Kriza energjetike, test për “dashurinë” e BE-së ndaj Ballkanit

Kriza energjetike, test për “dashurinë” e BE-së ndaj Ballkanit

Konfliktet e dekadës së fundit të shekullit XX, në shtetet e ish-Jugosllavisë, e dëmtuan pjesën më të madhe të infrastrukturës energjetike dhe e komplikuan furnizimin e sigurt, stabil dhe të besueshëm me energji. Edhe para luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike që pasoi, Ballkani Perëndimor përballej me sfida të rëndësishme energjetike.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor gjenden tanimë brenda një krize të rëndë energjetike. Përderisa vendet anëtare të BE-së përpiqen të grumbullojnë furnizime me energji për dimrin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut dhe, sidomos, Kosova – qysh para fillimit të dimrit – po duket se ngecin shumë pas dhe kjo shihet nga fakti se në ditët e para të sezonit të ngrohjes shtëpitë e qytetarëve të Shkupit dhe Prishtinës ishin të ftohta, bile edhe qytete të tëra kishin kufizime të furnizimit të rrymës! Që të jetë gjendja më alarmante, tërë kjo po ndodh në fillim të muajit tetor, shumë para dimrit, kur kërkesat për furnizim me energji do të jenë shumë herë më të mëdha!

Me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022, problemi i energjisë për Ballkanin Perëndimor mori një dimension dhe përshkallëzim të ri. Perëndimi, duke reaguar ndaj agresionit rus, vendosi sanksione të ashpra kundër regjimit të Kremlinit. Ndonëse të arsyeshme në kontekstin gjeopolitik dhe moral, këto sanksione krijuan kundërpërgjigje të menjëhershme të Kremlinit dhe efekt “bumerangu“ që solli në një krizë energjetike në Europë.

Dimrin e kaluar, varësia e disa shteteve të BE-së (sidomos Gjermanisë) nga gazi rus shkonte edhe deri te një e treta e sasive të përgjithshme të gazit. Për shkak të kësaj varësie, Moska e përdori “kartën e energjisë” kundër Perëndimit dhe pezulloi rrjedhën e gazit natyror në vendet e Europës Perëndimore dhe ato të Europës Qendrore. Ajo e ndërpreu fluksin e gazit natyror për vendet që refuzojnë të paguajnë me rubla dhe, po ashtu si pjesë e kundërpërgjigjes së saj, zbatoi një sërë kufizimesh kuantitative të shitjes së gazit. Për shembull, në një moment Moska njoftoi se sasitë që transportohen nëpërmjet tubacionit “Nord Stream” do të pezulloheshin për shkak të “riparimit të sistemeve”. Si rezultat i këtyre veprimeve perëndimore dhe kundërveprimeve ruse, vendet europiane, të cilat filluan të marrin masa kundër problemit të energjisë, filluan ta rrisin çmimet e energjisë.

Konfliktet e dekadës së fundit të shekullit XX, në shtetet e ish-Jugosllavisë, e dëmtuan pjesën më të madhe të infrastrukturës energjetike dhe e komplikuan furnizimin e sigurt, stabil dhe të besueshëm me energji. Edhe para luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike që pasoi, Ballkani Perëndimor përballej me sfida të rëndësishme energjetike. Sistemet e energjisë elektrike në shumë pjesë të rajonit janë të brishta dhe kanë nevojë për modernizim dhe investime. Në kushte kur energjia ishte një nga targetet kryesore të oligarkive të korruptuara të shteteve tona ballkanike (sepse nëpërmjet tyre fitoheshin më së shumti para!), s’do mend se sistemi energjetik i Ballkanit Perëndimor sot është në situatë shumë më të rëndë sesa në vitet e ‘90-ta!

