Krimet, masakrat dhe mizoritë serbe e malazeze në Rugovë, Plavë e Guci

Krimet, masakrat dhe mizoritë serbe e malazeze në Rugovë, Plavë e Guci

Hoxhë Kadri Prishtina i shkruante Aqif Pashë Elbasanit se “Kosova fatkeqe me një milion shqiptarë po vuen lloj lloj mjerimesh nën sundimin barbar të Sllavëvet”. Përveç vrasjeve të pakontrolluara, plaçkitjeve të pasurisë e të bagëtisë, përdhunimeve të grave, vajzave e nënave shqiptare, ushtria pushtuese serbo-malazezë kërcënonte popullsinë shqiptare, sidomos ato të krahinave të Rugovës, Plavës, Gucisë e të Rozhajit, që nëse “nuk do të konvertoheshin në ortodoksë”, atëherë ata do të vriteshin të gjithë për një.

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Në prag të mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe krahinat lindore shqiptare u ripushtuan nga ushtria serbo-malazeze. Krahas kësaj, trupat ushtarake serbe e pushtuan edhe Dibrën e Poshtme, Lumën, Hasin, Gashin, Krasniqen, Nikajn, Merturin, Kelmendin dhe Thethin, krahina të cilat – sipas vendimeve të Konferencës së Londrës – i takonin shtetit shqiptar, me çka thuajse një e katërta e Shqipërisë politike ra nën pushtimin serbo-malazez. Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK), përmes një qarkore drejtuar institucioneve shtetërore vinte në dukje situatën e brendshme e të jashtme, ku veç tjerash shkruante: “Serbët gjinden sot në Dibër të Vogël, në Lumë, në Bytiq, në Has, në Krasniqe, në Gash, në Nikaj… Po mundohen të hynë në Shalë e në Malcinatiera të Shkodrës tue kërkue gjithnji me e shtie në dorë vijën qi u pat dhanë ‘Pakti i Londrës më 1915’…”.

Ndonëse shqiptarët nuk ishin palë ndërluftuese midis dy blloqeve, kjo ushtri pushtuese, në shenjë hakmarrje ndaj humbjeve të pësuara nga ushtritë e fuqive kundërshtare, siç ishte ajo austro-hungareze e gjermane, zbatoi një dhunë dhe terror të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Hoxhë Kadri Prishtina i shkruante Aqif Pashë Elbasanit se “Kosova fatkeqe me një milion shqiptarë po vuen lloj lloj mjerimesh nën sundimin barbar të Sllavëvet”.

Përveç vrasjeve të pakontrolluara, plaçkitjeve të pasurisë e të bagëtisë, përdhunimeve të grave, vajzave e nënave shqiptare, ushtria pushtuese serbo-malazezë e kërcënonte popullsinë shqiptare, sidomos ato të krahinave të Rugovës, Plavës, Gucisë e të Rozhajit, që nëse “nuk do të konvertoheshin në ortodoksë”, atëherë ata do të vriteshin të gjithë për një. Lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar, Komiteti i Kosovës, më 6 mars1919, përmes një proteste u drejtohej Fuqive të Mëdha, në të cilën ndër të tjera thuhej:

Me gjithëse kishim ndëgjue që Serbët e Malazezët, shtri nëpër Kosovë fill mbas disfatës që pësuen armatat gjermane-austrjake-hungareze përpara fuqivet ngadhnimtare të Shtetevet të Mdha aleate, kishin fillue me përsëritë po ato vepra barbare të pushtimit të parë të Pejës, t’Akovës, Tergovishtës e viset tjera të vilajetit të Kosovës, nuk na qe ba me besue se Europa e qytetnueme do të mbyllte syt përpara këtyne vepravet të deja për kohët primitive. Tue u zhvillue ngjarjet po vërtetohen mjerisht dhe saktësija e vepravet në fjalë e përsritja …e formave agresive të Serbo-Malazezvet. Administrata barbare e ngrehun ndër ato vise me qëllim me shue racën shqiptare, po derdh gjak të pafajshëmsh n’Akovë, në Tërgovishtë e në Pejë dhe po dhunon nderën e gravet e të vajzavet. Serbo-Malazezët, tue shpartallue parimet njerëzore mbi liri të ndërgjegjjes, të cilat parime Europa i morri si baza qytetnore e sociale ç’prej tre shekujsh e ma, ia imponuen me forcë popullit konvertimin në fen ortodokëse dhe e lanë atë me zgjedhë njenën ose tjetrën: me ndrue fe ose me pranue vdekjen….”.

