Kurti dhe AKI-ja ishin në dijeni për planin e vrasjes së kryeministrit, nuk u bë publike për të mos krijuar panik

Kurti dhe AKI-ja ishin në dijeni për planin e vrasjes së kryeministrit, nuk u bë publike për të mos krijuar panik

Një plan ishte bërë gjatë vitit 2021 për ta vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria.

Kështu ka raportuar sot “A2 News” pas zbulimit të një dokumenti publik nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Lidhur me këtë Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti dhe AKI-ja kanë qenë të njoftuar për këtë rast.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftim.

Më tej Zyra e Kryeministrit thekson se “rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.

Në dokumentin e publikuar theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm./