` . Ku po jetojmë! - TV SHENJA

Ku po jetojmë!

Në këtë zbrazëtirë çdo ditë po kthehet në dhimbje, që rëndon herë më pak e herë më shumë. Për çfarë do të mbahet mend kjo periudhë? Do të mbahet mend se si jeta kulturore ra të flinte për muaj të tërë e askush nuk u kujtua për të. Duket sikur ajo ka humbur për të mos u kthyer më, por jo ajo thjesht është strukur që kur të vijë dita të shpërthejë sërish, madje këtë herë edhe më fuqishëm.

Shkruan: Eda AGA, Tiranë

E mendova si një ëndërr që kur të zgjohesha do të kishte përfunduar, por vë re që gabova. Gabova kundrejt një drite të errët, që në fund të tunelit do të zbardhte, por jo çdo gjë po ecën si mos më keq. Njerëz që vuajnë nëpër spitale, të afërm me lot në sy, presin, para dyerve të tyre për një fije shpresë, një lajm të mirë. Njëri që gëzon e tjetri ulërin. Ahh kjo dorë mizore sa njerëz po vret! S’po të vret vetëm ty, që je i lidhur me tuba oksigjeni, por edhe mua me barkun bosh e zemrën plot. Po vret fëmijë, duke i lënë jetimë, e prindër duke i lënë pa fëmijë dhe një krah po e lë në vetmi.

Sa djallëzor ky realitet! Pas fijeve të arta mundohesh të kapesh diku fort për të mos u dorëzuar, për t’ia dalë e, në fund, për ta mposhtur këtë sëmundje botërore. Duket se ditët po lulëzonin, por pak nga pak e kupton se ditët po kthehen në një zbrazëtirë të pafundme. Sot në këtë realitet të hidhur ti e gjen veten larg miqve, shokëve e shoqeve, të afërmve të tu vetëm për t’i mbrojtur ato. Bëj kujdes këtu, mos dil pa maskë, mbaj dezinfektuesin gjithmonë me vete, mos tako njerëzit, rri larg tyre! Jetës sonë monotone prej 6 muajsh tashmë i janë shtuar edhe veprimet e njëpasnjëshme robotike. Por, a po i zbatojmë ne të gjitha këto? Sigurisht që jo, sepse ne jemi të fortë dhe nuk pyesim për distancë, andaj maskën e mbajmë në bërryl si byzylyk se ka dalë moda.

Me shpresa të shuara po mundoheshim që të mbanim gjallë edhe atë pak humanizëm, dashuri e mirësjellje që ka mbetur për të mos ia vënë vulën fare. Sot një virus tjetër akoma edhe më i rëndë se ky që po kalojmë, i quajtur ndryshe virusi virtual, po ia arrin qëllimit, po e mposht dhe atë pak humanizëm që ka mbetur, ashtu nuk po zbehen vetëm marrëdhëniet shoqërore, por dhe ato prind-fëmijë. Fëmijët e ditëve të sotme nuk i zë gjumi nëse nuk shohin video e filma në YouTube dhe nuk pushojnë së qari pa ju dhënë telefonin. Të dashur prindër, të dashura mama, ku janë përrallat për fëmijët tuaj në orën e gjumit, që nesër t’ua kujtojnë fëmijëve të tyre se si gjyshja apo gjyshi i ka vënë në gjumë me një përrallë ose ninullë dhe jo duke i lënë derisa t’i zërë gjumi përpara tabletit. Ky virus është si magneti – të mbërthen përpara rrjeteve sociale pa e kuptuar, aty ku çdokush është i pasur në mendje dhe jo në shpirt, një botë virtuale e plogësht, që dita-ditës po e skllavëron njerëzimin.

Mbase pa dashur, por ne vetë po i lëndojmë fëmijët tanë, kështu që të mos e kërkojmë fajin diku tjetër, siç bëhet rëndom, duke ia adresuar në shumicën e rasteve “mësonjësve”. Nuk ndodh asnjëherë që mësuesi ta ketë fajin. Faji më i madh i tyre është që qëndrojnë gjysmën e ditës me fëmijët e tu për t’i edukuar, për t’i bërë të sjellshëm, që nesër të jenë gati për t’u përballuar me jetën. Ata u japin udhëzime se çfarë dëshiron fëmija yt të bëhet nesër. Ai është aty edhe kur është i mërzitur, edhe po të ketë një mijë halle mbi kokë. Ai i lë të gjitha pas me një buzëqeshje, gjithë kjo vetëm për të të dhënë dije ty, sepse çfarë do që ti të bëhesh një ditë, e ke falë dikujt.

