` . Kosovë, 6 të vdekur dhe 187 raste të reja me COVID-19 - TV SHENJA

Kosovë, 6 të vdekur dhe 187 raste të reja me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 6 persona të diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke çuar në 108 numrin e të vdekurve nga ky virus në nivel vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), edhe 187 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus ndërsa numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 5.118 raste.

Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 424 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt e këtij viti deri më tani janë testuar gjithsej 28.640 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat e fundit njoftojnë për 103 pacientë të rinj derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.370 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.640.

Sot gjatë ditës deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Frashër Demaj, ka konfirmuar se është një nga të diagnostikuari pozitiv me koronavirus. Ai është shprehur se “nga e premtja jam vetizoluar në shtëpi dhe po ndjek rekomandimet e mjekëve”.

Gjithashtu prej javës së kaluar i diagnostikuar pozitiv me koronavirus është deklaruar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, si dhe deputetët Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli e Arben Gashi nga kjo parti. Sot edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) , Abelard Tahiri, njoftoi se ka marrë rezultat pozitiv në testin për COVID-19.