër do të diskutohet elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe çështjet aktuale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Mirë shkoi takimi. Ishte takim përgaditor për atë çfarë do të zhvillohet nesër. Janë dy tema të rëndësishme. E para është elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe tjetra është çështjet aktuale ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale me të gjitha vështirësitë dhe pengesat që janë shfaqur edhe kohëve të fundit”, tha Kurti për Kanal 10.
Ndërkohë, Escobar ka treguar pritjet për takimin e nesërm para takimit me Kurtin e Lajçakun.

Ai ka thënë se shpreson në një marrëveshje, cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën, shkruan Reporteri.net.

“Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë që të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje, e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën. Kështu që po shpresojmë për bisedime të mira”, u ka thënë ai mediave, para se të hyjë në takim me Kurtin në Bruksel.

Ndryshe, Kurti e Vuçiq do të takohen nesër në Bruksel, me fillim nga ora 10:30. Ky takim do të ndërmjetësohet nga Shefi i Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, i dërguari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.