Krimet e komunizmit në Shqipëri

Krimet e komunizmit në Shqipëri

Gjatë luftës janë realizuar masakra kolektive pa gjyq dhe mijëra vrasje politike të paligjshme, pushkatim i robërve të luftës, pushkatim i njerëzve të pafajshëm, tortura fizike, djegie shtëpish dhe fshatrash të tërë, konfiskim i paligjshëm i pasurive të tundshme e të patundshme e të tjera.

Shkruan: Uran BUTKA, Tiranë

Krimet e komunizmit në Shqipëri ndaj kundërshtarëve politikë dhe popullsisë shqiptare përbëjnë një gjenocid me karakter ideologjik, politik, ekonomik dhe fetar, të cilat, me qenë se u kryen pa vendime gjyqësore dhe jashtë ligjeve në fuqi, klasifikohen edhe si krime kundër njerëzimit.

Këto krime u realizuan masivisht, në grup ose edhe individualisht kundër kundërshtarëve ideologjikë, politikë dhe ekonomikë, por edhe kundër qytetarëve të pafajshëm, intelektualëve properëndimorë, njerëzve qe nuk bashkoheshin me komunistët. Bazë ishte ideologjia marksiste-leniniste e PKSH, sidomos stalinizmi, praktike terroriste e antinjerëzore, nga e cila udhëhiqej PKSH-ja, e cila qysh në krye të herës u shfaq si një parti terroriste e kriminale.

“Me dhunë e terror i zgjidhnim të gjitha” – dëshmojnë në Plenumin e Beratit E. Hoxha, G. Nushi, K Themelko, S. Malëshova, M. Myftiu dhe krerët e tjerë të PKSH-së.

Gjatë luftës janë realizuar masakra kolektive pa gjyq dhe mijëra vrasje politike të paligjshme, pushkatim i robërve të luftës, pushkatim i njerëzve të pafajshëm, tortura fizike, djegie shtëpish dhe fshatrash të tërë, konfiskim i paligjshëm i pasurive të tundshme e të patundshme e të tjera.

Këto krime u bënë fenomene, sidomos pas prishjes së marrëveshjes kombëtare ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve, që u realizua në konferencën e Mukjes, 2-4 gusht 1943, për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve nazifashistë dhe për një Shqipëri të lirë e demokratike. Këtë marrëveshje e prishi PKSH-ja me nxitjen dhe urdhrat e emisarëve jugosllave M. Popoviç e D. Mugosha, ndërkohë E. Hoxha, vegla e tyre urdhëroi luftën e armatosur kundër partive kundërshtare, por edhe kundër pjesëve të popullsisë që i mbështesnin ato.

Nuk do të flas këtu për luftën civile dhe pasojat e saj, por për disa nga krimet masive të komunizmit kundër popullsisë së pafajshme.

Në luftën e Selenicës, 1 prill 1943, një luftë e përbashkët e nacionalistëve dhe partizanëve kundër italianëve të komanduar nga prof. Isuf Luzajt (nacionalist) dhe Neki Ymeraj (i nacionalçlirimtares), u zunë edhe 83 robër italianë. Atje arriti Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës I komuniste, i cili i pushkatoi 83 robërit italianë, natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit, Mallakastër (Arkivi Qendror i Shqipërisë, Fondi.270, v.1943).

Një nga masakrat e Brigadës I ishte ajo e Martaneshit, më 5 mars 1944. Brigada I marshonte nëpër Martanesh. Me urdhër të M. Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe i arrestuan burrat që gjetën, nga një për çdo shtëpi. Pleqtë dhe gratë vikasnin: “Pse i merrni lidhur? S’kanë bërë asgjë të keqe? I rreshtuan për t’i pushkatuar, por doli nga radhët partizane zv. komandanti i batalionit partizan të Martaneshit, Hysen Peshku, dhe kundërshtoi: “Këta janë të pafajshëm, shoku komandant, nuk janë armiq”. Mehmeti dha urdhër që të rreshtohej edhe ai bashkë me ta dhe dha urdhër për zjarr. Kështu u vranë 22 njerëz, krejt të pafajshëm dhe pa gjyq, me në krye kryeplakun e fshatit, Rremë Çelën. E pohon me gojën e tij M. Shehu: “Një ndikim veçanërisht të madh në shpartallimin e armiqve në Martanesh pati pushkatimi i disa reaksionarëve të kapur robër. Pasoja e saj pozitive u ndje menjëherë.” (Botimi: Brigada I S, Tiranë 1977)

Pas përplasjes ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve në afërsi të Lushnjës, në fshatin Golem, më 21 tetor 1943, Mehmet Shehu i pushkatoi pa gjyq 65 nacionalistë shqiptarë të vetëdorëzuar, që s’ishin tjetër, veçse fshatarë të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese (vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Këtë masakër e pranon edhe vetë M. Shehu në një letër autokritike drejtuar Shtabit të Përgjithshëm, ku shkruan: “Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 robërve, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte të pushkatoheshin 10-20 nga më përgjegjësit…” (AQSH, F.41, D.32, v.1943)

Masakra ndaj popullsisë së pafajshme janë ato të realizuara nga Brigada V komuniste me komandant Shefqet Peçin në Shqipërinë e jugut, të Veriut dhe në trojet shqiptare përtej kufijve. Në Lumë ai pushkatoi 22 lumjanë krejt të pafajshëm, në Gjirokastër 11, në Delvinë 104 etj., ndërsa zhduku familje të tëra, me motivin e hakmarrjes se nuk bashkoheshin me komunistët. (U. Butka, Krimet e Komunizmit në Shqipëri, 2001)

Në Tiranë, nga data 28 tetor-16 nëntor 1944, u arrestuan dhe u vranë nga terroristët komunistë qindra qytetarë, jo komunistë: pronarë, tregtarë, intelektualë, që kishin studiuar në perëndim, botues, qytetarë të thjeshtë, ushtarakë të karrierës etj., pa asnjë vendim gjyqësor, vetëm me listat e zeza partiake. Qëllimi: që çlirimi i kryeqytetit (17 nëntor) të mos i gjente të gjallë kundërshtarët realë apo imagjinarë.

Këtë gjenocid me motive politike e vërtetojnë dokumentet. Gogo Nushi, sekretar i Partisë Komuniste për Tiranën raporton: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Në Tiranë janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga këta nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe te 100 vetë (Arkivi Qendror i Shqipërisë, Fondi.14, d.2/a). Ndërkaq K. Themelko thotë: “Duke mos pasur rrugë tjetër, kemi kaluar në atë rrugë ku kemi pasur disa suksese. Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’kemi fakte, të pushkatohen që tani… Që elementët me i pastrue gjatë luftës për ata që s’kemi fakte, kjo ka qenë vepër e të gjithëve, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merrën vesh prej popullit. Janë vrarë edhe nga ata që janë dorëzuar” (AQSH, f.14, d.2/a).

Qysh në vitin 1945, gjatë dhe pas votimeve të 2 dhjetorit, u arrestuan dhe u burgosën ata që mund të votonin kundër pushtetit “popullor”, ata që nuk pranuan të shkonin në votime dhe ndonjë që guxoi të votonte kundër. Në Himarë, qeveria e Hoxhës groposi pa asnjë vendim në një gropë të përbashkët 27 burra të Bregdetit që nuk kishin shkuar për të votuar për Spiro Koleken, duke ua lënë vetëm kokat përjashta derisa dhanë shpirt. A nuk është ky një holokaust i përbindshëm?

Masakrat më të mëdha u realizuan në Veriun “reaksionar”, që nuk e pranonte komunizmin. Pas Lëvizjes së Malësisë së Madhe në vitin 1945, që bashkë me atë të Postribës janë lëvizjet e para antikomuniste në gjithë vendet e Lindjes, brigadat ndëshkimore të Ushtrisë NÇL realizuan një gjenocid kriminal e masiv, që ia kalonte edhe atij fashist. Kështu në Kelmendin e Preng Calit u dogjën 34 shtëpi tok me njerëz të pafajshëm, në Vukël 10 dhe kështu në tërë Malësinë e madhe, e cila humbi 137 bijtë e saj më të mirë, që iu vranë pa gjyq nga komunistët. U burgosën 345 burra dhe u internuan pa asnjë vendim me qindra familje në kampet e Tepelenës, Zvërnecit, Gradishtës, Shtyllasit, duke u kthyer në skllevër të regjimit komunist. U pushkatuan pa gjyq 12 këshilltarët e Bërdicës (anëtarët e këshillave qeverisëse) me urdhër të Enver Hoxhës. (U. Butka, Kryengritjet e para antikomuniste, 2013).

