Kur komunistët shqiptarë e luftonin arsimin shqip

Komiteti, në mënyrë të veçantë, është angazhuar edhe në zbardhjen e demonstratave armiqësore nga pozita e nacionalistëve shqiptaromëdhenj, që me 29 gusht 1988 i organizuan nacionalistët shqiptarë në Kumanovë para fillimit të vitit të ri shkollor

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Udhëheqja komuniste maqedonase, e kryesuar nga Jakov Llazarevski, Millan Pançevski, Gligorie Gogoski, Tito Beliçanec, Svetomir Shkariq, Savo Klimovski, Lençe Sofronievska e të tjerë, në mesin e tyre edhe disa shqiptarë, në pjesën e dytë të viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, nën pretekstin e “përmbysjes së nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, shpalli luftë të ashpër e të hapur kundër popullit shqiptar, në përgjithësi, e ndaj kuadrit arsimor në veçanti. Kjo luftë zyrtarisht u shpall më 24 prill 1987, kur Kuvendi i RS të Maqedonisë solli Konkluzionet, përmes të cilave organet ekzekutive e administrative republikane e komunale, urdhëroheshin të ndërmarrin masa represive kundër shqiptarëve. Në pikën 2 të tyre thuhej shprehimisht:

“…Kuvendi vë në dukje se lufta kundër aktivitetit armiqësor nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar paraqet mbrojtje të përfitimeve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Revolucioni Socialist, të vendimeve të AVNOJ-it dhe ASNOM-it, rregullimit kushtetues, pavarësisë, integritetit territorial dhe politikës së pavarur të RSFJ-së dhe është luftë për realizimin konsekuent të tyre.

Për këtë shkak, kjo luftë është detyrë parësore e kuvendeve të deputetëve, të organeve të tyre ekzekutive e administrative dhe të organeve të tjera shtetërore, të organeve drejtuese dhe organeve drejtuese të organizatave të bashkuara punuese dhe të institucioneve dhe mekanizmave të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore në RS të Maqedonisë…”.

Ndërkohë, edhe Kryesia e KQ të LKM-së hartoi Programin për, siç thuhej, “detyrat e drejtpërdrejta të anëtarëve, organizatave dhe organeve të LKM-së në realizmin e mbledhjes së Nëntë të KQ të LKJ-së”, ku veç tjerash thuhej: “Komiteti Qendror i LKM-së dhe komitetet komunale veçmas janë përgjegjës për sigurimin e qasjes së vetme në tejkalimin e problemeve lidhur me nacionalizmin e separatizmin shqiptar…”. Pika e tretë e Programit i detyronte komunistët shqiptarë që të jenë bartësit e luftës tashmë të shpallur kundër shqiptarëve.

“Në punën ideopolitike dhe veprimin kundër nacionalizmit e separatizmit shqiptar – thuhej në të – duhet t’u prinë dhe të dallohen me energjinë e këmbëngulësinë e tyre anëtarët e LK-së nga radhët e kombësisë shqiptare. Në çdo mjedis të punës e të jetesës, veçmas në ata ku janë prezent dukuritë e veprimeve e sjelljeve nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, anëtarët e LK-së të kombësisë shqiptare duhet t’i iniciojnë të gjitha aktivitetet dhe të jenë në rreshtat e parë të angazhimit të organizatave bazë të LK-së, përkatësisht kudo që jetojnë e punojnë; të paraqiten publikisht; t’i dënojnë dukuritë e sjelljet dhe bartësit e tyre; me sjelljen e tyre të japin shembull e t’i mobilizojnë anëtarët tjerë të LK-së për luftë më energjike e më të zgjeruar kundër nacionalizmit e separatizmit shqiptar…”.

