` . Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen -më afër apo më larg njëra tjetrës - TV SHENJA

Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen -më afër apo më larg njëra tjetrës

Në këtë studim shqyrtohet korrelacioni identitar mes Kosovës e Shqipërisë. Përmes analizës krahasuese vihen në pah ngjashmëritë dhe diferencat në rrugëtimin historik të popullsisë së këtyre dy territoreve. Punimi identifikon momentet kyçe historike që i dhanë vulën identitare Kosovës. Vrojtimi i këtyre momenteve historike nxjerr përfundimin se ishte qëndrimi serb karshi Kosovës ai që ka rezultuar realitete të ndryshme kulturore e politike në korpusin etnik shqiptar që nga idetë e para kombëtare shqiptare e deri më sot. Punimi provon se ka një identitet të qartë kulturor e politik të Kosovës, i cili në kohët në vijim do të artikulohet gjithnjë e më shumë si një identitet i veçantë kombëtar dhe se diferencat kulturore e politike mes Kosovës e Shqipërisë do të ngelin pavarësisht ndryshimit eventual të qëndrimit të Beogradit karshi Kosovës.

Ky studim është përgjigje ndaj disa zërave në diplomacinë evropiane se involvimi i Tiranës zyrtare mund të jetë frytdhënës në dialogun Beograd-Prishtinë. Përmes argumentimit historik, studimi provon të kundërtën: involvimi i Tiranës zyrtare në dialogun Prishtinë-Beograd e ndihmon Beogradin, e rrjedhimisht e rëndon problemin e Kosovës, e më këtë edhe e komplikon kompromisin që e synon Bashkimi Evropian lidhur me këtë problem.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Më 21 Shtator 2020, në Vushtrri, qytet 20 km në veri të Prishtinës, po përurohej shtatorja e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të vrarë në Tiranë fiks 22 vite më parë. Vrasja, e pandriçuar akoma, supozohet se është bërë nga rivalët politikë të kohës në bashkëpunim me strukturat shtetërore të shtetit shqiptar në atë kohë. Në përurimin e shtatores merrnin pjesë: Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, komandanti i ushtrisë, zyrtarë të tjerë dhe ambasadorë të huaj. Në fund të këtij manifestimi, ansambli i qytetit shfaqi një valle, ku valltarët valonin flamuj të Kosovës. Koreografi kishte paraparë që, në fund të valles, flamujt e Kosovës të lëshoheshin për toke dhe në skenë të paraqitej një valltar duke ngritur lart flamurin e Shqipërisë.

Kudo në botë ky do të ishte një skandal i madh. Madje, edhe sikur kjo shfaqje të vihej në skenë diku në Afrikë, qeveria e Kosovës do të duhej të bënte notë proteste. Por, në këtë rast, i vetmi reagim ishte i autorit të këtyre rreshtave. Për krejt udhëheqjen më të lartë shtetërore të Kosovës kjo valle ishte “një manifestim patriotizmi”.

Një vrojtues i jashtëm e ka të pamundur ta kuptojë këtë sjellje nëse nuk futet thellë në gjenezat identitare të Kosovës e të Shqipërisë. Shumë vizitorë të huaj kanë vënë re se në hapësirat publike në Kosovë ka prani më të madhe të flamurit të Shqipërisë se të atij të Kosovës. Arsyet janë të shumëfishta. Secilën nga këto do t’i analizojmë në vijim.

E para – ideologjia kombëtare shqiptare e pranishme në Kosovë më herët sesa në territorin e Shqipërisë së sotme.

E dyta – çdo komb në memorien e tij kolektive evokon ditët e tij më të mira në histori. E ditët më të mira në historinë e Kosovës ishin ato të kohës së Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova hoqi qafe regjimin serb, që synonte ta shfaroste popullsinë e saj shumicë me metodat më brutale. Ndërprerja e papritur e skamjes dhe gjenocidit u shoqërua me liri, emancipim e bollëk. Shqiptarët e Kosovës ishin ata që e morën pushtetin në Tiranë. Gjithë ky lulëzim u shoqërua me praninë e flamurit kombëtar shqiptar. Lidhja emocionale me këtë simbol, në fakt, është lidhje emocionale me kohën e artë.

E treta – pushteti serb ka insistuar se nuk ka kurrfarë lidhje etnike mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Flamuri ishte një mjet kundërshtimi ndaj insistimit serb.

