Kurti dhe Borrell bisedojnë për kornizën e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Kurti dhe Borrell bisedojnë për kornizën e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti dhe Borrell kanë folur për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, dhe për çështje aktuale.

“Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë”, thuhet në njoftim.​

Kryeministri Kurrti ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.

Në njoftimin nga Qeveria thuhet se sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme, për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër.

Sipas njoftimit energjia kishte vëmendje të veçantë.

Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës.

Ndryshe, kryeminsitri Kurti për të biseduar për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes me Serbinë sot kishte ftuar në takim liderët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, por ftesës i është përgjigjur vetëm kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka quajtur përmbajtësor takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Ai theksoi se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi duhet ta ketë vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj në një deklaratë për media tha se tema ishte marrëveshja finale me Serbinë, me njohje reciproke dhe se po ashtu kanë diskutuar për sfidat e Kosovës në këtë proces.

“Ishte një takim me përmbajtje sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale Kosovë-Serbi. Diskutuam për krejt nenet e marrëveshjes, preambulën, etj”, tha kreu i AAK-së.

Ai tha se ky proces duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës dhe jo vetëm përkrahjen. /Telegrafi/