Krimet, masakrat dhe mizoritë e ushtrisë serbo-malazeze asaj kohe u shtrinë edhe në viset tjera të pushtuara shqiptare, si në Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Sanxhak etj. Korrespodenti i luftës, i një gazete daneze, i cili nga Shkupi i telegrafonte një korrespodentit tjetër me emrin “Zigt Frederiko Man Bones” persekutimet serbe ndaj popullsisë shqiptare në krahinat e Shkupit, Kumanovës e të Prishtinës i përshkruante si më poshtë:

Taktika luftarake e serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakrimi të përgjithshëm shum të tmerrshëm. Ushtrija po plotëson nji luftë shkatrimtare shum barbare. Simbas kallzimevet të ushtarëve e të oficerëve ndërmjet Kumanovës e Shkupit kanë vra 3000 shqiptarë e në rrethet e Prishtinës 5000 shqiptarë. Katundet shqiptare aneve e rrethit janë djegë krejt. Populli po gjurmohet ndër shtëpit e veta edhe po i vrasin si mijt. Militaristët serb këtë gjueti njerëzish e kallzojnë me nji shkëlqim të jashtëzakonshëm. Konditat e jetës në Shkup janë të tmerrshme. Nëpër shtëpijat qi po kontrollohen pa përjashtim, po u gjet nji gja e vogël që ti shembulloj armës, pushkatohet me njëherë e pa u pyetë. Mbassi shtëpitë qëllohen me armë nga jashtë asht shum e rrezikshme me shëtitë rrugëvet. Dje tridhjet e gjashtë shqiptarë pa i gjykue u dënuen me vdekje edhe me nji herë u pushkatuen. Nuk ka ditë qi mos të bahen krime shum mizore kundër shqiptarëvet. Dje më thirri nji oficer Serb qi të merrsha pjesë në masakrimin e nji njeriut të tillë; e në këtë kohë më tha si për lëvdatë se ka vra me dorë të vet nandë shqiptarë”.

Paria e Pejës, Plavës dhe e Gucisë, në krye me Hasan agë Ferrin, Shaqir Halilin dhe Adem Agën, me 2 janar 1919 i shkruante Komitetit të Kosovës për “vepra barbare” të malazezëve kundër popullsisë shqiptare në Tergovishtë, Novi Pazar dhe Sjenicë, ku nuk mungonin as vrasjet, grabitjet dhe përdhunimet. Si shembull ata e marrin pushkatimin e kryetarit të bashkisë “s’Akovës, Hilmi bej Kajabegollin dhe djalin e Mustafa beut së bashku me pes të parë të tjerë”, pastaj vrasjen e mase 70 grave shqiptare po në Akovë, si dhe grabitjen e tërë pasurisë, me çka vihet në dukje se “njerëzia sidomos kalamajt po lihen lakuriq e pa buk”. Në fund të letrës thuhet se “veprat gjakatare të Malazezëve” po shtohen dita-ditës, andaj ata lusin Komitetit e Kosovës që në emër të “kombësisë, t’Atdheut e fesë me ba shpejt çka asht e mundum për të na shpëtu nga kjo gjendje e rëndë”.

Duhet të vëmë në dukje faktin se krahas dhunës dhe terrorit, pushtuesi serbo-malazez, për qëllime propagandistike karshi Fuqive të Mëdha, pasi e kërcënoi parinë e vendit se do t’i internojë në Vojvodinë, mblodhi një pjesë prej tyre, përkatësisht nga pesë vetë nga Peja, Prizreni e Gjakova, të cilët i dërgoi në Podgoricë, ku mbahej kongresi nacionalist serb, të cilët i shpalli si “përfaqësues”, përkatësisht “deputetë” të popullit. Ndaj kësaj reagoi Komiteti i Kosovës, duke u shprehur se “vota që do ta japin këta deputetë”, asnjëherë nuk do të pranohet nga shqiptarët, sepse siç vë në dukje, “edhe ata deputetë sikur të qenë të lirë” nuk do të vepronin në atë mënyrë.