E katërta – kur, për Beogradin, Kosova e pavarur u paraqit si një formulë më e rrezikshme për Serbinë, për shkak se u përkrah nga Perëndimi, gjithë rrjeti agjenturor i Serbisë në Kosovë u hodh në kundërshtimin e flamurit të Kosovës. Në pamundësi të rivalizimit të flamurit të Kosovës me flamur të Serbisë e rivalizuan atë përmes flamurit të Shqipërisë. Tri arsyet paraprake krijuan terren të shumë të përshtatshëm për këtë të fundit.

Këto që thashë më lart argumentohen me udhëtimin historik të korpusit etnik shqiptar në kohët moderne.

Deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, territoret e banuara me shqiptarë në Ballkan ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Idetë e Revolucionit Francez në Perandorinë Osmane depërtuan pas Luftës së Krimesë (1853-1856). Këtu anglezët e francezët e ndihmuan Perandorinë Osmane në luftën kundër Rusisë, por bashkë me këtë ndihmë futën frymë evropiano-perëndimore. Shqiptarët, të ndarë në 4 komunitete fetare (myslimanë suni, bektashi, të krishterë ortodoks dhe katolikë), e kishin më problematike procesin e komb-formimit. Arsyet po i jap në vijim.

Të ndikuar nga sistemi i mileteve në Perandorinë Osmane, kombformimi grek, serb e bullgar u bë mbi bazën e komunitetit fetar. Beteja për autoqefalinë e kishës dhe pavarësimin e vendit ishin promotorë të njëra-tjetrës. Grekët e fituan pavarësinë e vendit më 1829/30 ndërsa autoqefalinë e kishës së tyre më 1850. Serbët e fituan pavarësinë e vendit të tyre më 1878, kurse autoqefalinë e kishës së tyre më 1879. Bullgarët e fituan autoqefalinë e kishës së tyre më 1870, autonominë e vendit të tyre më 1878, ndërsa pavarësinë më 1908. Komunitetet e tjera fetare (jokristiane ortodokse) të këtyre korpuseve etnike u shfarosën gjatë revolucioneve përkatëse. Një pjesë u vra, një pjesë u detyrua të rikonvertohet në fenë ortodokse, një pjesë tjetër u detyrua të shpërngulet në brendi të Perandorisë Osmane, ndërsa pjesa që mbeti ishte e përmasave të papërfillshme.

Te pjesa e popullsisë myslimane në Perandorinë Osmane idetë kombëtare ishin refleksion i ideve kombëtare në territoret që po shkëputeshin prej saj. Ideja kombëtare turke nuk mund t’i përjashtonte etnitë që tashmë ishin islamizuar në shumicë (boshnjakët, shqiptarët, kurdët, arabët, llazët, abhazët etj.), por as pjesët minore myslimane (hungareze, rumune, kroate, serbe, bullgare, greke, etj), të cilët ishin të përjashtuar nga bashkëjetesa me të krishterët e këtyre etnive përkatëse. Jeta e përbashkët disashekullore e feja dhe përbashkët kishin krijuar një simbiozë dhe ndjenjë përkatësie, të cilën ideologët kombëtarë turq ia vunë fillimisht emrin “osmanizëm”, por që me kohë u definua si “komb turk”.

Në këtë atmosferë shqiptarët e parë që përhapën frymën e Revolucionit Francez (1789) nuk i proklamuan idetë për kombin shqiptar, por për kombin turk. Ideja kombëtare shqiptare u nis nga pjesëtarë të komunitetit ortodoks (Naum Veqilharxhi /1797-1846/, Jeronim De Rada /1814-1903/) e pastaj nga pjesëtarë të komunitetit katolik (Zef Jubani /1918-1980/, Pashko Vasa /1825-1892/). Ai që më vonë do të quhet ideolog i zgjimit kombëtar shqiptar, Sami Frashëri (1850-1904), punoi paralelisht për idenë kombëtare turke dhe idenë kombëtare shqiptare. Dëshmia më e fortë për këtë është se kur më 1937, Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu (1895-1961) kërkoi nga Mustafa Kemal Ataturku (1881-1938), që eshtrat e vëllezërve Frashëri (Abdylit /1839-1893/, Naimit /1850-1900/ dhe Samiut) të zhvendosen nga Stambolli në Tiranë, qeveria turke i dorëzoi eshtrat e dy vëllezërve më të vjetër, por jo edhe të Sami Frashërit, kjo me arsyetimin se Samiu i përket më shumë kulturës turke.

