` . Koronavirusi dhe infodemia mediatike - TV-SHENJA

Koronavirusi dhe infodemia mediatike

Pyetja kryesore këtu ka të bëjë me atë se si këta
transmetues arritën të kapërcejnë kontrollin e qeverisë mbi informacionin. Në
fakt, kontrolli qeveritar nuk ka përfunduar ende, dhe disa histori të paktën
janë anashkaluar përkohësisht. Bërja e politikave në Kinë është më e
fragmentuar sesa duket nga jashtë, veçanërisht pasi që shpesh ekzistojnë
boshllëqe në praktikë midis autoriteteve qendrore dhe lokale.

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Mediat sociale në lidhje me koronavirusin janë vendmbledhje e
informacioneve dhe dezinformatave në të gjithë botën me shpejtësi të paparë,
duke nxitur panik, racizëm… dhe shpresë. Mosinformimi i duhur në internet në
lidhje me sëmundjen e koronavirusit, i quajtur tani Covid-19, duket se po
përhapet më shpejt se vetë virusi. Disa pretendime të bëra në lidhje me
origjinën dhe përhapjen e virusit mund të jenë të vërteta, por shumica e tyre
nuk janë dhe këto të pavërteta po nxisin teori konspirative që shërbejnë vetëm
për të përhapur frikën në një shkallë globale. Organizata Botërore e Shëndetit
(OBSH) e ka etiketuar përshkallëzimin e informacionit me termin “infodemi”,
duke argumentuar se “ua bën të vështirë njerëzve që të gjejnë burime të
besueshme dhe udhëzime të besueshme kur u duhen”.

Shkencëtarët kanë nevojë për kohë për të studiuar sëmundjen e re dhe për të
testuar vaksinat dhe trajtimet e mundshme, por manipulues të ndryshëm e shfrytëzojnë
këtë vakum kohor për të shpërndarë informacione te paqena. Paniku i krijuar nga
dezinformatat në lidhje me virusin dhe format kuruese të tij ka bërë që shumë
njerëz të ndjehen të frikësuar, të pafuqishëm dhe të dëshpëruar dhe lehtë të bien
në kurthin e formave alternative të kurimit që janë shpërndarë në të gjithë
rrjetin. Një ndër shembujt më të përhapur mbi kurimin e koronavirusit është një
mesazh fals, që është shpërndarë në WhatsApp, duke sugjeruar një recetë të
“mjekut të vjetër kinez” për ujë me hudhër. Një dozë shtesë e
vitaminës C thuhet se e largon infeksionin në radhë të parë, ashtu si të ishte
një ftohje e zakonshme. Të gjithë, nga ekspertët e vetëshpallur, ithtarët e
anti-vaksinimit, e deri tek shëruesit e besimit, kanë diçka për të thënë në
lidhje me kurat e mundshme për koronavirusin. Disa mund të kenë qëllim të mirë
dhe dëshirojnë të ndajnë çdo lajm përballë një përhapjeje ku sëmundja është e
re dhe ka ende shumë të panjohura, ndërsa të tjerët janë duke kërkuar vëmendjen
që do ta shtojnë trafikun në kanalet e tyre në mediat sociale.

Koronavirusi dhe mediat sociale

Më 19 janar – një javë para Vitit të Ri Lunar (Kinez) – Tommy Tang u largua
nga Shenzhen me të dashurën e tij për të vizituar familjen e saj në Wuhan për
pushime. Ata kishin dëgjuar për virusin Korona (tani zyrtarisht i njohur si
COVID-19), por me aq sa dinin, ai ishte lokalizuar në një zonë të vogël.
Pushteti vendor i kishte siguruar njerëzit se do t’i prekte vetëm ata që e vizituan
një treg specifik ushqimi dhe e kontraktuan atë direkt nga kafshët e egra. Por,
në natën e 20 janarit, Dr. Zhong Nanshan – i njëjti mjek që e zbuloi për herë
të parë shtrirjen e SARS-it në 2003 – në televizionin kombëtar deklaroj se
virusi mund të përhapet nga një person në tjetrin. Pasoi paniku. Gjatë natës,
të gjithë në qytet filluan të vënë maska. Tang dhe e dashura e tij e kuptuan që
nuk ishte më e sigurt të qëndrojnë aty. Ata i anuluan planet e tyre dhe ditën
tjetër u nisën me një tren. Më pak se 48 orë më vonë, qyteti u bllokua. Pasi u
kthyen ne Shenzhen, ata u vendosën në një karantinë 14-ditore, prej ku dilnin
vetëm një herë në ditë për të nxjerrë plehrat. Familja e Tangut, e cila po
ashtu jeton ne Shenzhen, nuk mundi t’u bashkohej atyre për ta festuar festën.
Tangu e uroj nënën për vitin e ri nëpërmjet telefonit të derës së apartamentit
të tij. Të gjitha nevojat shtëpiake i bënte me porosi nëpërmjet internetit. Në
ditën e tretë të karantinës, Tang hyri në një panik kur hapi aplikacionet dhe
pa se gjithçka ishte shitur plotësisht.

