Kryeministri Rama: Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë

Kryeministri Rama: Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka konfirmuar se një tjetër sulm kibernetik, sipas tij nga të njëjtët agresorë, duke nënkuptuar Iranin, është kryer ndaj Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se “Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS. Ndërkohë vazhdojmë, punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”.

Sistemi i Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS) është një sistem online që verifikon dhe administron hyrje-daljet në pikat kufitare të Shqipërisë.

Ndërkohë, gjatë orëve të fundit, në disa pika të kalimit kufitar të Shqipërisë ka patur probleme të funksionimit të sistemit TIMS.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti, sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë mbylli përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare, për t’i rikthyer përsëri në funksion.

Sipas institucioneve të Shqipërisë, detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

Në lidhje me këtë sulm kibernetik, më 7 shtator Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje “ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”.

Në lidhje me këtë vendim, kryeministri i Shqipërisë, theksoi se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.