Më 5 janar të vitit 1919, Komiteti i Kosovës – përmes një letre – u drejtohet Fuqive të Mëdha Aleate, në të cilën pasi me fakte të dokumentuara i përshkruante të gjitha mizoritë e barbarizmat serbo-malazeze mbi popullsinë shqiptare në Kosovë e në krahinat tjera të pushtuara shqiptare, kërkonte që Kosova deri në zgjidhjen përfundimtare të vendoset nën administratën ndërkombëtare:

“...Ju kena pasë vu në dijeni raportet e ndryshme që ju kemi paraqitë ç’prej dy muejvet qëllimin që ndjekin Serbo-Malazezët për të zhdukë racën shqiptare dhe ju kena qenë lutë me vu nën administratë ndërkombëtare tanë Kosovën. Ngjarjet e zhvilluese njana mbas tjetrës, përforcojnë e provojnë drejtësinë e pretendimevet t’ona. Plaçkitja e tregut të Pejës, ngjarja e përgjakshme e Podgorit, sulmi kundra Plavës e Gucisë, kundra Hasit, Lumës e Peshkopisë, pasunisë së luejtshme të grabitun ndër qytete e katunde të Kosovës, dërgimi dhunisht kundra vullnetit të popullit i një delegati në kongres të Podgoricës e tjera ngjarje këso dore ndjekin njana tjetrën, pse Serbët janë të sigurtë se nuk kanë me psue ndonjë ndëshkim për të gjitha këto krime barbare. Qellimet e deshirët barbare të Sllavëvet duken qartë prej letravet që na kanë ardhë prej Plave e Gucije, të cilat po ju paraqesim bashkëlidhun…”.

Për të parë më për së afërmi vrasjet, grabitjet si dhe mizoritë e krimet barbare të ushtrisë pushtuese serbo-malazeze në krahinat e Rugovës, Plavës e Gucisë, në vazhdim po i paraqesim disa prej tyre: në fshatin Koshotan të krahinës së Rugovës kishin grabitë 200 krerë dele të Jashar Murtit, 280 të Hys Hamzasë, 100 të Sadri Harizit e 200 të Met Zyberit. Përveç kësaj, ata kishin vrarë edhe tre barinjtë e Abdyl Harizin, Zymer Smajlin dhe Salih Alinë ,bashkë me shokun e tij Temo Ramon. Në fshatin Drellas e vranë Bajram Rustemin dhe i grabitën 280 krerë dele. Në këtë fshat e kanë vrarë edhe Rexhë Haxhinë, kur ky kishte bërë përpjekje me e mbyll derën në momentin kur serbët kishin filluar me ia plaçkitë shtëpinë. Në fshatin Koshishtë e kishin vrarë Xhixh Sokolin dhe ia kishin marrë me dhunë 60 dele, 3 lopë e një kalë dhe gjithë drithin që kishte. Në fshatin Bukel, Mursel Salihit ia kishin grabitë 140 dele, 60 Abedin Baxhujit dhe 70 Halil Zeqës, që më pas i vrasin që të tre. Në fshatin Bisirnicë kanë vra Mehmet Ismajlin, Ibish Bajramin dhe tre barinj bashkë me njëqind krerë dele e shumë krime e mizori tjera.

Tërë kjo dhunë, që u zbatua ndaj popullsisë shqiptare të këtyre krahinave, veçmas erdhi në shprehje gjatë muajve dhjetor 1918 – shkurt të vitit 1919. Komandanti i Armatës së Dytë Serbe, më 1 dhjetor 1918, urdhëronte që trupat e asaj armate të “jenë në gatishmëri lufte të përhershme”, për shkak se siç theksohej në urdhëresë “qëndrimit armiqësor të shqiptarëve ndaj ushtrisë sonë (serbe – Q. L.) dhe ndikimit të propagandës së jashtme…”. Kështu filloi fushata e egër e ushtrisë pushtuese serbe-malazeze, e cila në emër të “çarmatosjes” së popullsisë, në mënyrë më mizore, e vriste popullsinë e pambrojtur shqiptare dhe, njëkohësisht, ua plaçkiste tërë pasurinë e tyre të tundshme. Komiteti i MKK-së, përmes të besuarve të tij në terren, njoftohej vazhdimisht për gjenden e sigurisë në Kosovë e në krahinat e tjera shqiptare të pushtuara nga ushtria serbo-malazeze. Me këtë rast po i referohemi letrës së Beshir Vokshit, i cili me urdhër të Komitetit, nga pjesa e dytë e tetorit 1918, qëndronte në Rekë të Keqe, me qëllim të organizimit të lëvizjes së armatosur shqiptare, përkatësisht Lëvizjes Kaçake:

Ç’se ditën që kanë zaptue Serbët Pejën e Jakovën – shkruante Vokshi – nuk kanë lanë barbarizma pa ba në Pejë e në rrethe. Gjithë kohë po plaçkisin e mandej po vrasin barbarisht Shqiptarët. Në Pejë kanë mbledhë armët prej mbarë popullit…”.

Ndërkohë, paria e Plavës, Gucisë dhe e Pejës, më 1 shkurt 1919, i shkruanin Hoxhë Kadri Prishtinës, se Rugova, Plava e Gucia, ishin rrethuar në të katër anët, prej forcave pushtuese serbo-malazeze, dhe se kanë ngelë të izoluara. Në vazhdim shkruanin se forcat pushtuese malazeze e kishin bllokuar rrugën e vetme që i lidhte këto krahina me Pejën, me atë që në vendin e quajtur Belohë, tri orë larg Pejës, kishin vendos një patrullë, e cila nuk lejonte “me kalua asnjë njeri”:

“…A numërohen të këqijat e tyne? Hajredin Hakin, tregtar prej Peje e kanë dënue, pa kurfarë të drejte, me 80.000 korona gjobë. Kjo asht ma e vogla vepër e egër e tyne. S’kanë sosun këto barbarizma. Çka janë tuevuejtë kazatë e Bergorishtes, Akovës, Jeni Pazarit e tjera, barbarizma e vrasje, s’numrohen. Dhe banorët e atyne visevet janë të rrethuem. Çfaqim keqardhjen t’onë kur ju të parët na lipni lista tash që jemi në këtë gjendje. Ju lutena dita ditës na ndriçoni me letrat e jueja të çmueshme. I presim këto çdo ditë. Shpresojmë t’a nisni këndej Ismail Efendinë me lajme…”.

Disa ditë më pas, Komiteti i Kosovës pranoi edhe një letër tjetër, të cilën në emër të parisë së Plavës e kishin nënshkruar Hasan Ferri dhe Shaban Beu, ndërsa në emër të parisë së Gucisë, Shaqir Halili dhe Ismail Hyseni. Ata në letër shprehin skepticizmin e tyre se ato krahina shqiptare do të shpëtonin nga krimet dhe masakrimet serbo-malazeze, përkundër, siç theksonin “premtimet e dhanuna prej Mbretnive të Mbëdhaja”. Më pas ata e përshkruanin ngjarjen tejet të dhimbshme dhe të shëmtuar, të kryer nga ana e patrullës malazeze në vendin e quajtur Blohnë, kundër 15 banorëve të Plavës, të cilët me urdhër të komandantit serb, në Plavë ishin detyruar të udhëtojnë për Pejë, për të marrë ushqim për ushtarët serbë.

Kur kanë ardhë në Blohe – thuhej në letër – janë sulmue prej Malazezvet. Kanë burgosë njerëzit, iu kanë ba lloj lloj poshtrimesh dhe ma në fund iu kanë grabitë 4 barrët e drithit. Këta shqiptarë të shkretë kanë këthye të dëshpëruem ndër shtëpija të veta… Shpresojmë se Mbretnijt e Mbdhaja s’kanë me pa t’udhës të jesim ma kështu rob e të rrethuem. Qëllimet e Serbëvet e të Malazezëvet janë për fushe: me na rrethue, me na robnue e mandej me na çfarue….”.

