` . Kur Listat i hap Edi Rama - TV SHENJA

Kur Listat i hap Edi Rama

Nuk jam cinik e as nihilist. Por, e vërteta duhet thënë: as demokracia e as drejtësia në Shqipëri nuk arrihet me ndryshime të vazhdueshme të ligjeve e institucioneve, të cilat gjithnjë janë të kopjuara. Për sa kohë që nuk është bërë një betejë e vërtetë, e cila vetëdijëson dhe organizon një numër të konsiderueshëm qytetarësh rreth disa temave qendrore për demokracinë e drejtësinë, ato do të mund të vijnë vetëm si shtirje, vetëm si «me gjasme».

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Çështja e “listave të hapura” në Shqipëri do të sjellë demokratizim aq sa solli barazi gjinore (qoftë dhe thjesht brenda partive të Shqipërisë) aplikimi i kuotave parlamentare. Të mos keqkuptohemi, unë jam për të dy mekanizmat, pra edhe për listat e hapura edhe për kuotat gjinore parlamentare. Por, këta mekanizma do të kishin ndikim thelbësor vetëm po të vinin si rezultat i një përpjekjeje për demokratizim e barazi, sidomos brenda partive (meqë jemi te politika përfaqësuese).

Të implementuara kështu, si pjesë e një taktike të Edi Ramës për të ndërruar rregullat me parlamentin e tij të telekomanduar, në çastin e fundit, sa për të kapur të papërgatitur kundërshtarët, listat e hapura paraqiten më shumë si dorëzim dhe heqje dorë prej përpjekjes për demokratizim brendapartiak sesa si rezultat a ndihmë për një proces të tillë.

Demokracia është menopauza e qytetërimit perëndimor – shkruante teoricieni francez Jean Baudrillard në vitin 1987. E pastaj vazhdonte – fashizmi është epshi që e rrok atë qytetërim në prag të moshës së tretë.

Vite më vonë, kur kishte rënë perdja e çeliktë dhe Francis Fukuyama shkruante me triumfalizëm se ishte mbërritur fundi i historisë dhe se ai fund mbante vulën e demokracisë liberale, Baudrillard-i kundërshtonte. Kritika e tij ishte shumëdimensionale, por për ta thënë tepër shkurt: meqenëse demokracia në vendet e bllokut lindor nuk erdhi në fuqi si rezultat i ndonjë beteje të fituar ideologjike ose i ndonjë angazhimi shoqëror, ajo nuk do të shihej nga shoqëritë e atyre vendeve si ndonjë fitore e përbashkët; të mësuar siç ishin me shtirjen nën komunizëm, ata do të shtireshin me po të njëjtën hipokrizi edhe nën demokraci; demokracia në lindje do të përhapej më shumë si një infeksion i ngjitur prej perëndimit se sa si zhvillim vetjak, teorizoi Baudrillard-i, ndërkohë që edhe Perëndimit do t´i ngjitej diçka prej Lindjes – në formën e dorëzimit përballë sistemeve të qeverisjes edhe kur ato janë qartësisht duke dështuar. Pra, rënia e perdes solli një infektim të dyfishtë sipas tij. Dhe, produkti që më pas u përhap globalisht, i shoqëruar me ekonominë surreale postmoderne, ku prodhimi, puna e kapitali u zëvendësuan nga shërbimi, «network-u» dhe imazhi, sigurisht që nuk do të ishte momenti i rehatimit përfundimtar për shoqërinë njerëzore.

Baudrillard-i vdiq (në 2007) dhe bota nuk e di ende se a po jeton në menopauzën e perëndimorizmit të globalizuar apo nëse ka filluar tashmë të shfaqet epshi i pleqërisë së tij.

Këto mendime të Baudrillard-it vijnë ndër mend kur lexon se si në Shqipëri, për të disatën herë gjatë këtyre dekadave, po përpiqen të bëjnë një reformë elektorale. e cila për kryefjalë ka (së paku po të bazohesh te debati publik) kërkesën për hapjen e listave.

Argumenti fillimisht u shtrua prej disa subjekteve rishtare, që sipas gjasave presin të marrin pjesë në zgjedhjet e radhës, kurdo që ato janë. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve kanë shtruar publikisht tezën se hapja e listave do të ndihmonte për të zhbërë fuqinë e Njëshit, pra të kryetarit në subjektet elektorale të Shqipërisë, si dhe do të ndikonte në demokratizimin e brendshëm të partive dhe në angazhimin më të madh të votuesve.

Do të mjaftonte megjithatë të merrnin shembullin e Kosovës, ku për mbi një dekadë tashmë listat janë të hapura, për të parë se kjo gjë nuk ka mundur ta zgjidhë problemin e fuqisë së kryetarëve. Përkundrazi, politika në Kosovë më shumë se kurrë është e ndërtuar rreth kryetarëve: madje kemi edhe shembullin e Isa Mustafës, kryetarit të LDK-së, i cili edhe pse nuk mori pjesë vetë në zgjedhje, pati fuqinë ta margjinalizojë e ta përjashtojë prej kryesisë së partisë personin më të votuar në LDK, Vjosa Osmanin, të cilën e nxorën si kandidate për kryeministre. Mësimi i nxjerrë nga një dekadë analizë e politikës kosovare është se jo, listat e hapura nuk kanë asnjë efekt në dobësimin e kryetarëve.

