` . Kosova para një rrugëtimi të vështirë - TV SHENJA

Kosova para një rrugëtimi të vështirë

Editorial i Revistës Shenja

Shkruan: Ismail Sinani

Para më shumë se dy mijë vjetësh Aristoteli ka paralajmëruar se “tirania mund të zëvendësohet me tirani”. Shumë shekuj më vonë ne jemi dëshmitarë se si konceptet e ndryshme politike, të proklamuara si vlera demokratike, pa/me dashje po rrëshqasim drejt antidemokracisë.

Kur para thuajse dy dekadash, më saktësisht para 21 vitesh, Kosova i dha fund aparteidit serb, euforikët patën krijuar bindjen se çështja mori fund, ndonëse shenjat e para jepnin alarmin se ky vend do të duhet të bëjë një rrugëtim të gjatë në formësimin e vet të plotë shtetëror.

Kosova sot po kërcënohet në shumë dimensione. Nga brenda, nga jashtë, nga oligarkët… Ndërkaq suksesi i saj do të varet nga çështja bazë se sa në të vërtetë është e gatshme të ulet në bisedime dhe ku e ka limitin e kompromisit, gjithmonë duke e pasur parasysh ndryshimin gjeopolitik, por edhe paaftësinë e saj institucionale. “Individët dhe grupet, që i kundërshtojnë diktaturat dhe i mbështesin bisedimet, shpesh kanë qëllime të mira. Veçanërisht kur një luftë ushtarake ka vijuar për vite me radhë kundër një diktature të ashpër pa ofruar një fitore finale, është e kuptueshme që të gjithë njerëzit, pavarësisht bindjes politike, mund të dëshirojnë paqe”, thotë Gene Sharp, por kjo sentencë jep edhe alarmin se mes qëllimit të nisjes dhe cakut shpesh ka dallime thelbësore!

Ngujimi i Presidentit Hashim Thaçi, nga prokuroria e Gjykatës Speciale në vigjilje të takimit të Uashingtonit, tregon qartë se rrjedha politike në Kosovë nuk guxon assesi të kundrohet nga prizmi i vitit 1999, kur bota gjeopolitike ishte e njëtrajtshme.

Sot, ndonëse për klasën politike shqiptare që nga periudha e rënies së “perdes së hekurit”, thuajse pa përjashtim, “dielli lind në Perëndim”, po shihet qartë se as Perëndimi më nuk është sikurse dikur, e as Lindja nuk është ajo që ka qenë.

Periudha “para Uashingtonit” shpërfaqi krizën konceptuale që ka (kishte) Kosova. Nëse Presidenti Thaçi, “pa doreza”, përbuzte Bashkimin Evropian në favor të Riçard Grenellit, misionarit të Presidentit amerikan, Donald Trump, kryeministri Albin Kurti (tashmë ish) përpëlitej për ta mbajtur pushtetin dhe paralelisht i diktonte rregullat (normale) për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve si dy palë (të barabarta) me Serbinë.

Dhe, duket se, në rrafshin personal, disfatisti më i madh doli të jetë Hashim Thaçi. Sikur ta kishte lexuar Hantingtonin, do ta kishte kuptuar më lehtë ribërjen e rendit të ri botëror. Së paku do ta kishte kuptuar se me kalimin e kohës, ndonëse në Perëndim “Europa dhe Amerika do të bëhen shoqëri të çara, që përfshijnë dy bashkësi të dallueshme dhe mjaft të shkëputura…”. Po ashtu do ta kishte kuptuar se rritja e Kinës ka filluar në mes të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar, por se “dallgët e cunamit” në këtë pjesë të globit do të ndjehen pas 30-40 vjetëve (Në vitin 2019 mbi 100 mijë kinezë e kanë vizituar Serbinë). Ose, do ta kishte kuptuar edhe më mirë se Rusia cariste nuk do të ngelë përgjithmonë ajo e Jellcinit, porse ajo rreth vetes “do të krijojë një bllok me një terren qendror ortodoks nën udhëheqjen e vet”. Pra, do ta kishte më të qartë se fuqitë e mëdha të së kaluarës, cilatdo qofshin ato, në ciklin e zhvillimit të tyre kanë tendenca të rikthimit të shpejtë “në lojë”.

Gjithë kjo tregon se dalzotësit e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë e kanë patjetër t’i shmangen folklorizmave se “puna kryhet shumë shpejt”, sepse “Perëndimin e kemi me ne”. Përqendrimi i atyre ose i atij që do t’i rreket këtij procesi, kuptohet pas zgjedhjeve (që do të duhet të mbahen) në Kosovë, do të duhet të jetë amortizimi i të gjithë këtyre influencave që do të vijnë nga qarqe të ndryshme.

Sot harta ekonomike e botës po e dikton fuqishëm edhe shtrirjen gjeopolitike. Lufta në Siri dhe, së fundmi, edhe ajo në Libi, është leksioni bazë për ata që duan ta kuptojnë se cilat janë kahet e ndryshimit të botës.

Lidhja emocionale-politike e një lideri pas një “emisari” u pa qartë se sjellë pasoja të rënda për shtetin. Homologu i Hashim Thaçit, Ismail Qemali, pak para se të vdiste, në kujtimet e tij, përshkruan një rast tejet interesant, që do të duhej të ishte mësim i mirë për të gjithë politikanët: “Si një matrapaz që ka falimentuar në pazar, Wilhelm Wied-i e kuptoi se nuk i kishte mbetur tjetër veçse të ikte. Lufta e madhe kishte nisur dhe së shpejti flakët e saj do të përpinin krejt Evropën. Flotat e Fuqive të Mëdha e lanë Durrësin në mëshirën e fatit dhe Princi u shkoi pas me një jaht të vogël italian që i ishte lënë në gatishmëri”.

Prandaj sot Kosova, por edhe politika shqiptare në përgjithësi, krahas divergjencave të mëdha, ka nevojë për konsolidim të brendshëm politik në rrugëtimin e saj të vështirë.