Kurti: Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit

Kurti: Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit, ka thënë se opozita po e përdor grevën si armë kundër tij.

Ai ka thënë se kjo është dëshmuar edhe nga fjalimet në Kuvend të bëra sot nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj dhe ai i PDK-së, Ferat Shala.

“Në thelb të gjithë kësaj është lloj mosnjohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit të vitit të kaluar. Ky është problemi, por duhet të tejkalohet, nuk kam çfartë të bëjë, populli ka votuar. Hallin këta e kanë që unë jam kryeministër e jo që nxënësit nuk po shkojnë në shkolla. Ky është halli kryesor, greva po përdoret si armë kundër kryeministrit. Ky është synimi i qartë që u shpalos nga këta dy deputetë sot”, tha Kurti.
Ai ka treguar se si më 1 shtator në mbrëmje ishte takuar me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykolli, dhe i kishte propozuar që së bashku me sindikatat ta paralajmërojnë Pakon e re për të ndihmuar inflacionin.

“Unë jam i interesuar si socialdemokrat me i forcuar sindikatat. I kam ofruar BSPK-së ta bëmë paralajmërimin e Pakos bashkë. Në asnjë Qeveri nuk kanë ofruar këtë, por u refuzova”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se po ashtu në takimin e 13 shtatorit me Këshillin Grevistë, pos që kishte ofruar që të paralajmërojnë bashkë se po shkon në dëgjim publik Projektligji për paga, kishte ofruar edhe tri gjëra: 10 milionë euro shtesë për barna esenciale, reformën për skemë sociale që të hiqet kriteri i 15 vjetëve përvojë. Por thotë se prapë ishte refuzuar.

“Ne na thanë se konsultohemi me anëtarësinë, e menjëherë pas takimit për media thanë se greva po vazhdon. Nuk thanë se vazhdojnë konsultimet, por greva vazhdon”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se BSPK-ja paralajmëroi grevën e përgjithshme në momentin kur ai u nis në Bruksel për të biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Më 17 gusht u thirr greva e përgjithshme ndërsa unë isha nisur në Bruksel atë ditë për të biseduar për pesë orë të nesërmen me presidentin e Serbisë. Më 17 lajmi kryesor në Kosovë e jo vetëm, ishte që fillon greva. Kishe kryeministrin që po negocionte me fqinjin tonë verior e agresiv e dashakeq, në një moment kur në shtëpi ishte paralajmëruar greva masive nga BSPK-ja”, ka thënë Kurti. /Kohanet/