Në këtë zbrazëtirë çdo ditë po kthehet në dhimbje, që rëndon herë më pak e herë më shumë. Për çfarë do të mbahet mend kjo periudhë? Do të mbahet mend se si jeta kulturore ra të flinte për muaj të tërë e askush nuk u kujtua për të. Duket sikur ajo ka humbur për të mos u kthyer më, por jo ajo thjesht është strukur që kur të vijë dita të shpërthejë sërish, madje këtë herë edhe më fuqishëm.

Më vjen në mendje ajo ditë libri se sa e trishtë që ishte. Jemi mësuar që oborret e universiteteve t’i shohim përplot me stenda librash, promovime, takime autorësh e studentësh, ku me ato pak para të kursyera do ta gllabëronim librin e preferuar e do të strukeshim derisa të zbardhte dita e ta kishim përfunduar. Por, prej thuajse 6 muajsh libri duket sikur ka humbur për pjesën më të madhe të shoqërisë tonë. Pa dashur ta fajësojmë këtë pandemi, por e vërteta shpeshherë është e hidhur. Plot vende në çdo shtëpi janë të zbrazura nga pamundësia për të blerë qoftë një libër të vetëm e për ta bërë pjesë të tyre e shumë të tjerë lexojnë me qindra herë të njëjtin libër jo se duan ta bëjnë, por thjesht që për disa minuta të mund ta harrojnë plogështinë në shpirtin e tyre. Ndërkaq plot të tjerë mendojnë nëse një ditë ai cep i zbrazur i shtëpisë së tyre do të mund të mbushet ndonjëherë, por ndodh që në atë cep të mbushur të shtëpisë librat të flasin me veten. Libri sot nuk është në dorën e të gjithëve. Kjo ndodh edhe për shkak të rënies së interesit ose se ditën sot më së shumti e kalojmë me teknologjinë. Pasi ne nuk po e zotërojmë atë, ajo na ka rrëmbyer e na ka bërë një me veten. “O, si nuk kam një grusht të fortë, t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë”, do të thoshte i madhi Migjeni edhe për këtë kohë.

Sot një pjesë e mirë e nxënësve dhe e studentëve janë bërë robër të internetit, duke i gjetur informacionet shabllon të papërpunuara, që më pas do të vlerësohen si një detyrë individuale ose një fryt i punës në grup e kështu do të kalohet pa u vënë re. Duke lundruar nëpër faqet e tij do të ndjesh një ndjesi kundrejt asaj që do të ofrojë interneti e që do të jetë një miopi sysh dhe ti do të vazhdosh ende të jesh para tij. Historia na ka mësuar se papiruset, kodikët e dokumentet e ndryshme u kanë rezistuar shekujve dhe do vazhdojnë ende ta bëjnë dhe nuk do të plaken si homologët e tij elektronikë. Ato na kanë mësuar gjithashtu se japin plot mesazhe duke na ndihmuar për ta kuptuar më mirë botën, të shkuarën, të tashmen dhe duke na dhënë një dritë në fund të tunelit për të ardhmen.

Mos të harrojmë faktin më të rëndësishëm, se pasurimi i fjalorit tonë vjen nga libri dhe jo nga ajo çfarë interneti po na sjell – një dembelizëm edhe në shkrimin e fjalëve, duke çuar kështu në degradimin e gjuhës shqipe, duke i shkurtuar ato e në të njëjtën kohë duke ua humbur vlerën. Parashikime s’dua të bëj, sepse e di që teknologjia na ka bërë dhe do vazhdojë të na bëjë të gjithëve robotë, por ama librit nuk ka se çfarë t’i bëjë. Prandaj kur mësuesit/pedagogët e miqtë na thonë që të lexojmë sa më shumë, le t’i marrim për bazë këshillat e tyre dhe le ta shfrytëzojmë atë bibliotekë në të mirën tonë. Nëse je i pasur në shpirt, do të jesh edhe në mendje, sepse fjalët brenda tyre e kanë fuqinë e pafundme që të na ndryshojnë. Siç shprehet edhe Umberto Eko, “Ne jetojmë për librat”.

Një gjë tepër të rëndësishme që kemi kuptuar gjatë kësaj periudhe ka qenë dashuria e nënës. Mes atyre katër mureve fëmijëve të zhurmshëm e të pabindur ato arritën që me pak fjalë të na duronin si të mëdhenj e të vegjël. Me flokët akoma të shpupuritura, ato na përgatisnin mëngjesin drekën e darkën, të palodhura e pa u ankuar asnjëherë. Ato ishin gjithmonë aty për ne.

E tillë paska qenë edhe kjo pandemi – për të na bërë ta kuptojmë më mirë rëndësinë e jetës, të familjarëve tanë, dashurinë e pafundme të tyre. Të mësojmë të dhurojmë më shumë dashuri pa marrë gjë në këmbim, të jemi humanë, të ndihmojmë e mos të harrojmë se një ditë çdo gjë do të na kthehet pas.