Lajçak, bashkë me këshilltarët e Macron dhe Scholz në Kosovë

Lajçak, bashkë me këshilltarët e Macron dhe Scholz në Kosovë

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarë për politikë të jashtme të Kancelarit gjerman dhe Presidentit francez zhvilluan një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ata u takuan me kryeministrin Albin Kurti, bisedë e cila u mbajt pa praninë e mediave dhe që zgjati dy orë. Pas saj, Lajçak, i shoqëruar nga Jens Plotner dhe Emanuel Bonne, sqaroi publikun për temat e diskutuara: “Siç e patë, ne sapo kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar për dialogun dhe se si të rritet dinamika në proces dhe të çohet procesi përpara. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do ta kuptoni që nuk mund të hyjmë në detaje sepse, natyrisht, të njëjtin diskutim do ta kemi më vonë sot me Presidentin Aleksandër Vuçiç, prandaj them se kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”.

Këshilltarët e Presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe të Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, nuk pranuan të flisnin për mediat. Kjo vizitë e tyre vjen si përpjekje për të afruar Kosovën dhe Serbinë drejt një ujdie për çështjen e targave. Gjithashtu, për të parë mundësitë e përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Kjo vjen pasi Macron dhe Scholz u dërguan një letër të përbashkët kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke i këshilluar të përgatiten për vendime të vështira për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve me një marrëveshje që përmbyll procesin e dialogut.