Kosova në Kongresin e Vlonës

Shkruan: Mustafa Merlika-Kruja

Ja këtù shkurtas, nji nga provat e këtij pretendimi qi, ndofta, do të cilësohet me fjalën guximtar prej atyne…historianve në havá me asnji fakt në dorë:

Më 13.X.1912, pas mesdite, në Shkup, në shpi të Salih Gjukës nga Peja u mbajt nji mbledhi nën kryesi të Nexhip Dragës prej pjestarve të komitetit “Shpëtimi” e të “Shoqnia e zezë” ku mora pjesë me këta shokë: Mit’hat Frashëri, Salih Gjuka, Kemal Kumbaraxhiu, Rexhep Mitrovica e Beqir Shilka (Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini qi kishin luejtë role ma rândësi në revolucionet e Shqipnis (1908-1912) gjindeshin në krye të forcave vullnetare në kufit e Serbis e të Karadakut. Pra, megjithqi nuk ishin në pozitë me marrë pjesë me kët mbledhi, ishin plotësisht e moralisht mbrênda në lëvizje. Hasan Prishtina, nji ditë përpara, duke u shtrëngue m’u nisë për Prepalas (petrita ma me randësi në mes të Prishtinës e Vuçiternit), u ndá prej meje në kafe “Shar” të Shkupit pasi u muar vesh kryekëput mbi çdo eventualitet politik. Pra, kjo mbledhi përfaqsojte moralisht e materialisht krejt popullin revolucionar të Kosovës).

Mbi kët mbledhi, Nexhip Draga, me nji thellësi e kjartësi gjykimi qi mund të ketë vetëm nji kokë nga shkalla e parë, mbasi e shoshiti mirë situatën e krijuem prej luftës, mbasi na mbûshi mêndjen se lufta do të mbjeret domosdo nga Turkia, proponoi të vendoset: 1. Qi t’i komunikohet shteteve të mëdha kjo deklaratë:

“Populli i Shqipnis po i kap armët jo për t’a mbrojtë existencen e Turkis në Ballkan, por për t’i dalë zot tokave të veta. Pra, sidoqi të jetë fati i luftës, populli i Shqipnis ngul kâmbë për nji Shqipni të lirë e me nji formë studimi të vêtme”;

  1. Qi të shënohen tre apo katër shokë për t’u nisë menjëherë për malci të Shkodrës me këta dy misione: a) me i shkëput malcorët nga ushtria malazeze; b) me organizue, kudo qi të munden nji kongres për t’a caktue fatin e Atdheut.

Deklarata, me nji vulë “Shoqnia e zezë, Dega e Shkupit” për firmë e me dorë të nxânsave të lyceut të Shkupit iu dorëzue konsullatave të shteteve të mëdhá e nji delegatë prej Mit’hat Frashërit, Salih Gjukës, Rexhep Mitrovicës e meje u nis për në Malci të Shkodrës.

Kjo deklaratë, me të arritun në Pejë, hoqi dorë nga pika e parë e misionit të vet e u shtrëngue të veprojë vetëm për realizimin e pikës së dytë, pse, Prishtina, Shkupi ishin rá, Peja po rrzohej e Turkia ishte duke u shkatrrue e duke hikë nga Kosova me shpejti rrufêjet. Nuk ishte mâ koha për t’u marrë me fatin e Shkodrës.

Më 22.X.1912, p. p. me iniciativën energjike të Bajram Currit, u mbajt nji mbledhje e hapët në Pejë e pasmedite nji tjetër në Cërnabreg të Gjakovës ku u vulos nji letër përfaqësimi plotfuqijet për këtê delegatë e ku caktohej kjartas misioni i saj: “me ndalue coptimin e Shqipnis duke përdorë çdo mjet”.

Më 23.X.1912 ky akt u firmue nga paria e Plavës e e Gucis në Gjakovë.