Kjo luftë kundër shqiptarëve, e shpallur nga udhëheqja komuniste maqedonase, e shqetësoi tej mase opinionin e gjerë shqiptar dhe jo vetëm. Shtypi demokratik jugosllav, veçmas ai kroat dhe slloven, thuajse për çdo ditë informonte për shkeljet institucionale të të drejtave politike e qytetare, që bëheshin nga autoritetet e Shkupit ndaj popullsisë shqiptare në të gjitha sferat, veçmas në sferën e arsimit, ku në emër të “përmbysjes së nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, brenda një periudhe të shkurtër, u ndërmorën një sërë masash represive, si: mbyllja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollat e mesme, përjashtimi i qindra mësimdhënësve shqiptarë nga procesi edukativ-arsimor, ndryshimi i emrave të shkollave shqipe, ndërhyrja në plan-programet mësimore, tërheqja nga përdorimi i një sasie të madhe të literaturës shqiptare nga bibliotekat shkollore, mbishkrimet e shkollave vetëm në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik etj. Për rrjedhojë, në fillim të vitit 1988, një grup arsimtarësh nga SHF “Liria” e Shkupit, në përbërje: Medi Rahmani, Adem Hyseni, Izet Rama, Halide Palloshi dhe Hetem Gavazi, të pakënaqur me ndërhyrjen brutale të Komitetit Republikan për Arsim të RS të Maqedonisë në veprimtarinë edukativ-arsimore të kësaj shkolle, si dhe vendimin që të hiqet mbishkrimi në gjuhën shqipe i emrit të shkollës në fjalë, vendosën që për të gjitha këto masa antikushtetuese ta njoftojnë Kryesinë e Komitetit të atëhershëm Krahinor të LK të Kosovës. Nuk vonoi shumë dhe anëtari i Kryesisë së KK të LK të Kosovës, Ekrem Arifi, i cili njëkohësisht ishte përgjegjës për arsim, hartoi një Informatë më të gjerë, në lidhje me problemin e arsimit shqip në RS të Maqedonisë.

“…Një problem tepër i madh politik – thuhej në Informatë – që buron nga kjo sferë është shtypja e madhe e shqiptarëve nga RS e Maqedonisë për vazhdimin e shkollimit të rregullt dhe punësimin në KSA të Kosovës….Në arsimimin fillor, të mesëm, të lartë e universitar për momentin nga RS e Maqedonisë në KSA të Kosovës gjenden 3.200 me prirje të rritjes së përhershme të këtij numri, që edhe ashtu qëndron në pikën më kulminante të mundësisë maksimale të Krahinës dhe në kufirin e tolerancës. Shumica e studentëve të diplomuar, për shkak sjelljes nihiliste ndaj Universitetit të Prishtinës në RS të Maqedonisë, ku në më shumë mjedise profesionistët e diplomuar nga ky Universitet, krahas nënçmimit, konsiderohen edhe si separatiste potencialë, sepse janë ‘frymëzuar me nacionalizmin shqiptaromadh’, si edhe për shkake të tjera, detyrohen të shpërngulen nga RS e Maqedonisë dhe me vite presin punë në Kosovë, ku krahas punësimit blejnë shtëpi dhe pronë tjetër të patundshme…”.

Në vazhdim Ekrem Arifi e akuzonte Shkupin zyrtar, i cili siç vinte në dukje “udhëheqë politikë të hapur antishqiptare”, e cila përcillet me dhunë dhe represione të papara deri atëherë kundër mësuesve shqiptarë. “…Lidhja komuniste e Kosovës – përfundonte Arifi – nuk është në gjendje të luftojë kundër disponimit antishqiptar, e as kundër masave represive të cilat janë në kundërshtim me politikën e LKJ-së, pa ndihmën dhe solidaritetin e pjesës së tërësishme të LKJ-së, që në këtë moment është shumë e nevojshme…”.

Për të parë më përsëafërmi se çfarë masash represive u ndërmorën kundër shkollës shqipe dhe mësimdhënësve shqiptar, në vazhdim po e shpalosim dokumentin me titull “Raporti i Këshillit Ekzektutiv të RS të Maqedonisë lidhur me masat e ndërmarra gjatë vitit 1988 për çrrënjosjen e nacionalizmit e seperatizmit shqiptar”, përkatësisht pjesën ku bëhet fjalë për arsimin shqiptar:

“… Në fushën e edukimit dhe të arsimit në vitin 1988 qe intensifikuar puna ideo-edukative me arsimtarët dhe nxënësit në të gjitha organizatat për arsim dhe edukim, posaçërisht në ato ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Për arsimimin ideor marksist të kuadrit arsimor janë organizuar seminare, ligjërata nëpërmjet këshillave të shkollave dhe organizatave të LK-së, ndërsa pjesa e madhe e punëtorëve të arsimit i kanë ndjekur shkollat politike etj., andaj arsimimi profesional pedagogjik dhe aftësimi i arsimtarëve është siguruar nëpërmjet seminareve të enteve komunale dhe Entit Republikan për Zhvillimin e Edukimit dhe Arsimit.