Ndërkohë, Komanda e Mbrojtjes Kombëtare në Rugovë, më 14 shkurt 1919, e njoftonte Komitetin e MKK-së, për krimet dhe mizoritë serbo-malazezë të kryera në Rozhaj me rrethinë. Gjithnjë sipas njoftimit, komandanti malazez i quajtur Millo Saçiq, me 100 ushtarë, më datë 13 shkurt 1919, e kishte djegur në tërësi fshatin Bugjaf, si dhe plaçkitur tërë pasurinë e tundshme, duke përfshirë këtu edhe bagëtinë. Më tej në njoftim bëhej me dije se me urdhër të një krimineli tjetër malazez, i quajturi Zarija Maksimoviq, në Rozhajë pa kurrfarë gjykimi ishin pushkatuar këta shqiptarë: Abdyrrahman Abdi Agori, Tush Agori, Salih Agori, Mujo Agori, Ymer Agai, Hysen Agai dhe Kurt Agai, si dhe shtatë të tjerë nga fshati Kaliçaj.

Në katundin Bisheva – vazhdonte njoftimi – kanë djegë dymbëdhjetë shtëpi, ju kanë plaçkitë kafshët edhe teshat. Në katundin Vuçaj e kanë vra Etem Hoxhën pse ka qenë njeri me emën. Jash Salihut i kanë marrë njëqind e pesë dhjetë dele, e kanë vra edhe barinë, Murat Salihut, Bajram Rustemit kanë marrë 213 dele. Bajram Rustemi është nga katundi Bukël. Edhe Daut Zeqirin nga ky katund, mbasi ja kanë marrë tridhjetë dele, e kanë vra. Ajdin Murselit i kanë marrë tetëdhjetë dele, Ali Tahirit njëqind e dyzet dele e dymbëdhjetë lopë edhe i kanë vra tre barij. Në katundin Baçaj kanë vra Vesel Halilin, ju kanë mbytë edhe kafshët e i kanë marrë nja njimijë e katërqind korona që i ka pasë me vedi…”, e shumë krime e barbarizma tjera.

Vrasjet masive të popullsisë shqiptare, plaçkitjet e pasurisë së tyre, si dhe mizoritë e barbarizmat tjera të panumërta, e shtynë parinë e atëhershme të Rugovës të inicioj një takim me komandantin e ushtrisë pushtuese serbe në Pejë, me qëllim që t’ia parashtrojnë ankesat e popullit të Rugovës e të krahinave të tjera përreth. Takimi ishte caktuar të mbahej në Peklen te “Guri i Biruem”, mirëpo, papritmas, një fuqi e armatosur malazeze, e ardhur nga Rozhaja, në vendin e quajtur “Qafa e Hajlas”, i sulmon bajraktarët e Rugovës, të cilët, siç u vu në dukje më lart, kishin qenë të autorizuar të bisedojnë me komandantin serb, për të vendosur qetësinë. Në këto rrethana, qenë të detyruar të vetëmbrohen. Burimet e Komitetit të Kosovës, nuk e përcaktojnë datën e saktë të shpërthimit të luftës së Rugovës, mirëpo nga burimet serbe, shohim se kjo luftë filloi më datë 15 shkurt 1919. Komanda e Divizionit “Ibar”, më 21 shkurt 1919, e njoftonte komandën e Armatës së Tretë Serbe me sa vijon:

Vojvoda Latiç Vojvodiq nga Andrejeviqi përmes depeshesë nr. 474 nga data18 k.m. lajmëron: Trupat vendore më datë 15, 16 dhe 17 të këtij muaji kanë kryer sulmë kundër kryengritësve shqiptarë në Rugovë dhe më 17 janë takuar me trupat serbe te hani i Jusufit….”.

Pas një qëndrese heroike, e cila zgjati plotë tre ditë, forcat shqiptare në mungesë të municionit u detyruan të tërhiqen, me çka Rugova përfundimisht u pushtua nga ushtria pushtuese serbo-malazeze. Ngjarjet që ndodhën më pas në këtë krahinë shqiptare e tronditën opinionin e gjerë shqiptarë dhe atë ndërkombëtar. Komiteti i Kosovës i njoftonte këta të fundit se ushtria pushtuese serbo-malazeze, në Rugovë, po kryen krime dhe masakra të papara ndonjëherë. Shqiptarët, pa marrë para sysh moshën e tyre, po pushkatoheshin në mënyrën më mizore dhe, si rrjedhojë, thuajse tërë popullsia e asaj krahine  u detyrua t’i braktisë “votrat ku kishte lindë e jetue me shekuj” dhe të marrë malet me borë nën dimrin e tmerrshëm “për me i gjetëvedit shpëtim”.

