` . Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit - TV SHENJA

Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit

Më 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se Covid-19 mund të cilësohet si pandemi globale. Kjo pandemi pa dyshim që e atakoi më së shumti sektorin e ekonomisë, pasi atij të shëndetësisë, gjegjësisht çështjeve shëndetësore, dhe sfidoi ekonomistët më të shquar të përmasave globale, duke vënë në pah kështu teoritë, analizat, rekomandimet dhe veprimet e spektrit ekonomik. Kjo pandemi i “gjunjëzoi” kompanitë më gjigante ekonomike në nivel botëror, duke ndikuar kështu dhe në shkurtimin e vendeve të punës dhe mbylljen e shumë pikave shitëse.

Shkruan: Albulena MAVRAJ, Prishtinë

Në tremujorin e parë të vitit 2020-të, që në planin kontabël njihet si (TM1), përkatësisht në muajin shkurt, kriza e pandemisë Covid-19 sapo kishte filluar duke paralajmëruar për rreziqet që i kanosen botës dhe ekonomisë globale. Lajmet dhe kryeartikujt në të gjitha mediet e nivelit planetar dominoheshin me problematikën e koronavirusit, së pari në provincën Hubei dhe qytetin Wuhan të Kinës, e që pastaj ky virus shumë shpejt mori përmasat globale. E pos numrit të infektuarave dhe vdekjeve të përditshme, hapësirë të madhe në ballinat e medieve botërore kishte dhe aspekti ekonomik, rrjedhimisht mundësia e shpërthimit të krizës globale financiare, shqetësimet për mbyllje kufijsh dhe bllokim të tregtisë së jashtme, si dhe mbyllja e vendeve të punës dhe rritja e varfërisë.

Ndërkaq, më 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se Covid-19 mund të cilësohet si pandemi globale. Kjo pandemi pa dyshim që e atakoi më së shumti sektorin e ekonomisë, pasi atij të shëndetësisë, gjegjësisht çështjeve shëndetësore, dhe sfidoi ekonomistët më të shquar të përmasave globale, duke vënë në pah kështu teoritë, analizat, rekomandimet dhe veprimet e spektrit ekonomik. Kjo pandemi i “gjunjëzoi” kompanitë më gjigante ekonomike në nivel botëror, duke ndikuar kështu dhe në shkurtimin e vendeve të punës dhe mbylljen e shumë pikave shitëse.

Prandaj, shkurtimisht do të shifrojmë humbjet e vendeve të punës për disa kompani gjigante, duke filluar nga industritë e automobilave, kompanitë ajrore, teknologjike, mediet sociale, si dhe kompanitë e modës. Fillimisht, prodhuesi gjerman i automobilave “BMW” njoftoi se do të shkurtojë 6.000 vende pune përmes kualifikimit shtesë dhe pensionimit të parakohshëm, pasi që industria e automobilave pësoi një rënie drastike të kërkesës për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Njëlloj edhe prodhuesi britanik i veturave luksoze “Bentley” njoftoi për shkurtimin e 1.000 vendeve të punës për shkak të uljes së aktivitetit prodhues si pasojë e pandemisë.

Njoftim për planifikim të mbylljes së 22.000 vendeve të punës kishte edhe nga kompania gjermane ajrore, “Lufthansa”. Po ashtu, pandemia ka ndikuar që edhe tek firma e famshme e rrobave dhe aksesorëve “Zara” që të mbyllë 1.200 dyqane nga 7.000 sa zotëron. Po ashtu edhe marka e veshjeve të brendshme “Victoria Secret” njoftoi se do të mbyllë 250 dyqane në SHBA dhe Kanada. As faqja më e madhe e rrjetit profesional “LinkedIn” s’qëndroi imune ndaj pandemisë, pasi shefi ekzekutiv i “LinkedIn” bëri të ditur se do shkurtojë rreth 960 vende pune ose rreth 6% prej të punësuarve.

Pandemia, pos efekteve megalomane në aksin ekonomi, i vuri në dyshim edhe teoritë dhe shkollat e para ekonomike të emrave më të shquar të ekonomisë, si Adam Smith, Robert Mathaus, David Ricardo, John Maynard Keyne, Karl Marks, Hecher-Ohlin etj. në aksin se a duhet të ndërhyjë shteti në ekonomi apo jo, a duhet të rihapen kufijtë, apo zbehet globalizmi, pasi tregtia ndërkombëtare u kufizua apo a duhet që vendet të kufizohen në avantazhet krahasuese në mënyrë që t’ia dalin?

Dy ditë pasi OBSH-ja e shpalli koronavirusin pandemi, në Kosovë u konfirmuan dy rastet e para me Covid-19, gjë që bëri të menjëhershëm reagimin qeveritar në aspektin e karantinimit, por jo dhe të ndihmës ekonomike, gjegjësisht ofrimit të ndihmës në aspektin praktik.

