` . Kufijtë janë viskozë - TV SHENJA

Kufijtë janë viskozë

Shkruan: Ismail Sinani

Kur në vitin 1975 u rivendos parimi i paprekshmërisë së kufijve, në bazë të tëcilit “kufijtë janë të paprekshëm dhe se kjo vlen si për Europën, ashtu edhe për gjithë botën”, optimistët naivë kishin menduar se bota nga ai çast e tutje do të jetë e njëtrajtshme.

Por, vetëm 15 vjet më vonë u përdëftua se thirrja në këtë “vlerë universale”, historikisht, politikisht, sociologjikisht dhe shkencërisht, ishte tejet absurde. 15 vjet pas firmosjesnë Helsinki të Finlandëstë këtij parimi në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, sot të quajtur OSBE, bota ka marrë një pamje krejt tjetër. Madje, protagonistët e asaj kohe, që e quanin këtë dokument si akt të lirisë e barazisë, me siguri kanë arritur ta shohin veten se sa cinikë janë dukur përballë fenomeneve historike, të cilat kanë pasuar nga ai çast e këndej.

Historia na ka mësuar se pushtetet nuk janë të përjetshme. Madje, bashkë me ta, edhe sistemet politike, të cilat i ka shpikur dhe zbatuar njeriu, i nënshtrohen ndryshimit permanent.

Kur shtrihet harta e botës dhe i bëhet një analizë se si është dukur para 2000 vjetësh, para 1500, para 1000, para 500, para 100,  para 50, e si para 10 vjetësh, do të shohim sa është e kotë dhe idioteske të përpiqesh ta përkufizosh lirinë e njeriut ose të një komuniteti në një kornizë të quajtur marrëveshje, paktose parim, siç është“moscenimiikufijve”.Liria e njeriut i nënshtrohet kohës së vet në përputhje me të arriturat e kohës.

Nga viti 1975 e këndej, nëse flasim me statistika, do ta shohim se kufijtë kanë ndryshuar me ose pa dëshirë. Iraku i bërë copë-copë, Siria, Ukraina, në përgjithësi, dhe Krimea, në veçanti… janë vetëm nga disa shembujt më eklatantë, që tregojnë se sa boshe kanë qenë parimet e Helsinkit. E, mos të flasim për ndryshimin e hartës së botës që ka pasuar pas shpartallimit të Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.

Kjo tregon se puna e pakteve, shpjeguar me fjalorin më të thjeshtë, është çështje e politikës ditore, që ka nevojë ta avancojë një fuqi të madhe kundrejt një fuqie tjetër. Zaten, ky “parim i kufijve”, për ata që e njohin historinë, e dinë se është vendosur pasi që Moska kishte vërshuar mbi disa shtete të Europës Lindore dhe Qendrore. Dhe, gjithashtu, mos të harrojmë se ishte pikërisht ky pakt që u mundësoi pak më shumë demokraci disa lëvizjeve disidente brenda bllokut në Lindjes, e që në thelb e kishin idenë e ndryshimit të sistemit komunist që vetvetiu nënkupton(te) edhe ndryshimin e kufijve. Pra,në fakt,ishte pakt për ndryshim, ndonëse publikisht dhe zyrtarisht quhet(j)pakt për mosndryshim të kufijve!?

Po ashtu duhet pasur parasysh se në vitet e ’70-ta, koha kur është firmosur ky pakt, SHBA-ja dhe BRSS-ja kanë qenë fuqi të barabarta ushtarake dhe ekonomike dhe, si të tilla, është dashur “t’i njohin kohë” njëra-tjetrës për ta parë se nga do të shkojë trajektorja historike. E, pastaj, të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në vitin 1990 e këndej.

Por, sot, pak më shumë se 30 vjet pas shpartallimit të Bllokut të Lindjes, të flasësh me të njëjtën gjuhë dhe me parimetevitit 1975, për çdo politikan serioz do të duhej të ishte një injorancë dhe shpërfaqje e mosnjohjes së kulturës elementare të gjeopolitikës dhe historisë.

Sot bota ka ndryshuar rrënjësisht.Aktorët gjeopolitikë janë të shumtë, kurse shqiptarët kanë nevojë ta gjejnë pozitën e tyre në kohë dhe hapësirë.

Kur rilindësi ynë, Sami Frashëri, e ka parashtruar pyetjen retorike: “A jemi shqiptarë? Besa, feja, puna, kujdesi, dëshira jonë, mendimi ynë të jenë për Shqipërinë e për shqiptarinë.”, nuk ka folur për Çakorrin, Mitrovicën e Veriut, Çamërinë, Shkupin, Preshevën, Plavën…, por ai ka folur për konceptin komb-shtet, i cili duhet të zërë vend në hartën e re të botës. Kur Ismail bej Vlora e ka shpallur pavarësinë, më 28 nëntor të vitit 1912, nuk e ka ngritur flamurin për 28,748 km². Natyrisht, të gjithë jemi koshientë se proceset politike shpesh ta imponojnë të heshtësh para trysnisë së “të mëdhenjve”, por kjo nuk e zhbën faktin se njerëzit/politikanët kanë të drejtë të mendojnë edhe për alternativa të reja politike, e posaçërisht kur bëhet fjalë për Kosovëndhe Shqipërinë.

Sot, kur Albin Kurtin e presin sfida të mëdha në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, nuk duhet ngarkuar atë me projekte që marrin energji ekstremisht të mëdha për vepra të këtilla, por është thjesht epakuptimtë që dikush të dalë dhe të pretendojë se idetë e tilla janë arkaike dhe në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian, i cili, mes tjerash, vetëm para disa muajsh përjetoi një erozion të paparë politik – ngeli pa Britaninë e Madhe.

Politikanët e tillë, të udhëhequr nga motive “të panjohura”, nxjerrin në pah subkoshiencën e tyre të shtresuar ndër vite. Ata politikanë që bëjnë apel se “historia e bashkimit duhet mbyllur” janë në kundërshti të plotë me idenë e rilindësve, të cilët para se ta krijonin shtetin shqiptar, e kishin farkëtuar shqiptarinë, shumë të domosdoshme për të mbijetuar në këtë copëz të globit.

Dhe, krejt në fund, kufijtë janë viskozë.

Editorial i Revistës Shenja