Gjithsesi, ndërgjegjja kombëtare shqiptare, që proklamohej nga disa individë të arsimuar nga të gjitha komunitetet fetare shqiptare, ishte e pamjaftueshme për të depërtuar në masat e gjëra për disa arsye.

Te komuniteti i krishterë ortodoks shqiptar priftërinjtë ishin kryesisht grekë dhe orvateshin për të injektuar ideologjinë kombëtare greke. Këtu bënin përjashtim disa priftërinj, që i takonin lëvizjes kombëtare shqiptare, por ata përndiqeshin, helmoheshin dhe vriteshin nga eprorët e tyre grekë. Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare do të njihej tek më 1937, që d.m.th. 25 vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Te komuniteti katolik shqiptar priftërinjtë ishin të shkolluar ose në Itali ose në Austro-Hungari. Këto fuqi, edhe pse të interesuara për krijimin e një ndërgjegje kombëtare shqiptare, kishin rivalitet mes vete dhe atë çfarë e bënte njëra, e zhbënte tjetra dhe vice-versa.

Te komuniteti mysliman (që përbënte 85% të popullatës shqiptare) në shkolla dhe institucione fetare dominonte ideja kombëtare turke.

Vetëm komuniteti shqiptar protestant ishte tërësisht i përfshirë në idenë kombëtare shqiptare, por ky komunitet ishte i vogël, pothuajse i papërfillshëm.

Ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar në masë ndodhi tek në vigjilje të Kongresit të Berlinit (1878). Ky ndërgjegjësim preku kryesisht popullsinë e Vilajetit të Kosovës dhe atij të Shkodrës. Rreth dyqindmijë shqiptarë të Sanxhakut të Nishit u përndoqën nga ushtria serbe më 1877 dhe 1878. Ardhja e një numri kaq të madh të refugjatëve në territorin e Kosovës, ngjalli shqetësim për fatin e mëtutjeshëm të shqiptarëve në këtë territor dhe kjo u përkthye në zgjim të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Si rrjedhojë e kësaj, u organizua Lidhja e Prizrenit /10.06.1878/, organizatë kjo e krerëve fisnorë, fetarë e ushtarakë, kryesisht nga Kosova, Sanxhaku i Novi Pazarit dhe Veriu i Shqipërisë. Kjo organizatë bëri përpjekjen e parë për një shtet shqiptar. Më 1881 ky organizim u shua dhe krerët e saj u burgosën.

Sado që shkolla e parë shqipe u hap më 1887 në Korçë (Shqipëri jugore) nga komuniteti i vogël i protestantëve shqiptarë, numri më i madh i shkollave shqipe u hapën në Kosovë. Sipas statistikave osmane të asaj kohe, Kosova ishte vilajeti osman që kishte përqindjen më të madhe të të arsimuarve në gjithë Perandorinë Osmane.

Në pranverë të vitit 1912, deputetët më të rëndësishëm shqiptarë në Parlamentin Osman (Hasan Prishtina /1873-1933/ nga Kosova, Esad Toptani /1864-1920/ nga Shqipëria Qendrore dhe Aziz Vrioni, Mufit Libohova e Ismail Qemal Vlora nga Shqipëria jugore), takohen në Taksim të Stambollit, ku i japin premtimin njëri-tjetrit për të organizuar kryengritjen e përgjithshme, secili në krahinën e vet, në kërkim të autonomisë së Shqipërisë. Që të gjithë e tradhtuan Hasan Prishtinën.

Sidoqoftë, në qershor-korrik-gusht 1912, Hasan Prishtina e organizoi kryengritjen me rreth 40.000 luftëtarë, me ç’rast mori kontrollin e pothuaj të gjitha qyteteve të Vilajetit të Kosovës, përfshi Shkupin, kryeqytetin e atëhershëm të këtij vilajeti.

Qeveria Osmane u detyrua t’i pranonte kushtet e kryengritësve kosovarë, por sapo kjo u kuptua nga qeveritë ballkanike, këto të fundit (Mali i Zi, Serbia, Greqia e Bullgaria) lidhën aleancë mes vete dhe me 8 tetor 1912 e sulmuan Perandorinë Osmane me rreth 1 milion ushtarë. Territoret shqiptare, pas një rezistence të kuptueshme, u pushtuan nga vendet fqinje. Vetëm 2-3 qytete rreth Vlorës mbetën të papushtuara. Serbia e mori hisen e luanit.

Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913, ku u njoh ekzistenca e kombit shqiptar dhe u përcaktuan kufijtë e Shqipërisë, ashtu siç janë edhe sot, ushtritë serbe, malazeze e greke u detyruan të tërhiqen nga territoret që iu njohën Shqipërisë. Por, Kosova, Maqedonia e Sanxhaku i Novi Pazarit, iu nënshtruan terrorit shfarosës, që u ndërpre nga Lufta I Botërore, por vazhdoi sërish pas kësaj deri më 1941, kur Hitleri e shkatërroi Jugosllavinë.

Politikanët më të rëndësishëm kosovarë lanë pronat e tyre në Kosovë dhe u morën me aktivitet politik në Shqipëri. Pjesa tjetër mbetën në Kosovë për të mbrojtur popullin dhe pronat e tyre në shtetin serb.

E shpjegova më lart se si u tradhtua Hasan Prishtina me 1912. Në fakt, konflikti mes politikanëve nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria Jugore apo Qendrore vazhdoi edhe në Shqipërinë e pavarur. Ky konflikt më së miri pasqyrohet me fjalët e kryeministrit Ahmet Zogu në fund të dhjetorit 1924 (më vonë President /1925-1928/ e mbret /1928-1939/), kur deklaroi: “Shqipëria nuk mund të bëjë përparim pa marrëdhënie të mira me fqinjët. Për të pasur marrëdhënie të mira me fqinjët, ne duhet t’i heqim qafe elementët turbulentë që i prishin këto marrëdhënie”. Natyrisht, ata që i prishnin marrëdhëniet me Serbinë ishin politikanët nga Kosova e Maqedonia (Elez Isufi /1861-1924/, Bajram Curri /1862-1925/, Zija Dibra /1890-1925/, Hasan Prishtina /1873-1930/, Bedri Pejani /1885-1946/, Dervish Mitrovica /1878-1935/, Rexhep Mitrovica /1888-1967/ etj). Kështu, nga këta 7 politikanë prominentë nga Kosova e Maqedonia, brenda një viti, u vranë 3, ndërsa i katërti u vra pas 5 vitesh. Tre të tjerët ia dolën të strehohen në Itali.

Tek pas një dekade, kur Mbreti Zog e stabilizoi pushtetin, pasi i eliminoi të gjithë politikanët kosovarë në Shqipëri, filloi të ndërtojë kontakte me liderin politik të shqiptarëve në Jugosllavi, Ferat Dragën /1880-1944/. Ky ishte një raport mes shtetit amë me minoritetin etnik në vendin fqinj në masën që nuk i rrezikonte raportet me Beogradin.

Kur në pranverë të vitit 1941, Hitleri e shkatërroi Jugosllavinë, pjesa më e madhe e Kosovës, një pjesë e Maqedonisë dhe një pjesë e Malit të Zi iu bashkuan Shqipërisë. Pas agresionit të ushtrisë italiane më 7 prill 1939, Shqipëria e kishte bashkuar kurorën mbretërore me Italinë. Për Kosovën kjo ishte një rilindje e vërtetë: arsimimi në gjuhën amtare, administrata në gjuhën amtare, mundësia për biznes e shumë e shumë benefite të tjera, ndërsa kishin edhe një simbol të përbashkët – flamurin kombëtar shqiptar. Pas kapitullimit të Italisë, ishin udhëheqësit politikë kosovarë ata që riorganizuan shtetin shqiptar. Figura më markante e kësaj kohe, Xhafer Deva (1904-1978) nga Mitrovica e Kosovës, u bë ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ndërsa postin e kryeministrit të Shqipërisë e rezervoi për bashkëvendësin e tij më të vjetër, Rexhep Mitrovica /1888-1967/, i cili më 1912 e kishte nënshkruar pavarësinë e Shqipërisë dhe kishte qenë ministri i parë i Arsimit i Shqipërisë më 1920.

