Kuvend, sot në mesditë takohen liderët politik

Kuvend, sot në mesditë takohen liderët politik

Gati të gjitha partitë politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski për takimin e liderëve që pritet të mbahet në Kuvend sot në mesditë.
Takimi i thirrur nga, Kovaçevski, organizohet me qëllim të hapjes së diskutimit për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend me një konsensus politik dhe social.
Lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski së pari hezitoi që të shkonte në takim, por më pas pranoi. Ai tha se do të shkojë që të diskutojë për krizën ekonomike dhe energjetike, e sa për ndryshimet Kushtetuese, ai tha se qëndrimi i VMRO-së dihet. “VMRO-DPMNE nuk mbështet ndryshime kushtetuese në këtë format”, theksoi Mickoski.
Ndërkaq, Kryetari i Partisë e Majta, Dimitar Apasiev, tha se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e liderëve të hënën të thirrur nga kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.
”Ata nuk mund të negociojnë me ne si me VMRO-DPMNE-në. Ne jemi një arrë e fortë” – tha Apasiev.
Ndërkaq, liderët e partive politike shqiptare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim dhe kanë paralajmëruar se kur të hapet kushtetuta do të kërkojnë që nga aty të hiqet 20 përqindëshi për shqiptarët.