Gjithashtu, gjatë këtij viti qe intensifikuar kontrolli profesional pedagogjik në realizimin e punës edukativ-arsimore dhe mbikëqyrja inspektuese mbi punën e organizatave për edukim dhe arsimim, që u tregua si shumë e rëndësishme në zbulimin e dukurive të nacionalizmit e separatizmit shqiptar në fushën e arsimit e të edukimit.

Për punëtorët e arsimit në komunën e Gostivarit dhe Strugës janë mbajtur ligjërata për rolin dhe detyrat e punëtorëve të arsimit në procesin e ringjalljes të maqedonasve mysliman dhe pengimi i veprimtarisë së nacionalistëve shqiptarë në ndërprerjen e këtij procesi. Gjithashtu, në të gjitha takimet që i ka realizuar Komiteti nëpër komuna, veçmas është vënë në pah edhe prania e dukurisë së shkombëtarizimit dhe asimilimit të maqedonasve myslimanë dhe të romëve, përkatësisht shqiptarizimi nëpërmjet politikës së regjistrimit nëpër shkollat fillore dhe paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Nga ana e Komitetit u nënvizua qëndrimi i deritanishëm, sipas së cilit të pengohen veprimet e këtilla nga pozita e nacionalizmit shqiptar dhe nxënësit e maqedonasve myslimanë dhe të romëve të regjistrohen në shkollat dhe paralelet me mësim në gjuhën maqedonase.

Komiteti Republikan për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike, sipas programit të vet operativ për përmbysjen dhe pengimin e dukurive të nacionalizmit e separatizmit shqiptar, në fillim të vitit shkollor mbajti mbledhje me kryetarët e organeve të administratës komunale përgjegjës për punën e arsimit, kulturës dhe të kulturës fizike, bashkësitë për interesin vetëqeverisës të arsimit, kulturës dhe të kulturës fizike, si dhe entet për zhvillimin e edukimit dhe arsimimit, ndërsa gjatë vitit 1988 u realizuan më shumë vizita, takime, biseda dhe këshillime në më shumë komuna me drejtorët e shkollave të mesme dhe me disa nga shkollat fillore, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj është bërë rivlerësimi i gjendjes, qenë potencuar disa çështje dhe përvoja të deritanishme në realizimin e punës edukativo arsimore dhe u realizuan marrëveshje për marrjen e masave dhe aktiviteteve konkrete për përmbysjen efikase të dukurive nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.

Komiteti Republikan për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike, duke e pasur parasysh specifikën e gjendjes shoqëroro-politike në sferën e arsimit, si dhe eskalimin permanent të veprimtarisë nacionaliste e separatiste shqiptare, veçmas para fillimit të vitit shkollor 1988/89, realizoi më shumë vizita në komunat Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Kumanovë, Kërçovë, Ohër dhe në komunat e Shkupit – Gazi Babë dhe Çair. Si rrjedhojë e aktiviteteve të tilla në organizatat punuese të fushës së arsimit vazhdoi diferencimi ideopolitik dhe punues.

Në Tetovë u ndërmorën më shumë masa dhe aktivitete nga ana e organeve kompetente, organizatave dhe bashkësive në komunë. Gjatë vizitave të Komitetit Republikan për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike u vu në dukje nevoja e ndërmarrjeve të masave preventive rreth shprehjes së ngjarjeve nacionaliste në Kumanovë në sferën e arsimit dhe u arrit marrëveshje për tejkalimin e dukurive të shumta negative, që mund të paraqiten në këtë veprimtari, përfshirë këtu edhe periudhën e regjistrimit të nxënësve në arsimin dhe edukimin fillor e të mesëm.