Para se ta merrte përsipër detyrën e riorganizimit të shtetit shqiptar, Xhafer Deva më1943 kishte pasur një bisedë me përfaqësuesin gjerman për Ballkan, Herbert Neubacher /1893-1960/, të cilit i kishte vënë kusht që nëse Gjermania do që ushtria e saj të pritet miqësisht nga shqiptarët, duhet të mundësonte që krahina e Mitrovicës dhe Novi Pazarit të shkëputet nga Serbia dhe t’i bashkohet Shqipërisë, si dhe që gjermanët të mos përziheshin në punët e brendshme të Shqipërisë. Kushti i parë u realizua me Lidhjen e Dytë të Prizrenit /16-20.09.1943/, ndërsa kushti i dytë, po ashtu, do t’i krijonte një avantazh shtetit shqiptar, krahasuar me vendet tjera ku kishte prani të forcave gjermane. Qeveria shqiptare nuk do të detyrohej t’ia dorëzonte hebrenjtë ushtrisë gjermane dhe, si pasojë, shumë hebrenj të ikur nga Serbia, Bullgaria e Greqia, por edhe vende të tjera evropiane, gjetën strehë në Shqipëri. Më 1945 numri i hebrenjve në Shqipëri (që përfshinte Kosovën dhe pjesë të Maqedonisë e të Malit të Zi0 u pesëfishua krahasuar me fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse krijimi i “Shqipërisë Etnike” u shoqërua me lulëzim arsimor, emancipim kulturor, sportiv dhe mirëqenie ekonomike pakrahasimisht më të mirë se në periudhat paraprake (gjatë mbretërimit të Mbretit Zog dhe gjatë pushtimit italian), një pjesë e klasës politike parashihte se Gjermania do ta humbiste luftën dhe ishin rreshtuar në krah të anglo-amerikanëve. Ata dëshironin të përfitonin nga fitorja anglo-amerikane. Këto forca ishin të përqendruara kryesisht në Shqipërinë e Jugut (republikanët e “Ballit Kombëtar”) dhe atë Qendrore (monarkistët e “Legalitetit”). Komunistët serbë, të shqetësuar me humbjen e Kosovës, më 08.11.1941 e kishin themeluar Partinë Komuniste të Shqipërisë. Tani, më 1943, lëvizja guerile partizane, e udhëhequr nga komunistët, ishte e përqendruar në jug të Shqipërisë. Kuptohet, në Kosovë dhe në territoret e tjera të Shqipërisë, që deri më 1941 ishin pjesë e Serbisë (Jugosllavisë), lëvizja partizane ishte e papërfillshme.

Pikërisht, atëherë kur u realizua ëndrra e ideatorëve të kombit shqiptar, kur pjesa më e madhe e territoreve me shumicë të popullsisë shqiptare u futën brenda një shteti, kur mirëqenia e qytetarëve bënte progresin më të madh në histori, ndodhi lufta civile. Arsyeja bazike ishte moskuptimi mes shqiptarëve të Shqipërisë së Vjetër (territoret e shtetit shqiptar në vitet 1913-1941) dhe Shqipërisë së Re (Kosova dhe territoret tjera të aneksuara më 1941 dhe 1943). Jeta prej tri dekadash në shtetin e pavarur shqiptar dhe ajo në shtetin serb (jugosllav) e ekspozuar ndaj shfarosjes, bënë që qytetarët e këtyre dy Shqipërive të kenë këndvështrime të ndryshme. Këto mospajtime i kishin edhe përfaqësuesit e tyre politikë. Kësaj plasaritjeje në shoqërinë shqiptare më së shumti i frynin emisarët serbë pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë: Miladin Popović, Dušan Mugoša, Tihomir Stojinić, Svetozar Vukmanović–Tempo etj.

Shumica e politikanëve shqiptarë nuk e shihnin rrezikun nga komunistët ashtu siç e shihte Xhafer Deva. Madje, edhe vetë kryeministri Rexhep Mitrovica e neglizhonte rrezikun nga komunistët. Shembulli më i qartë i këtij neglizhimi ishte intervenimi i tij për nxjerrje nga burgu të komunistit të ri, Bujar Hoxha, për shkak të miqësisë me babanë e tij të ndjerë. Pas daljes nga burgu, po i njëjti komunist vrau, me atentat, në banesën e tij në Tiranë deputetin Ilaz Agushi, që përfaqësonte Prishtinën në Parlamentin e Shqipërisë dhe ishte njëkohësisht nënkryetar i këtij Parlamenti.

