Kosovë, ndryshon udhëzimi administrativ diskriminues që ua ndalonte vajzave me shami vijimin e mësimit

Kosovë, ndryshon udhëzimi administrativ diskriminues që ua ndalonte vajzave me shami vijimin e mësimit

Juristi Durim Berisha, iniciator i kampanjës për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, ka njoftuar se kërkesa e tij për shfuqizim ose ndryshim të këtij udhëzimi, është miratuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, raporton Fol Drejt.

“Njoftojmë opinionin publik nga dita e sotme neni 3 paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është anuluar duke u bazuar në nenin 100 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Kërkesa të cilën e kam dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më datën 07.08.2022 e përmes të cilës kam kërkuar anulimin e nenit 3 paragrafi 1.13 të UA Nr. 06/2014 është aprovuar sipas rregullave të heshtjes administrative, ashtu si parashihet me Ligjin në fjalë.”

Berisha i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur kampanjën e tyre, ndërsa nuk ka harruar ta falënderojë edhe ministren Arbërie Nagavci, e cila e ka miratuar kërkesën në fjalë.

Ky është njoftimi i tij i plotë:

ANULOHET DISPOZITA DISKRIMINUESE PËRMES HESHTJES ADMINISTRATVE

Njoftojmë opinionin publik nga dita e sotme neni 3 paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është anuluar duke u bazuar në nenin 100 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Kërkesa të cilën e kam dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më datën 07.08.2022 e përmes të cilës kam kërkuar anulimin e nenit 3 paragrafi 1.13 të UA Nr. 06/2014 është aprovuar sipas rregullave të heshtjes administrative, ashtu si parashihet me Ligjin në fjalë.
Në bazë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative organi kompetent ka afat 45 ditë që të përfundojë një procedurë administrative përmes aktvendimit. Në rast se organi kompetent nuk e refuzon kërkesën, nuk kërkon plotësimin e saj apo nuk e njofton palën për shtyrjen e afatit, ajo konsiderohet e aprovuar në heshtje pas kalimit të afatit 45 ditësh. Në bazë të nenit 160 paragrafi 2 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, rregulli për miratim në heshtje të kërkesave do të vlejë për të gjitha procedurat administrative, përpos kur është e ndaluar shprehimisht me ligj.
Marrë parasysh se kërkesën e kam dorëzuar më 01.08.2022 dhe sot jemi më 16.09.2022, ndërsa nuk kam pranuar asnjë vendim refuzues, kërkesë për plotësim apo njoftim për shtyrje të afatit, kërkesa është aprovuar.
Na lejoni falënderojmë secilin që ka mbështetur kampanjën e iniciuar nga Liridon Kurti për të mbështetur kërkesën e dorëzuar formalisht. Ministrja Arbërie Nagavci e ka pasur mundësinë që t’i len vetes pak merita në kthimin e ligjshmërisë. Sot asaj i mbetet vetëm alternativa që pa humbur kohë të plotësojë UA nr. 06/2014 me vërtetimin për aprovim të kërkesës përmes heshtjes administrative me të vetmen pikë, anulohet neni 3 paragrafi 1.13 i UA nr. 06/2014.
Nëse ajo nuk e bën një gjë të tillë, brenda 7 ditësh do t’i drejtohem Prokurorisë së Shtetit me Kallëzim Penal, sepse kapadaizmit dhe anarkisë duhet t’i vjen fundi.
Procedurat juridike nuk janë zhurmë, janë mjeti i vetëm për të realizuar të drejtat që i takojnë dikujt. E të drejtën që të takon, ashtu si thotë Malcolm X, nuk duhet të presësh që ta jep dikush, duhet ta marrësh vet. Për drejtësi nuk ka nevojë të negociohet, serviloset e nënshtrohet asnjëri. Thjeshtë duhet ndjekur rrugën që garanton Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Për fund ta sqarojmë sërish, se neni 3 paragrafi 1.13 i UA të MASHT nr. 06/2014 nga dita e sotme më nuk është në fuqi, sepse aktet juridike të përgjithshme ndryshohen jo vetëm nga organi që e ka nxjerrë atë akt juridik, por edhe përmes procedurave që kërkojnë anulimin e një dispozite të caktuar, ashtu si në rastin konkret.
Është për të ardhur keq kur bartësit e institucioneve shtetërore mendojnë se duke neglizhuar palët në procedurë “i heqin qafe ato”. Në fakt kur organet administrative nuk veprojnë, ato miratojnë kërkesat e palëve në procedurë. Shfrytëzojeni dembelinë dhe paditurinë e këtyre bartësve të funksioneve publike, për të realizuar të drejtat që ju takojnë.