Sa i përket ndikimit që ato kanë në demokratizimin e skenës politike, nuk them asgjë që nuk është vënë re nga studiues të sistemeve zgjedhore edhe në vende të tjera: listat e hapura e vështirësojnë punën për partitë e reja dhe ndihmojnë partitë e etabluara. Duke qenë partitë e etabluara përgjithësisht centriste, me lista të hapura ato kanë mundësi të kandidojnë njerëz prej pjesëve të spektrit politik që janë pak më larg qendrës, gjë që do t´i mblidhte votuesit më gjerësisht te ta. Në fakt, listat e hapura janë perfekte për partitë e mëdha (të quajtura edhe «catch all»), sepse ua mundësojnë peshkimin e gjerë të votuesve pa shkaktuar tensionime të brendshme mes fraksioneve të partisë. Kjo gjë ka ndodhur e është studiuar edhe në vende me traditë shekullore të zgjedhjeve të lira.

Sa i përket ndikimit të listave të hapura në demokracinë e brendshme partiake, ata që ndërtojnë pritshmëri të mëdha, do të zhgënjehen shpejt. Ideja se secili, në fund a në fillim të listës, do të marrë votat sipas «meritës» është naive. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm në partitë ku demokracia është e institucionalizuar së brendshmi. Përndryshe, partitë i kanë të gjitha mjetet ta dirigjojnë një përqindje të votës, e po ashtu, kandidatët e pasur do të kenë mundësi të bëjnë fushatë, pse jo edhe të blejnë vota, në dëm të kandidatëve më të skamur brenda së njëjtës liste. Të gjitha këto gjëra nuk po i shpik, por janë fenomene për të cilat ka pasur ankesa publike në Kosovë, ku dominon e njëjta kulturë politike, ajo e shqiptarëve të hedhur prej paramodernitetit drejt e në postmoderne pa i përjetuar shekujt formësues të modernitetit. Me terma të Baudrillard-it, kjo i bie si të kalosh prej periudhës parapubertare në menopauzë, pa e përjetuar as rininë e as pjekurinë seksuale e njerëzore.

Nuk jam cinik e as nihilist. Por, e vërteta duhet thënë: as demokracia e as drejtësia në Shqipëri nuk arrihet me ndryshime të vazhdueshme të ligjeve e institucioneve, të cilat gjithnjë janë të kopjuara. Për sa kohë që nuk është bërë një betejë e vërtetë, e cila vetëdijëson dhe organizon një numër të konsiderueshëm qytetarësh rreth disa temave qendrore për demokracinë e drejtësinë, ato do të mund të vijnë vetëm si shtirje, vetëm si «me gjasme».

Forcat e reja ose aktivistët që janë vërtet të shqetësuar për politikën në Shqipëri kanë shqetësim të drejtë. Edhe pse nuk mungojnë njerëzit e mirë në të gjitha partitë e mëdha, ato janë të paafta për të prodhuar ndryshimin që mezi presin qytetarët, të ngecura ose të kapura, më mirë me thënë, në rrjetat e oligarkëve që kanë kalëruar tranzicionin. Mirëpo, ato janë fort të afta për të prodhuar vorbullën e imazheve të demokracisë së simuluar dhe i kemi parë ta bëjnë këtë për dekada me radhë. Edhe me listat e hapura e bëjnë të njëjtën gjë.

Rruga e duhur për të prodhuar një ndryshim në skenën politike, për një rifreskim të saj qoftë në aspektin ideor e programatik, ashtu edhe në atë të kuadrit njerëzor e profesional, është përmes organizimit qytetar: këtij koncepti që në Shqipëri është gati se i harruar. Shihni Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Kosovë! Prej një subjekti të krijuar me më pak se 15 veta, brenda 15 vitesh është bërë subjekti më i madh dhe i padiskutueshëm elektoral. Mirëpo, sërish pa u zgjatur, duhet theksuar se në pesë vitet e para punoi ekskluzivisht për organizim e për mprehje konceptuale dhe vetëm kur fitoi besimin dhe disiplinën e një numri të mjaftueshëm të qytetarëve, hyri në zgjedhje duke bërë surprizë qysh në debutim (12.4% në zgjedhjet e para, në 2010). Ç´prej atëherë ai subjekt nuk i vuri shpresat e veta te reformat elektorale e ligjore, sepse e dinte se nuk do t´ia hapte derën e nuk do t´ia shtronte udhën me qilim të kuq askush, por rrugën e vet do të duhej ta hapte vetë. Shpresa e vetme ishte puna me qytetarët e për qytetarët, që mori kohën e vet, por solli rritje progresive e të qëndrueshme të mbështetjes.

Ky është një nga dimensionet kryesore në të cilat qasja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dallon nga eksperimentet e bëra në Shqipëri me subjekte të reja, majtas apo djathtas spektrit. Vërtet që votuesit mund të jenë të zhgënjyer nga partitë e vjetra, por kjo nuk do të thotë se janë gati të zhgënjehen edhe prej të rejave. Ata kanë nevojë për qëndrueshmëri e punë afatgjate që ta fitojnë besimin te këto projekte rishtare.

Të mos pasurit kohë (për procese që zgjasin) është shenjë e pleqërisë. Kjo prodhon zgjidhje e pritshmëri të rrejshme, si puna e asaj për listat e hapura, e pikërisht këto i quan «demokraci-menopauzë» Baudrillard-i. Ose prodhon polarizime ekstreme, thirrje «o sot o kurrë», propozime për «prerje shkurt», të cilat në terma baudrillard-ianë do të ishin «epsh i moshës së tretë». Nëse duam t´ia mundësojmë një pranverë demokratike, pra një demokraci rinore Shqipërisë, atëherë duhet t´i japim kohën e vet organizimit shoqëror e qytetar, dhe vetëdijësimit për demokracinë, e cila duhet të jetë betejë që të fitohet, përndryshe po të jetë dhuratë do të jetë gjithnjë pako e shkëlqyeshme por e zbrazët!