Kur dështon Brukseli…

Kur dështon Brukseli…

Editorial i Revistës SHENJA

Shkruan: Ismail Sinani

Fjala ndérë (mbiemër) në fjalorin e gjuhës shqipe na thuhet se nënkupton gjendje të tendosur, të acaruar. Po sipas fjalorit, kjo fjalë shqiptohet duke i TENDOSUR fort organet e nyjëtimit – aludohet në çastin kur shqiptohen zanoret. Ndonëse shumica prej nesh këtë fjalë e ngatërrojmë me emrin “nder”, që nënkupton tërësinë e vetive morale të çmuara të njeriut, që shfaqen në sjelljet dhe në veprimet e tij, që në fillim duhet thënë se, pas përfundimit të konfliktit të fundit në Ballkan, atij në Maqedoni të Veriut në vitin 2001, gjendja në këtë pjesë të Europës asnjëherë nuk ka qenë kaq e nderë. Këtë duhet thënë hapur, troç dhe pa ekuivokë. Thjesht, duhet drejtuar gishtin sa më parë drejt fajtorëve që e kanë katandisur punën deri në këtë shkallë. Në të kundërtën, gjithçka mund të shkojë dëm!

Tridhjetë vjet më parë, zërat ultranacionalistë në Ballkan nuk dëgjoheshin, nuk merreshin seriozisht, ca shihnin ëndrra për rikonfigurim të Jugosllavisë së atëhershme, ca shkonin edhe më larg me fantazitë, se vendi do të anëtarësohet në Bashkësinë Europiane të asaj kohe… e pastaj të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në vitet e ’90-ta… vrasje, përdhunime, dënime, masakra e gjenocide.

Sot, tridhjetë vjet më pas, sërish po bien kambanat… dhe sërish nuk po dëgjohen. Ngjashmëritë janë të shumta…, por besa edhe dallimet…

Atëherë serbët provokonin në Bosnjë, sot provokojnë sërish aty. Atëherë Millosheviqi provokonte në Kosovë, sot Vuçiqi provokon në Kosovë. Atëherë shumë zyrtarë europianë shihnin ëndrra idilike të paqes, sot shumë zyrtarë europianë përsëri duan të shohin ëndrra idilike të paqes. Por, siç u tha, ka një dallim të madh. Atëherë me Rusinë, gjithmonë antishqiptare dhe proserbe, udhëhiqte një pijanec, sot me Rusinë udhëheqë një dorë e fuqishme edhe më antishqiptare, por edhe më proserbe, e cila përmes gazit e ka robëruar gjithë kontinentin europian. Atëherë profesorët rusë vuanin për një kafshatë goje, ndërsa sot Rusia është vendi i vetëm në Euroazi, i cili nuk pritet të preket nga kriza energjetike. Atëherë kishim një Rusi që mezi i bënte ballë një Çeçenie, për shkak të rrëzimit të moralit të ushtarëve rusë, sot kemi një Rusi që për çdo ditë e më shumë kërcënon me invazion të Ukrainës.

E sa për Kinën, atë nuk po e përmendim fare, sepse vetë emri i saj është bërë ankth ekonomik për gjithë globin.

Dhe, sërish kthehemi te europianët. Të zhytur në synimet e tyre diplomatike, ata fare nuk e shohin dështimin në Bosnjë, që është bërë shteti më jofunksional në botë, i cili po rigjeneron konflikt të ri. Të verbuar pas politikave të tyre, ata edhe në Kosovë mund ta bëjnë gabimin e njëjtë. Kërkojnë bosnjëzimin e Kosovës përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E pastaj rezultati dihet… krizë që mund të precipitojë në diçka shumë të nderë.

Kush është fajtori? Edhe ne edhe ata. Kush jemi ne e kush ata? Ne jemi ata që votojmë, ata janë ata që në heshtje na i pranojnë dhe legjitimojnë këta drejtues të politikës.

Zgjidhja?! Zgjidhja është multidimensionale.

E para, procesi eurointegrues në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalet. Zgjidhja e kontestit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë është mundësia e fundit që mos të këputet edhe fija e fundit e shpresës se kjo pjesë e Ballkanit do të bëhet pjesë e BE-së. Ndonëse në Samitin e Bërdos në një mënyrë u dhanë shenjat e para se eurointegrimi për një periudhë të gjatë ka marrë fund.

E dyta, Kosovën nuk duhet zhytur në labirintet e negociatave të pafundme. Çështja e Asociacionit duhet të harrohet dhe të gjendet mënyra që ky proces të përmbyllet sa më parë.

E treta, të revidohet Marrëveshja e Dejtonit, e cila e ka paralizuar Bosnjën, ndërsa liderët ultranacionalistë, sikurse Dodiku, të eliminohen nga skena politike.

E katërta, vendet që nuk janë pjesë e NATO-s patjetër të hyjnë nën ombrellë të saj.

E pesta, SHBA dhe Turqia të kenë një rol më proaktiv, e posaçërisht Uashingtoni. Diplomacia nuk njeh hatër. Pa shkop këtu nuk ecin punët mbarë.

Ristrukturimi politik i Ballkanit duhet të ndodhë. E nëse nuk ndodhë? Atëherë do të bëhet shumë keq… pasojat as Hantigtoni nuk do të mund t’i parashikonte.