Për ta luftuar këtë gjendje, Perëndimi dhe BE-ja, në dy dekada e fundit, kishin për synim ta reformonin sistemin energjetik në Ballkan. Në këtë rrafsh, prioritet në gjithë rajonin tonë ishte vendosja e institucioneve, infrastrukturës dhe politikave që mund ta mbështesin ofrimin e energjisë së besueshme, të përballueshme dhe të qëndrueshme. Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, një element kyç i përpjekjes për reforma të mbështetura nga Perëndimi e, sidomos, nga BE-ja, ishte “Traktati i Komunitetit të Energjisë” – një kuadër rregullator dhe kornizë tregu energjetik i përbashkët me BE-në dhe ndërmjet vetë vendeve të rajonit, nëpërmjet të të cilit i gjithë rajoni do duhej të marrë pjesë qysh nga viti 2005. Në shikim të parë, krijimi i ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor me fatin energjetik të Europës mund të shihet si një nga shtyllat më konkrete të ndërlidhjes së rajonit me Europën, por siç ishte rasti edhe me projektet e tjera “ambicioze” të BE-së për Ballkan, 15 vitet e fundit ishin zhgënjyese. Prandaj, sot, Ballkani Perëndimor është në situatë akoma më të vështirë sesa vetë BE-ja.

Duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe politike në Ballkanin Perëndimor, pasojat e krizës me energjinë në Europë po ndjehen më shumë sesa në vetë Bashkimin Europian. Ballkani është një korridor gjeografik ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, ka rëndësi gjeopolitike dhe gjeostrategjike, si dhe luan gjithashtu një rol kritik në sigurinë energjetike. Megjithatë, ndërprerjet e energjisë elektrike, të përjetuara në gjithë rajonin, veçanërisht në muajt e dimrit, që nga viti 2021 deri në verën vitit 2022, zbulojnë se kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor është duke eskaluar.

Me një analizë të strukturës së furnizimit me energji të vendeve të rajonit, shihet se vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina përdorin qymyr dhe janë kryesisht të varura nga Rusia për furnizimin me gaz natyror. Maqedonia e Veriut shpalli gjendje emergjente në fushën e energjisë në gusht të vitit 2022, ndërsa deklarata e Kosovës se ka zbatuar masa emergjente për të siguruar furnizimin me energji elektrike mund të interpretohet si një tregues i përhapjes së krizës në të gjithë rajonin. Krahas këtyre, Serbia, e cila parashikon se edhe pse ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë, do të vuajë edhe nga kjo krizë, në gusht të vitit 2022 njoftoi se nuk ka furnizim të mjaftueshëm me qymyr dhe deklaroi se dimri që po afrohet është plot pasiguri. Në Mal të Zi, kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, deklaroi se vendi importon energji elektrike dhe kostoja e kësaj është një barrë e padurueshme për Malin e Zi me krizën energjetike. Ai theksoi se nuk është i sigurt se sa do të zgjasë ekonomia e Malit të Zi.

Reflektimet e krizës energjetike, të përjetuar në Europë, janë shfaqur edhe më herët në Ballkan. Duke marrë parasysh ekonomitë e brishta të vendeve të rajonit, kjo krizë do të ketë pasoja të rënda ekonomike në tërë Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, pasojat ekonomike do ta rrezikojnë stabilitetin politik të shteteve në rajon. Kjo do të ketë pasoja afatgjate politike të rënda jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Europën.

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, duke tërhequr vëmendjen për afërsinë e Ballkanit me Europën, thekoi rolin e rajonit në fushën e energjisë, duke deklaruar se përfundimi i monopolit energjetik të Rusisë dhe diversifikimi energjetik është i rëndësisë jetike për vetë sigurinë energjetike të BE-së. Në këtë kontekst, do të ishte e logjikshme të pritet që BE-ja t’i përshpejtojë nismat e saj për të garantuar sigurinë energjetike dhe për të udhëhequr vendet e rajonit që të punojnë më shumë së bashku.

Që shtetet e Ballkanit Perëndimor vërtet të bëhen të siguruara nga aspekti energjetik, atyre do t’u duhet ndihmë qenësore nga BE-ja! Por, si gjithmonë, nga premtimet për ndihmë deri te realizimi i ndihmës qëndron një mal i tërë!

Prandaj, në ditët dhe javët të vijojnë, duket se do të vijë një test i vërtetë për Perëndimin edhe Euopën, një test që do ta definojë rrugën e ardhshme të Ballkanit brenda apo jashtë BE-së, por edhe atë të Europës, brenda apo jashtë Ballkanit. Ndërkaq ky test do të jetë shumë i thjeshtë: a do ta ndihmojë BE-ja dhe Perëndimi qytetarin e Maqedonisë së Veriut, Bosnjës e Kosovës ta përballojë këtë dimër aq sa e ndihmon qytetarin e Kroacisë, Hungarisë dhe Rumanisë?