Kurti: Serbia paturpshëm mohon genocidin në Srebrenicë

Kurti: Serbia paturpshëm mohon genocidin në Srebrenicë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia paturpshëm mohon genocidin në Srebrenicë – vendin ku forcat serbe të Bosnjes vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve ’90. Më 11 korrik bëhen 27 vjet nga kjo masakër, e cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit…”, shkroi Kurti në Facebook.

Autoritetet në Serbi, por edhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjes refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur genocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”. Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur masakrën si genocid.

Vitin e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjen, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e genocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.

Masakra e Srebrenicës ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, më 1995. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por, ai mund të njihet duke u pranuar”, shkroi Kurti në Facebook.

Kosova është në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Procesi ka nisur në vitin 2011, mbi një dekadë pas përfundimit të luftës në Kosovë, të iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.

Gjatë luftës së viteve 1998/99, në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1,600 persona./REL