Kriza energjetike, shantazhi rus dhe zgjimi i Europës

Kriza energjetike, shantazhi rus dhe zgjimi i Europës

Nëse procedohet me këtë zhvillim ngjarjesh, më këtë sfond të zymtë të paralajmëruar që me aneksimin e Krimesë, mund të nëpërduket esenca e krizës energjetike në vendet e Europës, që vjen si pasojë e një kundërvënie ndaj doktrinës agresive ruse, e cila në rastin e Ukrainës e shfaqi fytyrën e vetë të vërtetë. Kjo krizë vjen si rezultat i një vetëdijesimi të vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera demokratike për t’iu kundërvënë shantazhit rus për t’u pajtuar me faktin e kryer të agresionit mbi Ukrainën në këmbim të një “normaliteti” energjetik të paravendosur si varësi dhe si një situatë pa rrugëdalje. Europa i tha jo këtij shantazhi dogmatik dhe tipik për Rusinë e Putinit.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

As që mund të mendohej që Europa, si një ndër ekonomitë më të fuqishme në glob, do të debatonte për mungesë energjie elektrike të mundshme gjatë këtij dimri. Por, skenarët për një mungesë të energjisë tashmë janë shpërfaqur nga përfaqësues të lartë europianë, të cilët në të njëjtën kohë kanë bërë thirrje për një kursim të energjisë elektrike, por edhe për një vetëdijesim për qytetarët e shteteve europiane për ta kuptuar situatën reale të mungesës së furnizimit me energji elektrike dhe një kthim prapa në kohë, në kufizime, gjegjësisht në ditë të ftohta dimri, që shkojnë përtej mirëqenies së garantuar të shteteve të BE-së për qytetarët e saj.
Debati për një dimër me shumë sfida të energjisë në Europë tashmë po vazhdon, ndërkohë që nuk ka një pajtim dhe harmonizim të plotë mes shteteve të unionit për sa i përket planit për furnizim me energji elektrike. Së fundmi, Gjermania, si një ndër ekonomitë më të forta, ka ngritur alarmin e kësaj mungese të energjisë elektrike. Përfaqësues të lartë qeveritarë, por edhe shoqata të ndryshme, kanë bërë thirrje për një vetëdijesim më të lartë të qytetarëve për një kufizim të mundshëm të energjisë elektrike, gjegjësisht për një skenar real mungese. Pikërisht për të shmangur këtë mungesë, Gjermania tashmë po shqyrton aspektin ligjor për të mbajtur në funksion tri centralet bërthamore, të cilat sipas një vendimi të mëhershëm duhej të mbylleshin deri në fund të këtij viti. Kancelari gjerman, Shulc, ka bërë të ditur se për shkak të mungesës së mundshme gjatë këtij dimri këto centrale do të funksionojnë deri në prill të vitit të ardhshëm.
Gati të gjitha shtetet e BE-së po përgatiten për skenarët më të zymtë për sa i takon furnizimit me energji elektrike, ndërkohë që në nivel europian po shqyrtojnë në vazhdimësi harmonizimin e një plani që do t’i jepte përgjigje mungesës së energjisë elektrike.
Kjo është pamja e zymtë e ballafaqimit të BE-së me mungesën e energjisë elektrike, me shumë ngërçe dhe me shumë pasiguri. Por, gjeneza e gjithë këtij problemi ndërlidhet me agresionin rus në Ukrainë, me sanksionet europiane ndaj Rusisë, për shkak të këtij agresioni të pakuptimtë, si dhe për shkak të ndalesës së furnizimit me gaz nga ana e Rusisë. Dhe, gjithë kjo situatë nuk mund të shihet si puro ekonomike ose energjetike, sepse sfondi duket shumë më i komplikuar dhe ka një trajektore raportesh të ngatërruara Rusi-BE, gjegjësisht varësie energjetike që në periudhën e kaluar e kishte vendosur Europa me sistemin energjetik të Rusisë së Putinit. Pikërisht, kjo varësi, që tashmë po theksohet edhe nga ekspertë europianë, e ka vendosur ndërkohë Europën në një gjendje alarmi dhe vetëdijesimi pas sulmit rus në Ukrainë. Në fakt, kjo situatë prodhohet nga një përplasje e dy mendësive, asaj autoritare, të ngritur gradualisht me synime agresive, dhe asaj demokratike paksa “naive”, që e kishte reduktuar këtë raport në çështje thjesht ekonomike dhe energjetike.