Në saje të pandemisë u vendosën në karantinë komunat e para, Klina dhe Vitia. Po ashtu u suspendua trafiku ndër-urban dhe ndërkombëtar, u mbyllën kafenetë, baret, restorantet, qendrat tregtare, aktivitetet sportive dhe kulturore, institucionet publike e reduktuan stafin në listën e personave esencial dhe ato privatë, të cilët u urdhëruan ta organizojnë punën nga shtëpia. Tërë kjo bëri që sektori privat të sfidohej nga kriza e falimentimit, pasi u pezullua shitja dhe ra kërkesa për çdo produkt joesenciale, duke ndikuar kështu që të punësuarit në këta sektorë mos t’i marrin pagat e plota ose edhe t’i humbin vendet e tyre të punës.

Ndonëse askush s’ia di fundin këtij kërcënimi planetar nga pandemia dhe akoma mbetet dilema “dekadent”, se kur do t’i vije fundi, u pa nevoja që shteti të kujdeset për ekonominë dhe mirëqenien sociale, gjë që riktheu edhe nevojën e intervenimit të “dorës së shtetit” në ekonomi.

Nga fillimi i pandemisë, e që fatkeqësisht vazhdon, kryetemat ekonomike vazhdojnë të jenë: “sektori privat pranë falimentimit”, “kërkohet ndihma për mëkëmbjen ekonomike”, “punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të mos i marrin pagat e plota”, si dhe “rrezikohen vende të punës”.

Prandaj u pa e nevojshme që shteti të vihet në aksion dhe “dora e shtetit” të bëhet e dukshme. Andaj ministri i atëhershëm i Financave, Besnik Bislimi, doli me propozim për Pakon Emergjente Fiskale Covid-19. Mirëpo, edhe pse fillimisht u mendua që kjo pako solide për sektorin privat do të ishte një shtytje për ta vazhduar më tutje veprimtarinë afariste, doli e kundërta, pasi në Kosovë kishim ndërrim qeverish dhe, rrjedhimisht, vonesë të skajshme të zbatimit të kësaj pakoje, ngase kishte kalim kompetencash nga ministri i Financave, Besnik Bislimi i LVV-së, tek Hykmete Bajrami e LDK-së, gjë që ndikoi në prolongimin e kësaj pako, e që për pasojë edhe në ditët e sotme përballemi me moskëndelljen dhe mosveprimin e institucioneve karshi sektorit privat. Shto këtu faktin se kompensimi për mungesën e pagave të plota në këtë sektor nga ana e shtetit është bërë vetëm një herë në shumën prej 170 eurosh edhe pse Qeveria e Kosovës e kishte përgatitur pakon e parë emergjente dy javë pas fillimit të masave kufizuese, edhe atë në vlerën e 190 milionë eurove, e cila e përkthyer në terma krahasues është ekuivalente me 10% të të hyrave të përgjithshme buxhetore. Mirëpo, pos shumës prej 170 eurosh, s’është paguar as pjesa e premtuar për lehtësimin e pagesave të qirave për bizneset e sektorit privat.

E, duke u përballur me këto vështirësi në aksin mikro, u shfaq nevoja e pezullimit të kredive nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës, si “bankë e bankave”, shkas ose analogji kjo e marrë nga Shqipëria dhe, rrjedhimisht, u kërkua që të hartohej një strategji me anë të së cilës Bankat Komerciale do t’u mundësonin klientëve pezullimin e kredive. Në këtë aspekt pati reflektim të BQK-së, edhe pse ishte mundësuar pezullimi vetëm për kredimarrësit me vështirësi financiare.

Kur jemi të ndryshimet, natyrshëm të vjen në mendje thënia e Steven Jobs-it se: “Njerëzit që janë aq të çmendur, sa të mendojnë se mund ta ndryshojnë botën, janë ata që bëjnë ndryshime”, e që fatkeqësisht s’na doli asnjë i “çmendur” dhe as “ata që bëjnë ndryshime” deri më tani në arenën ekonomike vendore.

Tek tani, kur kanë kaluar pesë muaj që nga rastet e para pozitive në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti, ka aprovuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike – Covid-19, qëllimi i të cilit është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia. Ky aprovim me plotkuptimin e fjalës mund të konsiderohet tepër i vonuar për rimëkëmbjen ekonomike dhe mirëqenie e punëtoreve të sektorit privat. Me këtë rast, po ashtu, do të plotësohen dhe ndryshohen edhe ligjet e tjera, si: Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore; Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës; Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale; Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë; Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave; Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; dhe Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Këto ligje janë të inkoproruara në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike – COVID-19. Ndërsa ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021, kurse pas kësaj date të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike. Data e 31.12.21 lë për të dëshiruar, pasi kriza vazhdon dhe askush s’mund ta vlerësojë fundin e saj dhe kthimin në normalitet, e që gjithsesi s’pritet të jetë normaliteti i kohës përpara krizës. Pasojat e pandemisë, si në arene globale, ashtu dhe tek ne, do të jenë të mëdha dhe e ardhmja i përket enigmës. Prandaj çdo datë e specifikuar mund të konsiderohet e nxituar, aq më shumë kur dihet edhe fakti se sa të vonuar jemi përballë implementimit të pakos emergjente.

Përderisa vendet e rajonit e kanë implementuar edhe pakon e tretë emergjente, me plotkuptimin e fjalës mund të themi se institucionet e Kosovës u vonuan në dhënien e infuzionit ekonomik dhe se kjo vonesë do të na kushtojnë me mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, mungesë të investimeve të huaja, si dhe ikje masive të të rinjve nga Kosova.