Kremlini refuzon të flasë rreth temave që ndërlidhen me sulmet nukleare

Kremlini refuzon të flasë rreth temave që ndërlidhen me sulmet nukleare

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të fliste për sulmet bërthamore dhe të gjitha temat e lidhura me to, duke përfshirë testet e armëve bërthamore, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mediat perëndimore, politikanët perëndimorë dhe krerët e shteteve tani po angazhohen mbi retorikën bërthamore. Ne nuk duam të marrim pjesë në këtë”, u tha Peskov gazetarëve në një konferencë për media në Moskë.

Peskov, megjithatë, kujtoi se doktrina ushtarake e Rusisë lejon vetëm përdorimin mbrojtës të armëve bërthamore.

I pyetur për rifillimin e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, Peskov tha se për të mbajtur bisedimet nevojiten dy pjesë dhe se Kievi zyrtar aktualisht refuzon pjesëmarrjen.

“Tani do të presim një ndryshim në pozicionin e presidentit aktual të Ukrainës, ose do të presim presidentin e ardhshëm të Ukrainës, i cili do të ndryshojë pozicionin në interes të popullit ukrainas”, tha ai.

Peskov kujtoi se përpara se të fillonte “operacionin e saj special ushtarak”, Rusia tentoi një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjeve me Ukrainën, por nuk pa një qëndrim të ngjashëm nga pala tjetër.

Duke komentuar iniciativën e biznesmenit amerikan Elon Musk, i cili sugjeroi mbajtjen e referendumeve të reja në Donbas të Ukrainës nën kujdesin e OKB-së, Peskov tha se votimi tashmë u zhvillua dhe se njerëzit shprehën vullnetin e tyre.

Por Peskov vlerësoi gjithashtu dëshirën e Musk-ut për të gjetur një zgjidhje paqeje për konfliktin, duke theksuar se “ndryshe nga shumë të tjerë, ai (Musk) po kërkon një rezultat paqësor”.

Ai shtoi se arritja e paqes në Ukrainë është e pamundur pa pajtimin e Kievit me kushtet e Moskës, të cilat përfshijnë statusin neutral të Ukrainës dhe refuzimin e anëtarësimit në NATO.