Pas një vargu moskuptimesh, që e kishin gjenezën në mentalitetet e ndryshme të Shqipërisë së Vjetër dhe asaj të Re, plasi konflikti mes ministrit të Brendshëm Xhafer Deva dhe Mehdi Frashërit /1874-1963/, që mbante postin e kryeregjentit të Shqipërisë. Konfliktin mes Xhafer Devës dhe Mehdi Frashërit nuk e përballoi dot kryeministri Rexhep Mitrovica, i cili dha dorëheqje dhe, pas tij, edhe Xhafer Deva. Qeveria pasardhëse e Fiqiri Dines (1897-1960) ishte krejtësisht e çorientuar dhe pa kontroll efektiv mbi vendin. Pas këtyre ngjarjeve, komunistëve shqiptarë iu hap rruga për pushtet.

Gjermanët tashmë e kishin të qartë se po e humbnin luftën dhe po tërhiqeshin nga Greqia, andaj – me sa duket – duke mos dashur të rrezikonin jetën e ushtarëve të tyre, koketonin me partizanët komunistë ashtu siç e përshkruan agjenti anglez Peter Kemp /1913-1993/ në kujtimet e tija. Sapo gjermanët tërhiqeshin nga ndonjë qytet shqiptar, forcat partizane futeshin në qytet dhe masakronin gjithë kundërshtarët e tyre potencialë. Me 17 nëntor 1944 partizanët komunistë u futën në Tiranë, pasi që atë e kishin braktisur gjermanët një ditë më parë.

Kësisoj, partizanëve komunistë, edhe ashtu të përqendruar në Shqipërinë Jugore, u shkoi përshtati mënyra e tërheqjes së gjermanëve. Duke qenë më makiavelistë dhe të udhëzuar nga emisarët serbë, partizanët komunistë ia dolën që ta mundnin në Shqipërinë e Jugut forcat e Ballit Kombëtar, që ishte organizata kryesore pro anglo-amerikane. Sa më shumë që ngjiteshin drejt veriut, forca e tyre shtohej. Arritja e tyre në Kosovë (në Prishtinë më 19 nëntor, në Mitrovicë më 23 nëntor dhe në Novi Pazar më 28 nëntor 1944) u shoqërua edhe me forcat serbe e bullgare, me të cilët ata kishin bashkëpunim. Forcat demokratike e nacionaliste ishin të vetmuara.

Më 8-10 korrik 1945, në Prizren, nën trysninë e armëve të partizanëve komunistë, u mbajt një kuvend delegatësh nga Kosova, ku u vendos që Kosova të shkëputet nga Shqipëria dhe t’i bashkohet sërish Serbisë (Jugosllavisë). Kuptohet, që do të ketë pasur kundërshtime, pasiqë një numër i delegatëve nuk dolën të gjallë nga aty. Pas këtij Kuvendi në Kosovë vendoset regjimi ushtarak nga ana e Jugosllavisë. Kosova u vu tërësisht nën udhëheqjen e serbëve – edhe në nivel krahinor edhe në atë lokal. Ata pak komunistë shqiptarë të Kosovës (jo më shumë se 20 veta) u vunë në pozita periferike.

Dhuna dhe terrori komunist në Kosovë vazhdon deri më 1966, kur Presidenti i Jugosllavisë, Josip Broz Tito (1892-1980) e largon nga partia dhe postet shtetërore nënpresidentin Aleksandar Ranković (1909-1983). Përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë gjatë gjithë kësaj periudhe (1946-1966) konsiderohej akt armiqësor. Megjithëkëtë, të rinjtë dhe intelektualët kosovarë nuk hoqën dorë nga ky flamur edhe përkundër vrasjeve dhe burgosjeve.

Një aspekt të jetës që pushteti serb nuk kishte qenë në gjendje ta kthente në gjendjen para Luftës së Dytë Botërore ishte arsimimi në gjuhën amtare shqipe në Kosovë. Para Luftës së Dytë Botërore gjuha shqipe kishte qenë e ndaluar rreptësisht në shkolla dhe jetën publike. Pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia, mësimdhënësit shqiptarë u keqtrajtuan, por shkollat shqipe nuk u mbyllën. Ndërkaq në Sanxhakun e Novi Pazarit shkollat shqipe, të hapura më 1941, u mbyllën tërësisht, përfshi edhe ajo “Naim Frashëri” në Novi Pazar.

Në anën tjetër, në Shqipërinë komuniste tashmë çdo gjë kosovare trajtohej si nazi-fashiste dhe luftohej egërsisht.