Më shumë se gjithçka, burimi më i madh i ankthit ka qenë procesi i
mundimshëm i shikimit të lajmeve të shpalosura në mediat sociale. Lajmet kanë
pasqyruar dhe forcuar frikën e tij në nivele që nuk i ka përjetuar kurrë më
parë. Ai dhe e dashura e tij kanë pësuar pagjumësi dhe sulme të shumta paniku.
Ata janë të tmerruar nga kontraktimi i virusit dhe brenga për mirëqenien e
familjes së tyre.

Më 2 shkurt, Organizata Botërore e Shëndetit e quajti koronavirusin e ri
“një infodemi masive”, “duke iu referuar” një përshkallëzimi
të informacionit – disa të sakta dhe disa jo – që e bën më të vështirë për
njerëzit të gjejnë burime të besueshme dhe udhëzime të besueshme kur të kenë
nevojë.” Përderisa SARS, MERS dhe Zika (sëmundje infektuese) shkaktuan
panik global, frika përreth koronavirusit është forcuar veçanërisht nga mediat
sociale. Kjo ka bërë që dezinformimi të përhapet dhe të lulëzojë me shpejtësi
të paparë, duke krijuar një mjedis me një pasiguri të shtuar që ka nxitur
ankthin dhe racizmin në internet dhe ndaj individëve në jetën e përditshme.

Nga ana e saj, OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) është përpjekur ta
trajtojë këtë çështje duke u partnerizuar me Twitter, Facebook, Tencent dhe
TikTok për t’i eliminuar keqinformimet. Interneti, gjithashtu, mund të jetë një
aleat në luftën kundër sëmundjeve infektive. Që nga shpërthimi i epidemisë Covid-19,
OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) dhe shkencëtarët kanë përdorur mediat
sociale për të kundërshtuar dezinformimin dhe për të shkëmbyer mesazhe në
lidhje me masat mbrojtëse. Në një përpjekje të bashkërenduar me OBSH, firmat e
mediave sociale janë duke ndërmarrë hapa për të hequr pretendimet e rreme dhe
për të promovuar informacion të saktë. Kohët e fundit nisi një paralajmërim
Google SOS, për shembull, për të shtyrë informacionet e OBSH-së në krye të
rezultateve të kërkimit të njerëzve për pyetjet që lidhen me koronavirusin.
OBSH gjithashtu ka punuar me Facebook për të synuar popullsinë specifike dhe
demografinë me reklama që ofrojnë informacion të rëndësishëm shëndetësor. Përdoruesit
e Twitter-it në Mbretërinë e Bashkuar, që kërkojnë “kurimin e
koronavirusit” u kërkohet ta vizitojnë ueb-faqen e Departamentit të
Shëndetit dhe Kujdesit Social dhe një sipërfaqe kërkimi në Facebook, kryesisht
poste nga qeveria, organizatat shëndetësore dhe media tradicionale; kompania po
punon gjithashtu me kontrollues të pavarur të fakteve për të etiketuar postime
të pasakta dhe për të fshirë këshillat e dyshimta shëndetësore. TikTok është
përpjekur të heqë videot qëllimisht mashtruese, duke thënë në një deklaratë se
“nuk do të lejojë dezinformim që mund të shkaktojë dëm për komunitetin
tonë ose publikun më të madh”. Tencent, pronari i WeChat ka përdorur
platformën e tij për kontrollimin e fakteve për të shqyrtuar thashethemet e
koronavirusit që qarkullojnë në internet.