Masakrat ndaj klerit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë kundrejt klerit katolik qenë një gjenocid i mirëfilltë, i pashembullt dhe i përgjakshëm. U prenë kokat e prelatëve më të shquar të tre feve kryesore dhe më pas u mbyllën të gjitha objektet e kultit dhe u përndoqën deri në eliminim fizik edhe besimtarët e Zotit dhe tek çdo fe ose besim. Janë me qindra klerikë që u denigruan u burgosën dhe u pushkatuan vetëm pse ishin apostuj të fesë, të shqiptarizmit dhe të kulturës si Gjergj Fishta, Gjon Fausti, Gjon Shllaku, Pal Dodaj, Frano Gjini, Vinçens Prenushi, Pjetër Mëshkalla, Bernardin Palaj, Mikel Koliqi, Frano Ilia, Sali Dedej, Baba Rexhepi, Visarion Xhuvani, Reshat Bardhi, Irene Banushi e shumë të tjerë… Vetëm në Shkodër ngritën 29 burgje, madje edhe kishat u kthyen në burgje.

Shembulli më tipik i krimeve kundër njerëzimit ishte masakra e 26 shkurtit 1951, me pretekstin e Bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Vendimi për pushkatimin e tyre dhe internimin e familjeve u mor jo në ndonjë gjykatë, por në Byronë Politike të Partisë. Ministri i Brendshëm propozoi në këtë mbledhje masa represive në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, “pa marrë parasysh ligjet në fuqiTë arrestojmë menjëherë, brenda kësaj nate, 100 apo 150 vetë dhe të pushkatojmë nja 10 apo 15 prej tyre, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th. kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Kjo masë të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji” (AQSH, F.14, D.1/a, v.1951).

Kështu, pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë e qytetarë që s’kishin lidhje me këtë incident dhe u mbuluan në mesnatë ne një gropë të përbashkët afër Urës së Beshirit. Vetëm pas masakrës, kriminelët u përpoqën ta mbulojnë paligjshmërinë, duke plotësuar disa procesverbale, që gjithsesi mbetën pa firma e pa data dhe duke falsifikuar dokumentet.

Kemi të bëjmë me një terrorizëm shtetëror të paparë, që shkel e përdhos edhe ligjet që ka miratuar vetë, që arreston, pushkaton, burgos e internon me qindra persona të pafajshëm, pa asnjë vendim gjyqësor, pa asnjë fakt ligjor, pa respektuar asnjë procedurë ligjore, por vetëm me vendime të partisë dhe të Sigurimit të Shtetit.

Këtu nuk është fjala për vrasjet e burgosjet për motive politike realizuar nëpërmjet gjyqeve politike farsë të gjykatave ushtarake: gjyqit special, gjyqit të deputetëve, të klerikëve, të agjentëve anglo-amerikanë, të sabotatorëve, të organizatave “tradhtare”, por edhe të dhunimeve, burgimeve dhe internimeve masive të familjeve e të farefisit të tyre dhe trajtimit të tyre mizor në familje, nëpër burgjet e kampet e internimit komunist.

Pas të ashtuquajturit çlirim, gjenocidi vazhdoi në të gjitha fushat, edhe në atë ekonomike, edhe arsimore e kulturore, shpirtërore e fetare. Kujtojmë kulakët dhe përndjekjen e përbuzjen ndaj tyre dhe fëmijëve të tyre. Kujtojmë fëmijët e të deklasuarve që u privuan nga shkolla, nga nëpunësitë, nga arti, madje edhe nga ushtria e rregullt, se për ta kishte vetëm pushkë druri, repart pune, zbore pune. Kujtoni ata të talentuar nga shtresa jonë që sa po shkëlqenin nëpër shkollat e mesme, që shkruanin ndonjë varg ose pikturonin ndonjë tablo, arrestoheshin e burgoseshin për agjitacion e propagandë, për nxirrje të realitetit socialist, si Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Astrit Delvina, Pjetër Arbnori, Bilal Xhaferri, Visar Zhiti, Maks Velo e qindra të tjerë, duke përfunduar me poetët e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi e Genc Lekën që u pushkatuan për disa vargje lirikë në vitet “70 dhe mësuesin e poetin e internuar Avzi Nelaj që diktatura e vari ne litar në ditët që po jepte shpirt. Fehmi Avdiun e dënuan me varje dhe Ramiz Alia e nënshkroi këtë vendim absurd, ashtu siç urdhëroi vrasjet e paligjshme në kufi në vitet 1990-91 për tentativë arratisjeje dhe i mbushi kufijtë e Shqipërisë ende të mbyllur me kufoma të shqiptarëve që donin të dilnin nga ferri komunist.