Por, çfarë po ndodhte në anën tjetër të Oqeanit Atlantik? Politikanët që arritën t’i shpëtojnë plumbit, të përndjekur nga pushtimi komunist i Shqipërisë dhe pushtimi serb i Kosovës, ikën në katër anët e botës demokratike. Shumica e tyre u përqendruan në Amerikë. Meqë, ata u takonin rrymave të ndryshme politike me një armiqësi ekstreme mes vete sa as anti-komunizmi nuk i bashkonte dot, u desh një punë e mundimshme e amerikanëve dhe britanikëve që të krijojnë një front unik anti-komunist për të synuar rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri.

Më1949 amerikanët e britanikët shprehën hapur përkrahjen e tyre që kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, pas rrëzimit të regjimit komunist, të jetë kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri (1880-1949). Fill pas këtij vendimi, Frashëri u gjet i vdekur nga helmimi në një dhomë hoteli në New York. Rasti nuk është ndriçuar asnjëherë, por supozohet se është bërë nga kundërspiunazhi sovjetik ose nga ndonjë prej rivalëve të tij shqiptarë. Para se të merrte bekimin amerikan e britanik, Mit’hat Frashëri u detyrua të hiqte dorë publikisht nga programi i tij partiak që Kosova dhe territoret e tjera me shumicë shqiptare të jenë pjesë e Shqipërisë. Ishte e qartë – amerikanët e britanikët nuk dëshironin telashe me Jugosllavinë e Titos, e cila tashmë ishte distancuar nga sovjetikët.

Edhe pas vdekjes së Mit’hat Frashërit amerikanët e britanikët nuk hoqën dorë nga rrëzimi i pushtetit komunist në Shqipëri. Bashkëpunëtori më i ngushtë i amerikanëve në këtë drejtim ishte Xhafer Deva. Në periudhën 1949-1953, amerikanët hodhën në Shqipëri disa misione të diversantëve (shumica e tyre bashkëpunëtorë të Xhafer Devës). Të gjitha këto misione dështuan. Arsyeja ishte se regjimi komunist i Shqipërisë çdoherë kishte informacione të sakta për operacionet. Dyshimet për këtë rrjedhje të informacioneve sekrete ishin mbi Kim Philby-n, agjentin britanik të zbuluar se ishte shitur tek sovjetikët, por edhe kur ai u mënjanua, rrjedhja e informacioneve vazhdoi. Dyshimet e Xhafer Devës ishin mbi kolegët e tij politikanë nga “Shqipëria e vjetër”, të cilët duke u bërë xhelozë në autoritetin e Devës tek amerikanët, bënin që misionet e tij të dështonin. Kur më 1953 amerikanët hoqën dorë nga rrëzimi i pushtetit komunist në Shqipëri, Deva e vazhdoi aktivitetin e tij në mërgim, por tashmë hoqi dorë nga bashkëpunimi me politikanë nga “Shqipëria e vjetër”. Ai u përqendrua në bashkëpunimin me politikanët e mërguar nga Kosova e Maqedonia.

Kur një grup aktivistësh nisën themelimin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit dhe ia ofruan Xhafer Devës postin e kryetarit, ai e pranoi vetëm me kushtin që në këtë organizatë të mos ketë aktivistë nga “Shqipëria e vjetër”. Kësisoj Xhafer Deva u bë babai i idesë për pavarësinë e Kosovës. Kuvendi themelues i Lidhjes së Tretë të Prizrenit u mbajt në New York më 27.11.1966 dhe Deva u zgjodh kryetar i saj. Ai e udhëhoqi atë deri në vdekjen e tij më 1978. Gjatë gjithë kësaj kohe në Shqipëri e Jugosllavi nxënësve dhe studentëve u thuhej se Xhafer Deva ishte armiku më i madh i Jugosllavisë dhe Shqipërisë komuniste.

Në po këtë vit, kur në New York u themelua Lidhja e Tretë e Prizrenit, në Jugosllavi ndodhi një ndryshim dramatik – Tito e zhveshi nga të gjitha pozitat partiake e shtetërore nënpresidentin e Jugosllavisë, Aleksandar Ranković, i cili ishte simbol i dhunës ndaj shqiptarëve. Pas largimit të tij, Kosova fillon të frymojë në emër të barazisë mes “kombeve dhe kombësive” të Jugosllavisë, ndërsa në udhëheqësinë e Kosovës emërohen, për herë të parë, komunistët shqiptarë (deri në atë kohë ishin vetëm serbë). (Vijon në numrin tjetër)