` . Koronavirusi nuk i kalon foshnjës gjatë shtatzënisë - TV SHENJA

Koronavirusi nuk i kalon foshnjës gjatë shtatzënisë

Kryetari i Shoqatës të Shëndetit Riprodhues dhe Infertilitetit në Turqi (TSRM), Ahmet Zeki Işık, tha se koronavirusi nuk dëmton foshnjat në bark, veçanërisht as në fazat e vona të shtatzënisë.

Për Anadolu Agency (AA), Işık theksoi se diskutimet për ndikimin e virusit tek gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre janë duke vazhduar në mes të pandemisë globale të koronavirusit.

“Deri më tani kemi pasur nëntë raste të konfirmuara të grave shtatzëna të infektuara. Të gjithë kanë pasur lindje të suksesshme. Një paciente pësoi pneumoni të rëndë dhe është dërguar në Repartin e Kujdesit Intensiv. Ajo gjithashtu lindi një fëmijë të shëndetshëm dhe për momentin gjendja e saj është e qëndrueshme”, tha Işık.

Işık tha që nuk ka ndonjë ndryshim midis grave shtatzëna dhe njerëzve të tjerë kur bëhet fjalë për rrezikun e infeksionit, si dhe sëmundjen që shkaktohet nga virusi.

“Informacionet që kemi në dispozicion tregojnë se virusi nuk kalon nga nëna tek fëmija në bark. Prandaj, gratë shtatzëna nuk duhet të shqetësohen për foshnjat. Duhet thënë se kjo vlen kryesisht për gratë shtatzëna në javët e vona të shtatzënisë. Kemi shumë pak informacion për rastet e shtatzënisë së hershme. Rekomandimi ynë është që të gjithë duhet të jenë sa më të kujdesshëm”, tha Işık.

Duke theksuar se shtatzënia nuk ndryshon asgjë sa i përket përhapjes së infeksionit dhe sëmundjes me koronavirus, Işık tha se kjo është një sëmundje që është e rrezikshme për të gjitha kategoritë e njerëzve, veçanërisht të moshuarit dhe pacientët me kancer.

“Nuk duhet të përzihen grupe të ndryshme me koronavirusin sepse disa gripe sezonal mund të shkaktojnë probleme të mëdha gjatë shtatzënisë. Virusi Zika shkakton anomali tek foshnjat, por kjo nuk është rasti me koronavirusin”, tha Işık.