Ishte gjenocid dhe mohim i plotë i të drejtave të njeriut trajtimi çnjerëzor i të burgosurve në Shqipëri, sidomos i të burgosurve politikë, në burgjet famëkeqe të Tiranës, Burrelit, Batrës, Shkodrës, Vloçishtit, Zvërnecit etj. Revoltave të të burgosurve, madje edhe letrave të tyre për kushte minimale njerëzore, pushteti i kuq iu përgjigj me pushkatime, ridënime kolektive, izolime e tortura në qelitë e torturës e të vdekjes, sidomos ndaj pjesëmarrësve në revoltën e Spaçit dhe Qafë Barit. Le të kujtojmë pushkatimin e Xhelal Koprënckës, Vangjel Lezhos dhe Fadil Kokomanit vetëm për një letër drejtuar diktatorit. Theksojmë se dënimet e ridënimet bëheshin pa asnjë provë ligjore dhe të pambështetura në asnjë ligj të asaj kohe. Kështu, Osman Kazazi vuajti 41 vjet në burg pa bërë asgjë, Sami Dangëllia 42 vjet pa iu provuar asnjë faj e shumë të tjerë. Kolosi i mendimit shqiptar dhe i shkollës kombëtare, M. Ivanaj, u dënua vetëm se ishte kthyer në Shqipëri me mendimin kundër! ”Po a ka ndonjë vend në botë ku dënohet mendimi?!” – e pyet ai trupin gjykues. Po kështu, Xhelal Koprëncka, që u ridënua pesë herë në burg, dënimin e parë e ka me këtë akuzë: “Akuzoheni se gjatë vitit 1957 keni pasur mendimin e arratisjes”. Po kështu ndodhte edhe me torturat e paligjshme, në kundërshtim edhe me legjislacionin e vetë regjimit. Në dosjen e Koci Xoxes kam gjetur aplikimin e 12 lloj torturave çnjerëzore nëpër burgje, ku gjetën vdekjen figurat më të shquara intelektualë të vendit e të kombit. Myzafer Pipës ia shponin trupin me hekur të skuqur derisa hekuri ta prekte kovkën, ndërsa Drita Kosturit i ranë dhëmbët dhe flokët nga përdorimi i elektroshokut e tjera e tjera krime monstruoze.

Ishte gjenocid me motive politike internimi masiv dhe permanent i familjeve dhe i pjesëve të popullsisë të cilësuara reaksionare nga pushteti komunist, si edhe dëbimet masive nga qytetet po me atë motiv, në pjesën më të madhe të realizuara pa vendime, pra të paligjshme, duke tejkaluar edhe ligjet e kushtetutën e asaj kohe, ku de jure njihej liria e mendimit, e ndërgjegjes, e fjalës, e besimit, e mbrojtjes ligjore, e mostorturës, e drejta elektorale, ajo e pronës etj., por që u shkelën arbitrarisht nga shteti dhe partia shtet. Në Shqipëri kishte dy lloj kampesh internimi: njëri i rrethuar me tela me gjemba (1945-1948) në Krujë, Kamëz, Tepelenë etj. dhe kampet e internimit të punës në gjithë Vendin, sidomos ne Jug. Popullsinë e veriut (gege) të konsideruar antikomuniste apo reaksionare, e internuan në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, për më tepër siguri.

Ishte gjenocid mbyllja për motive politike në spitalet psikiatrike të qindra të pafajshmëve? Vetëm në psikiatrinë e Elbasanit u mbyllen 308 persona, të dyshimtë politikisht, për t’i eliminuar me metodat më barbare, duke i tjetërsuar si njerëz. Kur e pyeta mjekun psikiatër në vitin 1991 për të, ai më tha me gjakftohtësi: “Përgjithësisht kanë përfunduar në idiotë”

Ishte gjenocid lufta e përbindshme e klasave për 50 vjet me radhë dhe viktimat e këtij gjenocidi me mijëra e mijëra të pafajshëm. Kujtojmë punën skllavëruese për gjysmë shekulli të të burgosurve dhe të internuarve politikë, punë nën mbikëqyrje, nën kërbaç, punë me zinxhirë nëpër këmbë, punë e papaguar, punë poshtëruese, punë që rindërtoi vendin nga shkatërrimet e luftës, që thau kënetat, nxori kromin, qymyrgurin e bakrin nga minierat, që ndërtoi veprat e dyvjeçarëve e të pesëvjeçarëve, për të cilat mburrej se i kishte ndërtuar partia dhe shoku Enver! Dhe, ata mijëra viktima të kësaj pune, që përfundonin në varre pa emër ose pa varre fare, madje në themelet e betonit, në barkun e kënetave ose nën plumba si sabotatorë. Të marrim vetëm një shembull: Vloçishtin. Me qindra vdiqën nga puna rraskapitëse, uria, etja e dhuna dhe përfunduan në barkun e kënetës. Ishte dhënë urdhri që kur të thahej këneta, asnjë nga të përbalturit të mos dilte i gjallë. Si epilog i kësaj tragjedie, u ekzekutuan dhe u varën edhe ata që i drejtuan punimet, inxhinierët e shkëlqyer që kishin studiuar në Perëndim: ing. Sharra, ing. Kujtim Beqiri, ing. Sulo Klosi e të tjerë. Midis tyre ishte edhe një grua shtatzënë!

