` . Kusari-Lila: LDK do të dilte me mocion kundër Kurtit edhe sikur të mos shkarkohej Veliu - TV SHENJA

Kusari-Lila: LDK do të dilte me mocion kundër Kurtit edhe sikur të mos shkarkohej Veliu

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu nuk ka qenë hapi i parë për thirrjen e mocionit të mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Në një emision të TV Dukagjini, ajo ka thënë se edhe sikur të mos shkarkohej Veliu, LDK prapë se prapë do të inicionte mocionin e mosbesimit.

“Jam e bindur që duke i dëgjuar deklarimet, shkarkimi i ministrit Veliu nuk ka qenë hapi i vetëm që është thirrur mocioni, por që kjo ka ardhur në serinë e mospajtimeve që ka pasur edhe para nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka folur edhe rreth reagimit të ambasadorit amerikan Philip Kosnett rreth seancës së Kuvendit të Kosovës në ditën kur u votua mocioni i mosbesimit, duke thënë se kjo ‘ka qenë befasi ed he për ne’.

Duke vlerësuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit në detyrë Avdullah Hotit nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, në ditën e rrëzimit të Qeverisë, deputetja Kusari- Lila ka thënë se ajo personalisht nuk do të bënte një gjë të tillë.