Drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka thënë sot se kthimi i paparalajmëruar i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës është tregues se është dobësuar pozita negociuese e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në raport me Kosovën.

Janjiq ka thënë për “Beta” se Vuçiq ka vendosur që Listën Serbe t’ua kthejë institucioneve të Kosovës në mënyrë që të shtyjë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, të planifikuara për 18 dhjetor.

“Vuçiq e kuptoi se lëvizjet e tij në dhjetë ditët e fundit, kur bëhet fjalë për largimin nga institucionet e Kosovës si dhe ngritjen e tensioneve me historitë për dronët, nuk dhanë fryt. Në bisedimet me përfaqësuesit e vendeve të QUNT-it, ai pranoi t’i kthejë serbët në institucionet e Kosovës, ndërsa në këmbim të shtyhen zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për riregjistrimin e automjeteve”, ka vlerësuar Janjiq.

Sipas tij, kthimi i Listës Serbe në institucionet e Kosovës do të jetë një mundësi për atë parti që të “spastrohet nga kuadrot”, me punën e të cilëve populli serb dhe bashkësia ndërkombëtare ishin të pakënaqur.

Ai shtoi se po vjen “shpërbërja” e Listës Serbe dhe se përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Janjiq beson se Lista Serbe do të kthehet në Qeverinë e  Kosovës, “që do të jetë një shuplakë e madhe për gjithçka që Vuçiq ka bërë dhe ka thënë muajin e fundit”.

“Vuçiq nuk arriti të krijojë një vakum institucional në Kosovë. Tani ai duhet t’i kthejë serbët në institucione për të shmangur zgjedhjet lokale në veri”, beson Janjiq.

Ai pohon se Beogradi “shtiu me top në mushkonja”.

“Reagimi ndaj provokimit të Albin Kurtit për masën e reciprocitetit për targat ishte i ashpër. Beogradi i tërhoqi serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës, madje edhe nga policia. Është e qartë se anëtarët e QUINT-it i bënë presion Kurtit që ta shtyjë zbatimin e vendimeve në veri të Kosovës dhe ndaj Vuçiqit që serbët të kthehen në institucione”, tha Janjiq.

Sipas tij, lajmi i vetëm i mirë nga Kosova është se në këtë moment asnjëra palë nuk ka fuqi të shkaktojë trazira.

“Lajmi i keq është se ka rënë integriteti negociues i Serbisë, pas vendimit për largim nga institucionet”, ka përfunduar Janjiq.

Anëtarët e rinj të Listës Serbe kanë bërë betimin sot në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/