Kryeministrja franceze ofron dorëheqjen, Macroni ia refuzon

Kryeministrja franceze ofron dorëheqjen, Macroni ia refuzon

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka refuzuar dorëheqjen e ofruar nga kryeministrja që ai e emëroi, duke thënë se “qeveria duhet të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë”.

Elisabeth Borne u kritikua, pasi koalicioni i Macronit humbi shumicën parlamentare të dielën, raportoi BBC-ja të martën.

E ardhmja e saj dukej e kërcënuar pas rezultatit, gjë që e shtyri presidentin të kërkonte mbështetje nga rivalët.

Ai do të takohet gjatë ditës së martë dhe të mërkurën me kundërshtarët e tij politikë për bisedime.

Por as e djathta ekstreme e Marine Le Pen dhe as aleanca e majtë-jeshile e Jean-Luc Mélenchon nuk janë të prira të punojnë me qeverinë e qendrës të Macronit. Koalicionit rreth Macronit i duhen edhe 44 vota në parlament për të siguruar shumicën dhe për të shmangur paralizën politike.

Pallati Élysée tha se Borne ofroi zyrtarisht të jepte dorëheqjen të martën në mëngjes, duke i dorëzuar një letër kreut të shtetit, Macron, i cili e hodhi poshtë atë.

“Macron refuzoi ofertën në mënyrë që qeveria të mund të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë”, thuhet në njoftimin e Pallatit Élysée. Në njoftim thuhet se duhet “zgjidhje konstruktive” për t’i dhënë fund bllokimit që kërcënon agjendën e tij gjatë mandatit të tij të dytë.

Është traditë që kryeministri francez të ofrojë dorëheqjen pas zgjedhjeve parlamentare. Shpesh, presidenti thjesht riemëron të njëjtin person në mënyrë që ai ose ajo të mund të fillojë ndërtimin e një qeverie të re.

Por situata është ndryshe këtë herë, pasi Macroni po i thotë Bornes të qëndrojë në detyrë me të njëjtin kabinet pa dhënë dorëheqjen. Analistët vlerësojnë se kjo është një përpjekje për të blerë kohë duke shtuar se në një moment, do të formohet një qeveri e re, e cila mund të ketë ose jo Bornen në krye të saj.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive kanë konfirmuar se do ta vizitojnë Pallatin Elysee për bisedime të nivelit të lartë të martën dhe të mërkurën.

Analistët thonë se presidenti mund të shikojë një marrëveshje me republikanët e krahut të djathtë. Partia konfirmoi se udhëheqësi i saj, Christian Jacob, do të merrte pjesë në bisedime.