Kurti: Bandat kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës, ato e dinë se po ju vie fundi

Kurti: Bandat kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës, ato e dinë se po ju vie fundi

Shpërthime të shumta dhe të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në komunat veriore të Kosovës ku do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunave.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se këto sulme po bëhen nga banda kriminale që sipas tij dirigjohen nga presidenti i Serbisë.

Ai thotë se më këto veprime këto struktura po tregojnë pafuqinë e tyre politike në këtë pjesë të Kosovës.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, ka shkruar Kurti.

I pari i ekzekutivit thotë se pas sulmeve të tilla do të shtohen forcat policore në atë pjesë të Kosovës.

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”.

“Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, dhe të gjithë zyrtarët që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë./Telegrafi/