Kryeministri Rama reagon mbi vendimin për mbylljen e kolegjit të lidhur me FETO-n

Kryeministri Rama reagon mbi vendimin për mbylljen e kolegjit të lidhur me FETO-n

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me vendimin, Rama ka theksuar se nuk ka “asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë”.

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni. S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë. Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e licencës”, ka shkruar Rama.

Rama ka shtuar se “përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”.

Në lidhje me vendimin, gjatë ditës së sotme reagoi edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, e cila theksoi se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

Më 22 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”, pjesë e Fondacionit Gülistan, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO.

Gjithashtu autoritetet në Shqipëri disa ditë më parë kanë vendosur për mbylljen e veprimtarisë edhe të institucionit arsimor privat, kopshtit “Zubeyde Hanim” në Tiranë, që është pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”, e lidhur me organizatën terroriste FETO, për shkak të konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi, që përbëjnë mosplotësim të kushteve të licencimit.