` . Kurti: Hera e parë që një qeveri e Kosovës po merr anë në zgjedhjet në SHBA - TV SHENJA

Kurti: Hera e parë që një qeveri e Kosovës po merr anë në zgjedhjet në SHBA

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Kreu i këtij subjekti politik, Albin Kurti, ka përmendur “rrezikun e trefishtë” se sipas tij ka mbërthyer situatën e brendshme politike në Kosovë.

Ai po ashtu si rrezik e ka përmendur procesin e marrëveshjeve dhe të diskutimeve me Serbinë, ku Kosova po “nënshkruan gjithçka, e po e hap çdo temë”.

“Është hera e parë që një qeveri e Kosovës merr anë në zgjedhjet amerikane dhe rreshtohet qind për qind pas njërit kandidat e kundër tjetrit, a thua se e dinë paraprakisht se kush do të fitojë. Jo vetëm që rreshtohen në fushatë pas Trumpit, por pranojnë të nënshkruajnë koncesionet më të mëdha të Kosovës që i janë bërë Serbisë ndonjëherë”, ka thënë ai.

Përmes një videokonference e Kurti e ka kritikuar Presidentin Hashim Thaçi dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nuk po reagojnë kur po arrestohen veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës nga ana e EULEX-it.

“Mirëpo presidenti thoshte se ata që janë kundër gjykatës janë tradhtar, sepse ka shpresuar se gjykata i merr luftëtarët e tjerë e jo atë dhe mendjen e ka pas si të bëhet president për vete e jo çka do ndodhë me UÇK-në. Sot nuk mund ta ndalim atë gjykatë”, tha Kurti, ndërsa shtoi se me VV-në në Qeveri interesat e veteranëve do të mbroheshin.

“Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhë keq se askush nga qeveria, presidenca, institucionet tona nuk po e qelë gojën. Kur po arrestohen në mes të Prishtinës veteranët krerët e institucioneve po heshtin”, tha Kurti.

“Rreziku i parë është pandemia me rikthimet e furishme, efektin rrënues në ekonomi dhe shëndet. Të mos harrojmë se mbi 600 veta kanë vdekur, këta kanë qenë familjarë tanë. I kemi humbur mbi 600 jetë për pak muaj”, ka thënë ai në mbledhjen e përgjithshme të LVV-së e cila është mbajtur online.

Ai i ka quajtur mjekët heronj, por sistemin e papërgatitur.

“Është e vërtetë që qeveria jonë relaksoi masat, por këtë e bëmë kur patëm pak raste dhe ndërmorëm relaksim gradual. Numri i të infektuarve u rrit vetëm 5 javë më vonë, pasi e rrëzuan qeverinë tonë”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, edhe vetë politikanët u infektuan, pasi që nuk respektuan masat.