Më 31.X.1912 delegata e Kosovës arriti n’Orosh të Mirditës ku konferoi dhe u muer vesh fare mire me emzot Primo Doçin, Abatin e Mirditës, me Zef Ndocin e me nji pjesë të paris së këtij vêndi.

Aty më 6.XI.1912 kjo delegatë ra më Valias ku u poq me Abdi Toptanin, u muer vesh fare lehtas me të dhe këndoi nji letër të Syreja Vlorës. Kjo letër, pasi shpiegonte situatën e Turkis e atë t’Europës, fliste për nevojën e shpëtimit të Shqipnis nga coptimi dhe mbaronte: “me má të parin mjet do të nisem për në Durrës ku do të mirremi vesh goja-gojas”.

Në bazë të kësaj letre e me proponimin e Abdi Toptanit delegata e Kosovës, pasi u pa me nji rreth të ngushtë të Tiranës vajti në Durrës bashkë me Abdi Toptanin, Refik Toptanin e Murad Toptanin. Këtu u shtuen edhe dy shokë të vlershëm: Dom Kaçorri, ipeshkvi i Kurbinit e Mustafa Kruja. Por, desh fati apo prapaniksia e popullit të Durrësit t’asaj kohe qi fjalët e mija e të Murad Toptanit në bashki të këtij qyteti të bâjnë reaksion e të fitoj thema e despot Jakovit: “Nuk duhemi prej Babës (!)”. Kështu, durrsakët e 1912-ës jo vetëm nuk iu veshën lëvizjes, por, shkuen e kërkuen nga prefekti i Turkis qi të largohet delegata e Kosovës mbrenda më 24 sahat. Syreja Vlora nuk erdhi dhe delegata bashkë me Toptanët u kthye për së dyti herë në Tiranë: kongresi  në Durrës dështoi duke shkaktue dame pa hesap për Shqipnin e ardhme.

Në Tiranë delagata e Kosvës gjeti dy telegrama e nji letër:

BUKURESHT

“Aveniri i atdheut asht i sigurtë, mbani qetësin

Ismail KEMAL”.

VLONË

“Po marrim vesh se delegata e Kosovës ka arritë më Tiranë. I lutemi të niset mejherë për në Vlonë”.

“Eqrem VLORA”.

Shkurtimi i letrës

“Pasi u ndava nga jush në Gjakovë arrita në Malci të Dibrës: u mora vesh me krênt e kësaj malcije dhe me parin e Dibrës së Madhe në bazë t’nstruksioneve qi pata prej jush. Ju lutem lajmoni se kù do të mblidhet kongresi i projektuem qi të niset delegata e Dibrës”.

Zerqan

“Emruallah Ohri”.

E, të nesërmen, nji telegram të tretë:

SHKODËR

“Delegatës së Kosovës”

Durrës.

“Ju lutem qi të vêni në Jugë ku do të mundeni t’a kryeni mâ mirë misionin t’uej”.

“Esad Toptani”.

Nji bisedë e shkurtë në shpi t’Abdi Toptanit vendosi tri punë:

Kongresi do të mblidhet në Vlonë;

Mit’hat Frashëri e Salih Gjuka do të shkojnë n’Elbasan ku pasi të zgjidhet delegate e këtij vêndi do të vijojnë bashkë me tê rrugën për në Vlonë;

Rexhep Mitrovica me mue (Mustafa Kruja) do të nisej drejt për në Vlonë.

Lëvizja ishte gjeneralizue, vêndi i kongresit ishte caktue definitivisht.

Po atë ditë, afër darkës, nji telegram tjetër:

Wien

“Po nisim për në Durrës”.

“Ismail Kemal”.

Më 25.XI.1912, kah darka u bashkuen në Fier, në shpi t’Ymer Pashë Vrionit shumica e madhe e delegatëve qi realizuen Kongresin e Vlonës dhe proklamuen, nën bombardimin e flotës greke, të rrethuem nga toka e nga deti Shqipnin indipendente e me kufit e saj ethnik.

LIRIJA KOMBËTARE 25 Shtator 1930.