Siç dihet tashmë dhe siç është theksuar edhe nga shumë ekspertë, perandoria autoritare e Putinit, ishte ngritur pikërisht me fitimet nga gazi, gjegjësisht nga furnizimi me gaz i Europës. Miliarda dollarë të kësaj perandorie autoritare kanë pasur për burim pikërisht kapacitet e furnizimit me gaz. Dhe, sigurisht, ky forcim i kësaj perandorie autoritare, në esencë, nuk e kishte vetëm dimensionin ekonomik, por edhe një synim tjetër që u shpërfaq me sulmin në Ukrainë, kur në fakt në një farë mënyrë u godit dhe u trondit gjithë sistemi i vlerave europiane.
Kriza energjetike në Europë, por edhe më gjerë, ngërthen një destabilitet global, një tronditje të thellë të atij “normaliteti” të brishtë të vendosur mes vendeve demokratike, siç janë vendet europiane dhe një sistemi autoritar agresiv, siç është rasti me Rusinë e Putinit. Kjo krizë përshkohet nga një shndërrim dramatik raportesh që në esencë përplas dy botë, përplas dy sisteme të të menduarit, dy hemisfera: botës demokratike perëndimore dhe dogmës autoritare agresive të presidentit rus, Vladimir Putin. Agresioni rus në Ukrainë e shpërfaqi në formën më brutale pikërisht këtë “brishtësi” raportesh mes dy botëve, mes dy sistemeve.
Agresioni rus në Ukrainë ka në sfond edhe një logjikë tjetër, një perceptim të Putinit se vendet europiane do të qëndronin të heshtura ose do të taktizonin për shkak të varësisë nga gazi, ndërkohë që ai dhe makineria e tij e luftës do ta pushtonin “rehatshëm” Ukrainën. Në fakt, ky ishte një sulm brutal edhe ndaj Europës, ndaj gjithë sistemit të vlerave që përfaqësonte. Por, mbase si asnjëherë më parë, vendet e Europës dhe SHBA-të e kishin lexuar këtë kartë të Putinit, ndërkohë që njëzëri e kishin dënuar këtë agresion dhe tendencën për të shtrirë një lloj autoritarizmi pa rrugëdalje në gjithë Europën. Europa ishte zgjuar nga gjumi “naiv” i perceptimit të raporteve me Rusinë si me një shtet normal, ndërkohë që në esencë tendenca ishte një destabilizim i gjithë Europës, sikundër që po ndodh tashmë me punën e furnizimit me gaz, kësaj varësie që po i kushton shtrenjtë Europës.
Nëse procedohet me këtë zhvillim ngjarjesh, më këtë sfond të zymtë të paralajmëruar që me aneksimin e Krimesë, mund të nëpërduket esenca e krizës energjetike në vendet e Europës, që vjen si pasojë e një kundërvënie ndaj doktrinës agresive ruse, e cila në rastin e Ukrainës e shfaqi fytyrën e vetë të vërtetë. Kjo krizë vjen si rezultat i një vetëdijesimi të vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera demokratike për t’iu kundërvënë shantazhit rus për t’u pajtuar me faktin e kryer të agresionit mbi Ukrainën në këmbim të një “normaliteti” energjetik të paravendosur si varësi dhe si një situatë pa rrugëdalje. Europa i tha jo këtij shantazhi dogmatik dhe tipik për Rusinë e Putinit, ndërkohë që shfaqi gatishmëri që të përballet me krizën energjetike që tashmë po dukej në horizont. Së këndejmi, kriza energjetike vjen si pasojë e përplasjes së dy botëkuptimeve që tashmë nuk mund të “bashkëjetonin” në një normalitet varësie shantazhi.
Dhe, kjo kundërvënie tashmë është e qartë dhe e vendosur, sikundër që mbetet e qartë që kjo krizë energjetike do të zgjasë dhe mund të jetë edhe shumë më dramatike për BE-në dhe, bashkë me këtë, edhe për vendet e rajonit tonë me ekonomi dhe me kapacitete të brishta ekonomike. Kjo krizë ekonomike prodhohet nga një tronditje e thellë, por edhe nga një vetëdijesim gjithashtu i thellë i vendeve të BE-së dhe më gjerë për të mos bërë asnjë lloj kompromisi me varësi energjetike prapa të cilave qëndrojnë dogma autoritare që janë në kundërshtim me vlerat e gjithmbarshme njerëzore, të cilat i përfaqëson bota demokratike perëndimore.
Europa duket se tashmë mbetet e përkushtuar në këtë rezistencë ndaj varësisë, sikundër që mbetet e përkushtuar për t’i mbrojtur vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe kodeve ndërkombëtare që garantojnë sovranitet për popujt dhe moscenim. Kriza energjetike është reale, por vendosmëria për të gjetur zgjidhje jashtë furnizimeve ruse me gaz dhe energji gjithashtu mbetet e padiskutueshme për vendet perëndimore.