Tue sjellë sytë mbrapa, vazhdonte njoftimi, ata mija vetësh, panë me lot gjahu kah po u shemben e digjen foletë dhe kah po u maltretohenfëmitë, gratë e pleqt, e së mbrami, ndër lloj-lloj vuejtjesh e mizorijesh mujtën me u kapë në Shkodër. Tash ma agresjoni i paramenduem serbo-malazijas ka marrë trajtën e një delikti flagrant. Nëpër këto ngjarje të përgjakshme vijnë pa pre në Shkodër karvan mbas karvani fatzezësh, pamja e të cilëvet të ban të pikojë gjak zemre dhe tmerr opinionin publik shqiptar…”.

Menjëherë pas pushtimit të Rugovës, ushtria pushtuese serbo-malazeze rrethoi Plavën e Gucinë. Lidhur me këtë, paria e këtyre dy krahinave shqiptare, në krye me Hasan agë Ferrin, Shaban Beun, Shaqir Halilin, Shaqir Mustafën, Adem Agën, Ismail Hysein Efendiun dhe Sejdi Zikën, më 17 shkurt 1919, përmes një letre njoftonte Komitetin e Kosovës se malazezët po grumbullonin forca të shumta ushtarake për t’i sulmuar edhe ato dy krahina shqiptare:

“…Sigurisht – theksohej në letër – qëllimi kriminal i tyne dihet: me na mësye dhe me na ç’farue edhe fëmitë. Jena informue se Malazezët po ç’pikin lloj lloj shpifjesh kundra nesh. Na ju sigurojmë se s’ka ndodhë nga ana e jonë as një agresjon, as një vepër e tillë. Dhe ju mund t’u jepni sigurime në këtë rasë Mbretnive të Mbdhaja. Në mos besohet të çojë Europa këtu komisjone hetimi, dhe atëherë do të dalë për fushe qëllimet gjakatare të Malazezvet….”.

Fatkeqësisht, paralajmërimi i krerëve të Plavës e të Gucisë u bë realitet. Komiteti i Kosovës, më 24 shkurt 1919, përmes një shkrese njoftonte udhëheqjen politike të Shkodrës, përmbajtja e së cilës është si më poshtë:

Kena nderin me Ju lajmue, me dhimje të madhe zemret, se nji pjesë mjaftë e madhe e popullit të Pllavës, të Gucis e të Rugovës, mbas nji qindreset kreshnike kundra të msymevet t’ushtrivet serbo-malazeze, asht shtrengue m’u tërhjeq mbi Shkodrë e me shka ka mujtë me pshtue nga mizoria e anmikut. I përdrejtohemi, n’emën të njerzis e të bashkëkombëtarnis, ndisinavet patriotike të Shkodrës e iu lutena Parlimtares së sajë me i marrë masat e nevojshme për me i ndimue këtij popullit i cilli u rrënue për nderë e për dashni të Kombit e të çashtjes së Tij. Me uzdajë të fort se Shkodra ka për t’a krye detyrën e vet patriotike, Ju lutena, Z. Kryetar, me i pranue ndisinat t’ona plot nderime”.

Po ky komitetit, më 27 shkurt, njoftonte se forcat pushtuese serbe e malazeze kishin djegë tërësisht Pejën, Rugovën, Plavën dhe Gucinë, dhe se rreth 15.000 vetë, numri më i madh i të cilëve ishin gra, pleq e fëmijë, ishin detyruar t’i lënë vatrat e tyre, ndërsa pjesa tjetër e cila nuk kishte mund të arratiset “i kanë masakrue dhe plaçkitë pasuninë e të gjithve…”.

Po atë ditë, Komiteti i Kosovës, përmes një letre protestuese, drejtuar përfaqësuesit të Fuqive Aleate në Shkodër, në mënyrë të hollësishme e përshkruante krimin dhe barbarizmin serbe e malazeze në këto krahina shqiptare:

“…Serbët – theksohej në letër – qi në saje të fitores qi siguruen Fuqitë e Mëdha Aleate, invaduen për herën e dytë Kosovën, qysh në vigjilen e hyrjes së tyne në Kosovë, ndoqën rrugën e çfarosjes së racës Shqiptare, me qëllim qi t’ja ndryshojë fizjonominë kombëtare të Kosovës. (Në pesëmbëdhjetë katunde të krahinës së Podgoricës, zhuridiksioni i Pejës kanë djegë 420 shtëpi, kanë masakrue 231 vetë. Gjithashtu, në rrethin e Rugovës të Zhuridiksionit të Pejës kanë djegë krejtësisht 13 copë katunde qi kishin 410 shtëpi dhe i kanë plaçkitë edhe kanë vra 846 vetë. Në qytetet e katundet e Plavës të Gusinës kanë djegë 489 shtëpija e kanë vra pesë qind vetë e tjera…)”.