Lufta e përbindshme e klasave u zhvillua në rrafshin politik, ideologjik, moral, psikologjik, fetar etj., kjo me synim të eliminimit përfundimtar të së djathtës shqiptare ose, siç quhej në gjuhën e përditshme politike, “zhdukjen e mbeturinave të klasave të përmbysura” dhe të mendësive të djathta lidhur me pronën, ekonominë, sistemin demokratik, besimin etj. Lufta e klasave në Shqipëri, më e egra në gjithë vendet e Lindjes, shkaktoi viktimat më të mëdha sesa gjatë luftës, sepse lufta e klasave sa vinte rritej, acarohej dhe e kalonte kosën nga njëri brez tek tjetri. Mjafton të përmendim demaskimet publike në mbledhjet, qendrat e punës, shkollat, mbledhjet në lagje të Frontit “Demokratik”, që i ngjanin gestapos, heqjet e triskave të Frontit, përjashtimet nga puna, nga shkollat, nga qytetet, nga qendrat e rëndësishme, nga zonat kufitare për probleme biografie, dëbimet nga qytetet dhe qendrat e rëndësishme, dhënia e punëve më të vështira, më të rënda, më poshtëruese, e deri në pastrim nevojtoresh publike (mjafton të përmendim që edhe një ish kryeministër e vendosën me këtë detyrë), internimet masive nëpër kampet e përqendrimit e kampet e punës, që s’ishin tjetër, veçse kampe të shfrytëzimit çnjerëzor dhe të shfarosjes, shpalljet e kulakëve, të sabotimeve ekonomike, të agjentëve të paqenë, të burgimeve, ridënimeve pa gjyqe, të torturave ku gjetën vdekjen mijëra të dënuar, të pushkatimeve dhe të lënieve edhe pa varr. Kërdinë ka bërë neni 55 i dënimeve për agjitacion e propagandë për vetëm një fjalë të thënë ose të menduar, për një gjest, për një sjellje, për një veshje, për një varg, për një ngjyrë, për një antenë TV etj.

Në të gjithë krimet e rënda dhe gjenocidin ndaj popullsisë së pafajshme gjatë regjimit komunist ishte dora gjakatare e sigurimit të Shtetit, duke shkelur ligjet ekzistuese dhe kartat ndërkombëtare ku aderonte Shqipëria. Zëvendësministri i Sigurimit të shtetit, Vaskë Koleci, në raportin drejtuar udhëheqjes së partisë, ndër të tjera, pohonte: “Kuadrot e sigurimit të Shtetit kanë punuar dhe luftuar me obligacion, urrejtjen e klasës e kanë pasur në kulm… Në përgjithësi gjatë arrestimeve kemi parë çështjen e klasës: janë goditur më tepër bejlerë, kulakë, tregtarë, intelektualë, klerikë e fshatarë të mesëm… Përdorimi i torturave ka ardhur me udhëzime nga lart, por edhe nga organet poshtë është përdorur druri… Dënimi nuk përcaktohet nga gjyqi në bazë të procesit, por nga drejtoria e sigurimit… Gjatë operacioneve të MPB janë bërë vrasje fshatarësh…”

Në Shqipëri janë mbi 10.000 të pushkatuar pa gjyqe ose të vdekur në hetuesitë e Sigurimit te Shtetit, nëpër burgjet e kampet e internimit e të punës ose nëpër spitalet psikiatrike. Janë 17.500 të dënuar me burg (me dosje gjyqësore) për motive politike, janë 21.000 të internuar të dënuar nga komisioni i dëbim-internimeve i kryesuar nga Manush Myftiu, por edhe mijëra të tjerë të internuar pa vendime e dokumente internimi nga Ministria e Brendshme ne kundërshtim edhe me ligjet e kushtetutën e kohës. (Gjithsej 33 000). Në këtë vend të vogël e me popullsi relativisht të vogël, Shqipëria është një nga vendet më të martirizuara ndër vendet ish-komuniste.