Për shkak cenimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe për shkak të veprimtarisë së punëtorëve të arsimit nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, Kuvendi i Komunës nga 1 korriku e futi nën masa të përkohshme SHF “19 Nëntori” të fshatit Sellcë.

Ndërkaq në Qendrën Shkollore Mjekësore “Nikolla Shtejn”, për shkak sjelljes në punën edukativo-arsimore nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, një profesor është dënuar me masën ideopolitike përjashtim nga LK-ja (Lidhja E Komunistëve – Q.L.) dhe është suspenduar nga mësimi, një profesor është dënuar me masën ideopolitike vërejtja e fundit, ndërsa një profesori i është shqiptuar kritika shoqërore. Nga ana e organeve të Qendrës Shkollore të Mjekësisë është ngritur procedurë kundër një nxënësi të kësaj Qendre për shkak interpretimit nacionalist dhe qëllimkeq të tekstit të poezisë Ivo Llolla Ribar.Organizata bazë e LK-së së kësaj Qendre erdhi në përfundim që t’i sugjerojë OB-së (Organizatës Bazë – Q. L.) të LK-së pranë Qendrës Shkollore “Mosha Pijada” në Tetovë të ngrejë procedurë për vërtetimin e përgjegjësisë së një profesori, i cili mban orë edhe në QSHM “Nikolla Shtejn”. Komiteti Komunal i LKM-së së Tetovës ka formuar grup pune për rivlerësimin e gjendjes së përgjithshme në Qendrën Shkollore të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë.

Në fund të vitit shkollor në Qendrën për Arsim të Mesëm “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë është vërejtur edhe një dukuri nacionaliste nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Kështu, tabloja e nxënësve që e kanë mbaruar vitin e katërt është bërë në frymën e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, me ngjyrë kuq e zi, ndërsa në pjesën e sipërme janë vendosur vetëm fotografitë e mësimdhënësve shqiptar, kjo si provokim dhe majorizim i shqiptarëve në rrethin e Tetovës. Ndërkaq teksti në gjuhën shqipe është shkruar me shkronja më të mëdha (si i pari), ndërsa me më të vogla në gjuhën maqedonase dhe turke. Tabloja nuk është vendosur në vend publik, andaj Këshilli i Shkollës u distancua nga kjo tablo nacionaliste. Procedura për vërtetimin e përgjegjësisë është në rrjedhë e sipër. Mirëpo, duhet të vihet në pah se nacionalistët shqiptarë – protagonistë të kësaj tabloje, të njëjtën në format më të vogël e kanë shpërndarë nëpër nxënës të viteve të katërta të kombësisë shqiptare. Fotografi e ka riincizuar dhe shumëzuar tablonë për të gjithë nxënësit, mirëpo nxënësit maqedonas e kanë refuzuar ta pranojnë. Prindërit e nxënësve maqedonas kanë reaguar për zgjidhjen ideore të kësaj tabloje, ndërsa shkolla në mënyrë të heshtur e ka kaluar sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Në këtë shkollë për arsim të mesëm OB-ja e LK-së e ka përjashtuar nga radhët e veta sekretarin e kësaj organizate punuese për shkak sjelljes oportuniste në mënjanimin e situatave dhe dukurive nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe për shkak indoktrinimit të kryer brenda familjes së vet.

Në këtë komunë edhe pse janë arritur rezultate të mëdha (veçmas në shkollat e qytetit) në mësimin e gjuhës maqedonase në shkollimin dhe edukimin fillor (nga klasa I deri në klasën VIII), megjithatë ato janë të pamjaftueshme në mjediset rurale, që është për shkak të mungesës së kuadrit profesional të arsimtarëve maqedonas për zhvillimin e mësimit në lëndën e gjuhës maqedonase. Edhe më tej paraqitet si çështje e hapur refuzimi i arsimtarëve maqedonas.

Në komunën e Gostivarit qenë shqyrtuar çështjet që dolën nga zbatimi i dispozitave për kuadrin arsimor të gjuhës maqedonase nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Në kuadër të kësaj u konstatua dhe u dënua publikisht se grupi i arsimtarëve të kombësisë shqiptare, të cilët duke i injoruar të gjitha organet kompetente në Republikë, shkuan në Beograd dhe u shfrytëzuan me të pavërteta të shumta të eksponuara nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.