Përveç se në Shkodër, numër shumë i madh i të arratisurve qenë strehuar në Malsi të Shkodrës e të Gjakovës. I deleguari i Komitetit të Kosovës, Beshir Vokshi, nga Malësia e Gjakovës, njoftonte udhëheqjen qendrore të Komitetit, se pas “disfatës që psuen Rrugova, Plava e Gucija mira banorë të këtyre krahinave kanë ardhë në Malsi të Gjakovës”. Sipas tij, situata atje nuk ishte e mirë, për shkak se siç bënte me dije komandanti serb në Has, i kishte ftuar krerët e Malsisë së Gjakovës, që të takohen me të, për arsye se – siç vë në dukje – “mbasi ai don me ardhë në katund të Bytyçit me një fuqi ushtarake dhe me vu katër posta në Malci të Gjakovës”. Malësia, theksonte më tej Vokshi, “jo vetëm se s’mundet me u mprojtë pse s’ka armë, porse qeveria serbe ka nisë për në Beograd gjashtë malësorë, përkrahës të Esat Pashës, dhe se ekziston mundësia që brenda këtyre dy ditëve ‘serbët të ngrehin qeveri në Malci’”.

Ndërkohë, komanda ushtarake serbo-malazeze në Kotor, për t’i fsheh t’i gjitha ato mizori të kryera mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, në takimin e zhvilluar me komandantin e forcave Aleate, fajësonte shqiptarët, se gjoja paskan sulmuar të parët. Tërë kjo, sipas Komitetit të Kosovës, nuk ishte asgjë tjetër, veçse se një përpjekje e serbëve për t’i mbuluar veprat e tyre kriminale. Pretendimet serbe u hodhën poshtë nga Komiteti i Kosovës, i cili përmes një promemorie drejtuar përfaqësuesit politik të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ofronte fakte e dëshmi të pakontestueshme, të cilat nxitën trazirat në Rugovë, Plavë e Guci:

“…Serbët e malazezët, thuhej në Promemorie, si pjellë e pansllavizmit dhe e politikës ruse, u treguen shumë të zotët me mëshefë ose shtrembnue krimet e barbarizmat që kryen që nga data e ekzistencës së tyne…. Serbët, të cilët kanë ardhë n’atë shkallë saqë, i ban me besue qarqet diplomatike europjane se Shqiptarët nuk janë veçse grumbuj aventurjerash që banojnë në nji vend qi shtrihet prej Tirane deri në Tepelenë e se Kosova asht e banueme fund e maje prej Serbësh, t’ue mëshefë kështu eksistencën e një miljon banorëvet shqiptarë në vilajet të Kosovës…Një hetim mjafton me qitë në shesh se cilët janë shkaktarë të kësaj gjendje. Prandaj nga ndjenjat e larta e fisnike të Shkëlqesës s’uej lusim me marrë masa të ngutshme me këthye refugjatët e mjerë ndër vende të veta nën garancinë e shtetëvet të mëdha për t’i shpëtue nga vdekja, dhe me i vu ato vise, deri në kohën e paqës, nën nji administratë ndërkombëtare tue i detyrue shkaktarët me iu shpërblye edhe damet…”.

