Kovaçevski: Investim i ri prej 20 milionë euro i kompanisë turke “Teknopanel”, punësime të reja në kushte të krizës energjetike

Kovaçevski: Investim i ri prej 20 milionë euro i kompanisë turke “Teknopanel”, punësime të reja në kushte të krizës energjetike

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim në ngjarjen me rastin e investimit të ri të kompanisë turke “Teknopanel” në ZZHTI Shkup 1. Bëhet fjalë për kompaninë e teknologjisë së lartë që do të investojë 20 milionë euro në ndërtimin e një kapaciteti të ri prodhues për prodhimin e të ashtuquajturave panele inovative “sanduiç” çati që ofrojnë njëkohësisht izolim termik, hidro dhe të zërit, si dhe janë rezistent ndaj zjarrit dhe përdoren veçanërisht për sipërfaqet e çatisë së ndërtesave industriale. Prodhimi do të fillojë vitin e ardhshëm dhe do të hapen 120 vende të reja pune, me një pagë mesatare neto për të punësuarit prej rreth 600 euro. Sipas planit të investimeve, pagat pritet të rriten në vazhdimësi.

Në fjalimin e tij Kryeministri Kovaçevski theksoi se është kënaqësi edhe më e madhe që investime dhe punësime të reja po ndodhin në kushte të krizës më të madhe energjetike në botë.

“TEKNOPANEL zgjodhi të sjellë investimin e tyre pikërisht këtu dhe kjo sigurisht nuk është rastësi. Ne si Qeveri ofrojmë mundësi dhe përparësi për investime në Maqedoninë e Veriut. Para së gjithash, ky është një vend anëtar i NATO-s, me bisedime për anëtarësim në BE, prandaj është një partner i qëndrueshëm. Parakusht i rëndësishëm për rritjen e investimeve është edhe mbështetja që marrin kompanitë nga shteti për krijimin e kushteve të favorshme të punës. Patjetër, këtu kemi punëtorë cilësorë dhe për këtë arsye kushti jonë kryesor janë vende punë të qëndrueshme dhe të paguara mirë për qytetarët tanë. Në këtë kohë krize dhe për t’u përballur në mënyrë më gjithëpërfshirëse me pasojat, sipas drejtimit tim, ne po veprojmë në mënyrë aktive në dy linja. Thashë që askush nuk do të mbetet vetëm dhe prandaj si Qeveri e përgjegjshme, periudhën e fundit kemi ofruar dy pako masash kundër krizës për mbrojtjen e qytetarëve dhe kompanive më të rrezikuara me vlerë prej mbi 760 milionë euro. Për këtë arsye ne vazhdimisht sigurojmë 80% energji elektrike të subvencionuar, si dhe energji elektrike të lirë për mbarëvajtjen e funksioneve vitale të shtetit. Me masat e fundit për energji elektrike të lirë për industrinë ushqimore presim që çmimet e bukës, qumështit, mishit dhe produkteve të tjera bazë të ulen dhe të mbrojmë standardin e qytetarëve. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të kemi një strategji të qartë për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin afatgjatë të vendit. Ne kemi atë drejtim. Duhet të mendojmë për të ardhmen. Dhe në këto kohëra të vështira krize, detyra jonë është të sigurojmë kushte për krijimin e vendeve të reja të punës, por sigurisht edhe vende pune më mirë të paguara për të përballuar rritjen e shpenzimeve të jetesës. Dhe sot jemi këtu, sepse ky plan për përballimin e krizës është realizuar, jep rezultat. Krahas mbështetjes për më të cenuarit dhe kompanitë, në Maqedoninë e Veriut po investojnë kompanitë globale dhe po hapen vende të reja dhe më mirë të paguara”, tha Kovaçevski dhe shtoi se në dy muajt e ardhshëm deri në fund të vitit do të prezantohen edhe katër investime të tjera.

Jovan Despotovski, drejtor i ZZHTI-së, tha se nga një bisedë modeste dhe e hapur në Stamboll me pronarin e “Teknopanel”, Orhan Kahvexhi, sot arritëm në një investim real prej 20 milionë eurosh dhe 120 vende të reja pune me paga mbi mesataren shtetërore.

“Ky është i fundit nga investimet që kemi prezantuar këtë periudhë dhe që tashmë i kalojnë 620 milionë euro. Të njëjtat parashikojnë hapjen e 5000 vendeve të punës me të paguara mirë për bashkëqytetarët tanë.

Ky është rezultat i konceptit të ri të ZZHTI-së dhe Qeverisë për tërheqjen e investimeve. Ne jemi të hapur, të ndershëm dhe të drejtë. Kjo është strategjia për të cilën pyesin nga VMRO-DPMNE-ja. Strategjia jonë nuk është DO TË, por TANI – investime reale dhe vende pune reale. Kjo është ajo që na bën të ndryshëm dhe të suksesshëm”, tha Despotovski.

Orhan Kahvexhi, pronar i kompanisë “Teknopanel” tha se ky investim i ri është kapaciteti i pestë prodhues, por edhe njëkohësisht fabrika e parë për prodhim jashtë Turqisë.

“Investimi i ri do t’i jep vlerë të shtuar ekonomisë në Maqedoninë e Veriut. Para së gjithash, kjo është qendra e Evropës, nga ku do të eksportohet prodhimi. Me ndihmën e bashkëpunimit me kompani nga rajoni, njerëz të kualifikuar, besoj se kjo do të jetë një tjetër histori suksesi e jona. Mbështetja dhe stimulimet e Qeverisë janë gjithashtu shumë të vlefshme për ne”, tha Kahvexhi.

Në ngjarje fjalim mbajti edhe Hasan Mehmet Sekizkok, ambasador i Republikës së Turqisë në Shkup, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve, me fokus të veçantë në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve.

Në dhjetë muajt e parë të vitit u hapën mbi 2000 vende të reja pune në kompanitë në ZZHTI dhe numri i të punësuarve u rrit për herë të parë mbi 16.000. Kjo është një rritje prej 16% në një vit. Pothuajse 500 vende të reja pune u hapën vetëm në tetor. Aktualisht ZZHTI –ja ka rreth 30-35 klientë aktivë. Pesë fabrika që kanë nënshkruar marrëveshje janë në fazën e ndërtimit. Me konceptin e ri të ZZHTI-së dhe Qeverisë për tërheqjen e investimeve, vetëm në 18 muajt e fundit janë arritur marrëveshje prej 620 milionë euro, që është gati dy të tretat e vëllimit total të investimeve të realizuara në 10 vitet e fundit.