Në SHF “Goce Dellçev” është përjashtuar nga LK-ja një arsimtar për shkak sjelljes së tij oportuniste dhe bojkotimit të themelimit të shoqërisë kulturo-artistike “Braqa Gjinoski”. Në Shkollën për Arsim të Mesëm “Pançe Poposki” dy profesorë janë përjashtuar nga puna për shkak paraqitjes nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar në një periudhë më të gjatë dhe për shkak kundërshtimit të paraleleve të përziera në shkollë, ndërsa për shkak të organizimit të bojkotit të nxënësve gjatë formimit të paraleleve të përziera janë përjashtuar edhe shtatë nxënës. Është zbuluar shpejt dukuria negative nga 7 nxënës të fshatit Negotinë dhe një nxënësi të fshatit Dobërdoll, të cilët në hekurudhën Tetovë-Gostivar kanë vendosur barrikada. Në hapësirat sanitare të QSHAO (Qendra shkollore për arsim të orientuar – Q. L.) “Zllate Mallakoski” – Gostivar janë vërejtur dhe janë mënjanuar mbishkrimet me përmbajtje armiqësore, mirëpo kryerësit ende nuk janë zbuluar.

Gjithashtu, qenë zbardhur demonstratat armiqësore të 4 tetorit 1988 të një grupi nxënësish të shkollave të mesme “Pançe Poposki”, “Çedo Filipovski” dhe “Zllate Mallakovski”, të cilat patën elemente të kundërrevolucionit. Gjatë zbulimit të kësaj vepre armiqësore nacionaliste, të organizuar sipas skenës së nacionalistëve e separatistëve shqiptaromëdhenj, në mënyrë aktive qe përfshirë edhe Komiteti Republikan për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike.

Për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat armiqësore nga Shkolla Ekonomike “Çede Filipovski” nga mësimi është përjashtuar një nxënës, ndërsa në Qendrën Shkollore “Pançe Poposki” janë përjashtuar 23 nxënës, ndërsa ndaj 18 nxënësve është shqiptuar masa edukative vërejtje para përjashtimit.

Në rrjedhë e sipër është diferencimi ideopolitik ndaj kujdestarëve të klasave nxënësit të cilat në mënyrë të organizuar kanë dalë nëpër rrugët e Gostivarit me majorizim të hapur të shqiptarësisë nëpërmjet planeve të përgatitura më herët nga ana e nacionalistëve shqiptaromëdhenj.

Në Dibër, për shkak të veprimtarisë më të gjatë nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe sjelljeve oportuniste në procesin e diferencimit, 4 punëtorëve të arsimit në QSHF “Bratsvo Edinstvo” u janë shqiptuar masa ideopolitike. Në Qendrën për Shkollim të Mesëm “Zdravko Çoçkovski” gjithashtu u janë shqiptuar masa ideopolitike edhe ndaj 4 mësimdhënësve tjerë. Mirëpo, për shkak të shqiptimit në mënyrë joadekuate të dënimeve (vërejtje dhe vërejtja e fundit) të anëtarëve të LK-së në këto organizata edukativ-arsimore, Komiteti Komunal i LKM-së do t’i rishqyrtojë masat e shqiptuara ndaj mësimdhënësve, sepse është i mendimit se ato nuk përputhen me peshën e bërë të lëshimeve ideopolitike dhe të veprimit jashtë politikës së LK-së.

Për shkak sjelljeve më të gjata oportuniste, luhatshmërisë, mosmarrjes së masave dhe aktiviteteve në lidhje me dukuritë nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, mjegullimit të gjendjes reale me mundësi për eskalimin e mëtejshëm të këtyre dukurive në organizatat edukativ-arsimore, nuk u është dhënë pëlqim për rizgjedhje drejtorëve të Qendrës për Arsim të Mesëm “Zdravko Çoçkovski”, shkollës “Bratsvo Edinstvo”, organizatës parashkollore “Brishia” dhe Shtëpisë Shoqërore “Skopje”.

