Kovaçevski pas takimit me Von der Layen: Marrëveshja me Frontex historike, shpresojmë në ndihmën e BE-së për krizën energjetike

Kovaçevski pas takimit me Von der Layen: Marrëveshja me Frontex historike, shpresojmë në ndihmën e BE-së për krizën energjetike

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se sot është një ditë historike për Maqedoninë e Veriut ngase është nënshkruar marrëveshja me Frontex në gjuhën maqedonase.

Ai tha se BE është duke përmbushur premtimin e tyre.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për Frontex, që është marrëveshja e parë e nënshkruar pas fillimit të bisedimit, është nënshkruar në gjuhën maqedonase, pa asnjë fusnotë. Aty qëndron gjuha maqedonase e pastër së bashku me gjuhët tjera. Ky është premtimi që e dhashë dhe të cilin e kam realizuar”, tha Kovaçevski.

Ai tha se sot ranë poshtë gënjeshtrat e atyre që thanë se gjuha maqedonase do të jetë me ndonjë fusnotë.

“Sot qartë në deklarata zyrtare, në të gjithë liderët e BE-së dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare qëndron gjuha maqedonase. Gjuha maqedonase është e barabartë me gjuhët të tjera. Kjo na bënë krenar të gjithë neve qytetarëve të Maqedonisë, posaçërisht neve maqedonasve”, u shpreh Kovaçevski, raporton SHENJA.

Kovaçevski tha se me vendimet të cilat i kanë marrë në këto 5 vite të fundit, kanë ruajtur gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Ne si qeveri kemi sjellë vendime të rënda, të cilat nuk ishin të lehta. Por në fund të ditës atë vendimi dikush duhej ta merr, ngase nuk është asgjë më e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen tonë drejt BE-së. Ju pohoj se nuk kam pasur përvojë më të rëndë se sa bisedimet, ato kanë qenë shumë të rëndë. Dikush nëse ka menduar se e kam pasur të lehtë e ka gabim. Edhe unë jam njeri sikurse çdo qytetarë tjetër. Por në fund të ditës, dikush duhej ta merr vendimin, vendimin për të ardhmen e fëmijëve tanë”, deklaroi Kovaçevski.

Kovaçevski tha se vendi i  takon BE-së dhe nuk ka alternativë për këtë.

“Qëllimi është anëtarësimi në BE. Kur të realizohet kjo, qytetarët tonë do të jetojnë në shtet evropian, do të jenë krenar dhe më të pasur. Atëherë nuk do të largohen për të shkuar në ndonjë shtet evropian ngase tani më do të jetojnë në shtet evropian”, shtoi më tej Kovaçevski.

Kovaçevski tha se procesi i skriningut do të jetë shumë i shpejtë, dhe do të realizohet për 14 muaj.
“Kjo është detyrë e të gjithëve në shtet. Për këtë shkak i bëj thirrje opozitës që të bashkohemi dhe t’i realizojmë ndryshimet kushtetuese që na presin pas mbarimit të procesit të skriningut. Nuk guxojmë të lejojmë pozita të punojë drejt BE-së, ndërsa opozita të pengojë. Me të vërtetë do të ishte e tmerrshme të bllokohet rruga drejt BE-së për shkak lojërave politike”, deklaroi Kovaçevski.

Kovaçevski përmendi edhe luftën në Ukrainë, duke thënë se vendi do t’i qëndrojë afër Ukrainës.

“Kriza energjetike e ka bashkuar BE-në. Vetëm të bashkuar mund të ballafaqohemi me sfidat e mungesës së energjisë dhe ushqimit”, tha Kovaçevski.
Ai shtoi se nuk do ta lënë askëndë që të përballet i vetëm me krizën energjetike, duke shpresuar, në ndihmën e BE-së, por edhe bashkëpunimit me vendet e rajonit. /SHENJA/