Një ditë më pas, përkatësisht më 28 shkurt 1919, Komiteti i Kosovës, përmes një shkrese i drejtohej edhe komandantit të Fuqive Aleate, përmbajtja e së cilës është me sa vijon:“Populli i Plavës dhe i Gusinjës, duke qenë i bindur në urdhërin e kryekomandantit të armatave të Lindjes, rinte i qetë, këtë herë pa pritmas, u sulmu nga ushtëria e serbëve dhe malazezëve. Pas një mbrojtje heroike, që vazhdoi 5 ditë një pjesë e popullsisë që mundi të shpëtojë nga zjarrmet dhe masakrat, me kalamaj e me gra, dhe me ato kafshë që mundi t’i shpëtoj, po vijnë në Shkodër. Këtë ndodhinë gjakpirëse, që është përsëritje nga krimet e tmerrëshme të ushtërisë serbe e malazeze, e protestojmë më rreptësisht, dhe kërkojmë që pa drejtësinë e keqe që bëri kjo administratë vrasëse mbi racën tonë ta shpërblejë. Njëkohësisht lusim nga zotnia e juaj, që për të shpëtuar nga uria ata që shpëtuan nga ato pësime, të merren masat e duhëshme”.

Letra, protesta e promemorie, lidhur me ngjarjet tragjike të popullsisë shqiptare në Rugovë, Plavë e Guci, Komiteti i Kosovës u dërgoi qarqeve të shumta diplomatike e ushtarake europiane e botërore, përmes së cilave kërkonte ndërprerjen e menjëhershme të terrorit dhe masakrimit të popullsisë shqiptare në ato krahina, krijimin e kushteve për kthimin e popullsisë së shpërngulur, si dhe dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara nga ushtria pushtuese serbo-malazeze, që me këtë rast po e paraqesim letrën dërguar Vatikanit, përmbajtja e së cilës ishte me sa më poshtë vijon:

Selisë së Naltë të Shejtërisë së Papës

Parashtrojmë,

Komiteti i Kosovës kërkon të fala për guximin që po mer me i paraqitë Selisë së shejtë të Papatit statistikat përmbledhëse të autoritetevet të qeverisë së Beligradit kundra racës shqiptare. Sikur dijenija e juej që përfshinë ruzullimin ka me premtue me kuptue prej këtyne statistikavet, Serbët kanë nisë me iu dhanë nji karakter dhe ma të tmerrshëm e ma tragjik barbarizmave të tyne të fillueme qysh prej luftës së Ballkanit asht me sllavizue Kosovën, e cila asht atdheu i Shqiptarëvet qysh nga epokat pra historike, dhe me çbi një pjesë të Shqiptarëvet myslimanë e katolik dhe një pjesë tjetër m’e shtrëngue t’emigroj. Kjo barbarizëm nuk identifikohet vetëm kundra myslimanvet, pse nuk bahet nji dallim në mes elementit mysliman e katolik kur piksynimi asht me çfarosë Shqiptarët. Qeverija e Beligradit tue marrë guximin nga heshtja e Europës përpara ngjarjeve tragjike të Serbëvet në Tërgovishtë, në Podgor, në Rugovë, në Plavë e në Guci ka fillue tashti me vu në zbatim programin e çfarosjes s’elementit shqiptar dhe në Prishtinë, në Ferizoviq, në Vuçitërn, në Mitrovicë e në vise të tjeratë Kosovës në qoftë se Europa nuk ka me naltësue zanin njerzor të kunrështimit, Serbët kanë me ba masakra që kanë me i vu një njollë të amshueme turpi fytyrës së njerëzimit. Me përvujtni lutë Selinë e shenjtë të Papatit Komiteti i Kosovës që të ketë mëshirën Shejtënija e tij me ngrejtë zanin përpara qarqeve diplomatike t’Europës për t’u dalë para këtyne vepravet barbare dhe për të shpëtue kështu nga çfarosja racën shqiptare.”.

Kjo letër, sikurse edhe shumë letra tjera protestuese që Komiteti i Kosovës asaj kohe u dërgoi qarqeve të atëhershme vendimmarrëse botërore, nuk u morën fare në konsideratë. Pikërisht kjo heshtje e faktorit ndërkombëtarë i inkurajoi edhe më shumë qarqet hegjemoniste serbomëdha, që ta vazhdojnë politikën e tyre të dhunshme kundër shqiptarëve të pambrojtur. Burimet e Komitetit të Kosovës bëjnë me dije se brenda harkut kohor dhjetor 1918 – dhjetor 1920, në tokat e Shqipërisë “aneksue Serbisë më 1912-1913 në konferencë të Londrës”, ushtria pushtuese serbe e malazeze kishte vra mbi 80.000 shqiptarë të pafajshëm.