Në Strugë në SHF “Zini Hani” fshati Veleshtë – rrethina e Strugës, tre arsimtarëve u është shqiptuar masa ideopolitike dhe janë përjashtuar nga mësimi, ndërsa gjithashtu edhe në SHF “Edinstvo” të fshati Dollogozhdë ndaj tre arsimtarëve, për shkak sjelljeve oportuniste nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, u është shqiptuar masa ideopolitike.

Në Kërçovë, në Shkollën Fillore “Rushit Zajazi” në fshatin Zajaz, ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe, tre arsimtarëve, të cilët kanë marrë pjesë në varrimin e një nacionalisti shqiptar në fshat, nga OB-ja e LK-së u është shqiptuar masa ideopolitike. Në SHF “Sande Shterjoski” gjithashtu tre arsimtarëve u është shqiptuar masa ideopolitike për shkak oportunizmit në kryerjen e diferencimit ideopolitik, për shkak regjistrimit në heshtje të nxënësve të maqedonasve myslimanë në paralelet me mësim në gjuhën shqipe.

Komiteti Republikan për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike, së bashku me organet kompetente nga Kumanova angazhohet që me kohë të demantohen të pavërtetat e lëshuara në opinion se, gjoja, nxënësve të kombësisë shqiptare në Kumanovë u janë mbyllur dyert e shkollave të mesme dhe u pamundësohet mësimi në gjuhën amtare. Të pavërtetat e këtilla janë kualifikuar si nacionaliste nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe si sulm ndaj të gjitha përfitimeve të arritura në sferën e arsimit e të edukimit, me qëllim që të minimizohen përpjekjet e shoqërisë në sferën e arsimit e të edukimit për krijimin e kushteve më të volitshme për të rinjtë e kombësisë shqiptare dhe të kombeve e kombësive të tjera në komunën e Kumanovës.

Praktika dëshmoi, se krijimi i paraleleve të përziera në klasat më të larta, që janë në mbarim e sipër të shkollimit të mesëm në shkollat ku ekzistojnë kushtet dhe mundësitë ligjore, me sukses kanë funksionuar në mbarim të vitit shkollor 1987/88 dhe në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, nxënësit e kombësisë shqiptare dhe të kombeve e kombësive e tjera kanë arritur rezultate të shkëlqyeshme në mësim dhe në ndërtimin ideopolitik. Paralelet e tilla u treguan në praktikë si formë e përshtatshme për zhvillimin e vëllazërim-bashkimin, jo vetëm nëpër shkolla, por edhe më gjerë.

Gjithashtu, Komiteti në mënyrë të veçantë është angazhuar edhe në zbardhjen e demonstratave armiqësore nga pozita e nacionalistëve shqiptaromëdhenj, që me 29 gusht 1988 i organizuan nacionalistët shqiptarë në Kumanovë, para fillimit të vitit të rij shkollor. Siç dihet, nacionalistët shqiptar në Kumanovë si shkas e zgjodhën regjistrimin e nxënësve të kombësisë shqiptare në shkollat e mesme në Kumanovë, të zbatuar sipas Konkursit për regjistrimin e nxënësve në bazë të dispozitave dhe kritereve të përcaktuara me Ligj në mbarë Republikën. Këto demonstrata patën për qëllim cenimin e marrëdhënieve ndërnacionale në Kumanovë e më gjerë në Republikë si dhe në mbarë vendin.

Në procesin ideopolitik dhe të diferencimit punonjës me rastin e kësaj euforie nacionaliste të përgatitur për një kohë më të gjatë nga nacionalistët shqiptar në Kumanovë në bashkëpunim me nacionalistët e separatistët paternalist nga KSA e Kosovës dhe të qendrave të tjera në vend dhe në botën e jashtme, 19 punonjësve të arsimit u është shqiptuar masa ideopolitike.

Në Shkup, Komiteti Republikan për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike gjatë muajt shtator organizoi takim të posaçëm me kryetarët e komiteteve për veprimtari shoqërore të komunave dhe të qytetit, në të cilin qenë shqyrtuar situatat që lidhen me dukuritë nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.

