Krimi – pa ndëshkim, viktima – pa rehabilitim!

Krimi – pa ndëshkim, viktima – pa rehabilitim!

Në vitin 2005, Shoqata e ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, ngriti një nismë për miratimin e Ligjit për zhdëmtimin e viktimave të komunizmit, të cilët gjatë periudhës 1944 – 1991, kanë qenë viktima të ish-sistemit komunist jugosllav. Sot e kësaj dite, kjo nismë nuk ka asnjë epilog! Paramendoni, ky propozim-ligj nuk është nxjerrë as për shqyrtim në Komision Parlamentar! Ndërsa, që në vitin 2000, VMRO-istët në Maqedoni miratuan një ligj të veçantë, sipas të cilit u zhdëmtuan të gjithë të burgosurit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë maqedonas…

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë 

Me afër 100 milionë viktima në mbarë botën, komunizmi paraqet një nga sistemet më gjenocidiale shtetërore që ka njohur njerëzimi që nga gjeneza e tij. I ardhur në emër të lirisë e demokracisë “së munguar”, ky sistem politik institucionalizoi një mendësi të re dhune, vrasjeje, shfarosjeje, presioni, internimi, persekutimi, margjinalizimi dhe viktimizimi të njeriut deri në pakuptimësi. Udhëheqësit komunistë, që e shtrinë fuqinë e tyre në më tepër se gjysmën e botës gjatë shekullit XX, pra që nga Revolucioni Rus i Tetorit (1917) e deri në rënien e Murit të Berlinit (1989), i shkaktuan trauma të paimagjinueshme njerëzimit, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i vuajnë pasardhësit e familjeve që pësuan.

Komunizmi e dehumanizoi njeriun, duke e ngritur kultin e liderit partiak në nivele të paprekshme, deri në rang hyjnish, dhe duke krijuar individë në shoqëri me mendësi monstrumësh, të cilët në emër të partisë-shtet, ishin në gjendje që gjakftohtësisht ta viktimizojnë edhe njeriun më të afërt të gjakut ose edhe atë me të cilin ndanin shtratin! Rikujtojmë se me hapjen e dosjeve politike dhe policore vite më parë u bë një llakërdi e vërtetë me drama familjare, ku vëllai kishte spiunuar vëllain, gruaja burrin.

 

Mungesa e gjykatës ndërkombëtare për krimet e komunizmit

 

Në të vërtetë, me hapjen e dosjeve dhe arkivave, krimet e komunizmit janë evidentuar dhe studiuar deri diku mjaftueshëm në këto 30 vjetët e fundit në mbarë botën, por çuditërisht, kryerësit gati se asnjëherë nuk kanë marrë dënimin e merituar në formë institucionale, ashtu siç i përligji krimet e veta sistemi komunist. Ndërrimi i sistemit në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar u shoqërua me trazira në shumë shtete të ish-bllokut komunist, por ato u tejkaluan shpejt përmes konvertimit të politikanëve nga e majta në të djathtën, nga ikja masive e trurit të shoqërisë jashtë vendit për arsye ekonomike dhe nga shpresa e një pjese të idealistëve se do të vinin ditë më të mira, për çka do të amnistohej e kaluara. Nëse e veçojmë gjyqin e shpejt kombëtar rumun në dënimin me vdekje – pushkatim të presidentit Nikolae Çaushesku disa ditë para Vitit të Ri 1990, në vendet e tjera tranzicioni i pushtetit ishte i pasikletshëm për elitat diktatoriale. Problemi është se në plan ndërkombëtar nuk pati asnjë organizim serioz të organeve të drejtësisë, për të gjykuar kriminelët që vranë mizorisht miliona njerëz të pafajshëm dhe gjunjëzuan popujt e tyre deri në skllavëri të skajshme.

Menjëherë pas mbarimit të Luftë së Dytë Botërore, u ngrit Gjyqi i Nyrembergut për dënimin e krimeve të nazizmit sipas Ligjit ndërkombëtar dhe ligjeve të luftës. Edhe pas luftërave në ish-Jugosllavi në vitet e 90’ta të shekullit XX u ngrit Gjyqi i Hagës për dënimin e kriminelëve të luftës. Madje, një Gjykatë Speciale (edhe tani mjaft aktuale) u ngrit edhe për gjykimin e Luftës së UÇK-së në Kosovë, por – për habi – asnjëherë nuk u ngrit një Gjyq Ndërkombëtar për Krimet e Komunizmit! Disa nisma të shteteve demokratike europiane për ngritjen e një gjyqi të tipit “Nyremberg 2”, kanë dështuar pikërisht nga shkaku i sabotimeve të pasardhësve të atyre kriminelëve që brenda natës ndryshuan fanellat partiake dhe përsëri u bënë pjesë e pushteteve. Duke qenë bijtë e kriminelëve komunistë bartës të funksioneve të larta shtetërore në shoqëritë e reja demokratike, ata pamundësuan jo vetëm se dënimin e krimeve të komunizmit, por pamundësuan edhe dëmshpërblimin apo rehabilitimin e viktimave të atij regjimi pervers kriminal. Kjo gjendje u reflektua në të gjitha shtetet europiane e ballkanike, të cilët për afër pesë dekada vuajtën si është më së keqi draprin e çekanin mbi kokë.

Gjithçka që u bë si një formë distancomi nga regjimi komunist ishte votimi i disa rezolutave në Parlamentin Europian dhe në parlamentet e vendeve respektive. Por, asgjë konkrete nuk doli nga to dhe në asnjë mënyrë nuk u bë prerje e qartë mes dy sistemeve politike.

Enveristët në Shqipëri ende janë pjesë e të gjitha pushteteve ekzekutive, administrative, gjyqësore e mediatike. Njësoj edhe në vendet ish-jugosllave, ku titistët me vite të tëra ishin në majën e pushteteve. Logjikisht që ata nuk mund t’i dënonin ose njollosnin prindërit dhe paraardhësit e tyre për krimet e kryera. Dhe, kështu, duke mos pasur kriminelë të dënuar, nuk kishte mundësi praktike që të kishte edhe zhdëmtim për viktimat ose pasardhësit e tyre. Në këtë mënyrë, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jetojnë bashkë persekutorët dhe viktimat.

 

Ku mbeti Propozim-ligji për zhdëmtimin e viktimave të komunizmit në Maqedoni?

 

Në këtë rast, lexuesve të nderuar të revistës “Shenja”, dua t’ua rikujtoj dhe riaktualizoj një nismë të vitit 2005, të Shoqatës së ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, të drejtuar nga veprimtari Shpëtim Pollozhani, për të cilën nismë gazetarët e pavarur shqiptarë e kishin bërë punën e tyre si është më së miri, por fatkeqësisht jo edhe politika shqiptare. Bëhet fjalë për Propozim-ligjin e kësaj Shoqate për zhdëmtimin e viktimave të komunizmit, të cilët gjatë periudhës prej vitit 1944 e deri në vitin 1991, në forma të ndryshme kanë qenë viktima të ish-sistemit komunist jugosllav. Në këtë projekt-ligj përfshiheshin afër 24.000 shqiptarë të Maqedonisë, të ndarë në gjithsej dymbëdhjetë kategori, të cilët ishin persekutuar si reaksionarë, irredentistë, ballistë, monarkistë, informbyroistë, enveristë, e çka jo tjetër, dhe të cilët ishin dergjur me dhjetëra vite burgjeve të Goli Otokut, Nishit, Idrizovës, Kratovës, Sremit, e ku jo tjetër.

Për këtë propozim-ligj asokohe ishte biseduar me të gjitha partitë politike shqiptare, shoqata dhe subjekte tjera të interesit. Madje, ishin organizuar edhe protesta popullore me këto kërkesa legjitime. Por, shtrohet pyetja se ku ngeli fati i saj?! Pas kaq shumë vitesh, deri në ditët e sotme kjo nismë qëllimmirë nuk ka asnjë epilog! Paramendoni, këtë propozim-ligj, deputetët nuk e kanë nxjerrë as për shqyrtim në Komision Parlamentar! Kjo është për keqardhje!

Në anën tjetër, që në vitin 2000, VMRO-istët në Maqedoni miratuan një ligj të veçantë, sipas të cilit u zhdëmtuan të gjithë të burgosurit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë maqedonas, të cilët kishin luftuar për Maqedoninë demokratike. Ky kompensim u bë përmes dhënies së një shume mjaft joshëse të të hollave për torturat dhe periudhën e kaluar në burg për shkak të konfrontimeve ideologjike. Ku ishin asokohe deputetët patriotë shqiptarë, që nuk intervenuan që mos të ketë vendime të njëanshme njënacionale në një shtet të përbashkët?! Aq më tepër, kur partia shqiptare, që ishte në pushtet, në atë kohë mburrej për djathtizmin e saj të tejshfaqur, mburrej me figurat e NDSH-së dhe me kauzën antikomuniste.

Sa për informim, në Serbi – po ashtu – përmes një Ligji të veçantë është bërë barazimi mes partizanëve dhe çetnikëve, të cilët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kishin luftuar për qenësinë e shtetit serb. Ngjashëm kishin bërë forcat e djathta edhe në disa vende të tjera europiane e ballkanike pas çlirimit nga komunizmi. Por, ku mbetemi ne në këtë proces?! Jemi vonuar shumë, pa dyshim!

Shoqëria jonë një ditë e më parë duhet të distancohet qartësisht nga e kaluara komuniste, në mënyrë që ardhmërinë ta shohim me sy të kthjellët. Fëmijët tanë duhet të mësojnë në shkolla jo vetëm se për viktimat e komunizmit, por edhe për shkaktarët e vërtetë të atyre krimeve, të cilët duhet ta keni vendin e merituar në këndin e errët të historisë së njerëzimit.