Në zbatimin e masave ideopolitike dhe të diferencimit punonjës në SHF “Drita” (fshati Raçe – Q. L.) komuna e Karposhit tre arsimtarëve u është shqiptuar masa ideopolitike për shkak futjes së të dhënave të shtrembëruara historiografike në fletushkën “Drita” nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.

Për shkak të paraqitjes së nacionalizmit shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së librit shkollor, si edhe për shkak sjelljes tolerante dhe oportuniste ndaj dukurisë nga pozita nacionaliste shqiptare nëpër shkolla si dhe sjelljes joaktive ndaj diferencimit të arsimtarëve të cilët veprojnë nga pozita shqiptaromëdha, nga radhët e LK-së janë përjashtuar dy këshilltarë pedagogjik nga Enti i Qytetit për zhvillimin e edukimit dhe të arsimimit në Shkup (Xhemaludin Idrizi dhe Rexhep Meça – Q. L.).

Vëmendje të veçantë Komiteti u ka kushtuar dukurive në komunën e Gazi Babës, ku në mënyrë masive kanë protestuar prindërit e nxënësve maqedonas dhe ku është dëshmuar se në Shkollën Fillore “25 Maj” – Hasanbeg, ndaj nxënësve maqedonas numri i të cilëve arrin 300 për kundër 2000 fëmijëve shqiptarë, kryhen forma të ndryshme të presionit.

Rezistencë të fuqishme prindërit shfaqën, posaçërisht pas ngjarjeve nacionaliste në Kumanovë, të cilat patën shprehje negative edhe në këtë mjedis, në klasën I, që territorialisht përfshihen në shkollën “25 Maj”, ndërsa prindërit (rreth 30) me këmbëngulje përpiqen që fëmijët e tyre t’i regjistrojnë në Shkollën “Kërste Misirkov”. ku mësimi në tërësi zhvillohet në gjuhën maqedonase.

Për këtë qëllim nga mbledhjet me strukturat e komunës dhe nga mbledhja e përbashkët me prindërit e nxënësve të klasës I u vu në pah se çdo tërheqje e nxënësve nga shkolla “25 maj” hapë mundësi për veprim më të lirë të nacionalizmit shqiptar, ndërsa shkolla për një afat relativisht të shkurtë do të bëhej etnikisht e pastër, në të cilën mësimi do të zhvillohej vetëm në gjuhën shqipe. Mirëpo, edhe pas këtyre aktiviteteve, nuk u arritën rezultate pozitive, përkatësisht në SHF “25 Maj” nuk u formua paralele e tërësishme (komplete) në gjuhën maqedonase.

Në komunën Qendër të Shkupit vështirësi të veçanta ekzistojnë në bashkëpunimin me drejtorin e SHF “Dame Gruev”, në të cilën mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe me mbi 2000 nxënës. Këto mosmarrëveshje me drejtorin Fatmir Kasapi janë të natyrës kadrovike, organizative dhe të natyrave tjera të ngjashme. Në kolektiv ekzistojnë lidhje të mëdha familjare, kështu që rreth 38 arsimtarë, ka mundësi edhe më shumë, të cilët janë familjarë të afërt dhe numri i madh nga ata janë me prejardhje nga KSA e Kosovës. Është konstatuar se në këtë kolektiv lehtë mund të gjejnë punë persona me bindje nacionaliste, por për shqiptarët e ndershëm vështirë gjendet vend në arsim.

Me 9 shtator të vitit 1988 në Shkup u mbajt mbledhje me kryetarët e komiteteve Republikane për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe RS të Maqedonisë, si dhe Kryetari i Komitetit Krahinor për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike të KSA të Kosovës. Në mbledhje u shqyrtuan çështjet nga fusha e arsimit, të cilat janë me interes të përbashkët për të tri republikat dhe për Krahinën e Kosovës, si edhe çështjet dhe detyrat të cilat dalin nga Konkluzionet e Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ të LKJ-së për çështjen aktuale të sigurisë në Kosovë dhe detyrimet nga Programi Jugosllav për Kosovën, të cilat i takojnë sferës së arsimit dhe edukimit….”.