Po ashtu, OBSH në fillim të janarit, disa javë pasi Kina raportoi rastet e
para, agjencia e SHBA-ve filloi një program pilot për t’u siguruar që faktet në
lidhje me virusin e identifikuar rishtazi i komunikohen publikut. Projekti
quhet EPI-WIN – shkurtesë për Rrjetin e Informacionit për Epidemitë. Ne kemi
nevojë për një vaksinë kundër dezinformatave,” tha Dr. Mike Ryan, kreu i
programit të urgjencave shëndetësore të OBSH, në një konferencë të OBSH mbi
virusin. Ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetit EPI-WIN beson se masa e
kundërveprimit për dezinformim është thjesht për të thënë të vërtetën.

Pavarësisht përpjekjeve, qindra mijëra njerëz kanë konsumuar dhjetëra
gënjeshtra të dokumentuara për koronavirusin në këto platforma dhe të tjera.
Orteku i plotë i përmbajtjes ka kapërcyer përpjekjet e koordinuara për të
pastruar të gjitha zhurmat dezinformuese. Nga ana tjetër, kjo ka krijuar një
terren për përmbajtje ksenofobike. Sharjet raciste janë përhapur në TikTok dhe
Facebook. Disa adoleshentë, madje, kanë shkuar për të bërë një diagnozë të
koronavirusit për të fituar më shumë ndjekës në mediat sociale. Ky toksicitet
në internet ka reflektuar, gjithashtu, në ndërveprime brenda personave. Aziatikët
janë përballur me racizëm dhe ngacmim të plotë, ndërsa Chinatowns dhe restorantet
kineze kanë pësuar rënie të biznesit. Nivele të ngjashme diskriminimi janë
raportuar edhe në Kinë kundër njerëzve nga Wuhan dhe krahina më e madhe Hubei.
Në disa raste atyre u janë mohuar dhomat e hoteleve gjatë udhëtimeve në kohën e
mbylljes së qytetit.

Por aq sa media sociale ka përjetësuar dezinformimin, ai ka qenë një burim
i rëndësishëm i informacionit të verifikuar gjithashtu. Gazetarët në të gjithë
botën kanë përdorur mediat sociale kineze për të shfaqur një panoramë më të
saktë të situatës dhe kanë mbledhur dhe arkivuar raporte të verifikuara.
Vëllimi i informacioneve dhe raporteve që qarkullojnë çdo ditë në lidhje me të
vërtetën në Kinë gjithashtu ka bërë presion ndaj qeverisë për të lëshuar
informacione më të sakta rreth krizës. Në ditët e para, për shembull, disa
mjekë përdorën mediat sociale për të ngritur alarmet në lidhje me ashpërsinë e
situatës. Megjithëse qeveria i qortoi ata me shpejtësi dhe u zhvendos për të
kontrolluar rrjedhën e informacionit, paralajmërimet e tyre dolën virale, me
gjasë duke e përshpejtuar qeverinë për të qenë vigjilente në lidhje me
realitetin. Më vonë, kur njëri prej mjekëve, Li Wenliang vdiq nga sëmundja,
platformat kineze u ndezën me një derdhje ankthi dhe inati, duke vënë në dyshim
vendimin dhe autoritetin e qeverisë. Pakënaqësia ishte aq e përhapur, sa
shkatërroi censurat.

Një veprimtari e tillë e mediave sociale gjithashtu mund të minohet në të
ardhmen për të kapur dhe ndjekur përhapjet e sëmundjeve. Disa shërbime tashmë
janë duke përdorur këto teknika për të ndihmuar zyrtarët e shëndetit publik të
monitorojnë përhapjen e koronavirusit. Raina MacIntyre, një ekspert i
biosigurisë në Universitetin e New South Wales, publikoi një artikull në janar
në revistën Epidemiology, që zbuloi se pikat e nxehta të tweet-eve mund të jenë
tregues të mirë se si përhapet një sëmundje. “Sidomos kur ka censurë ose
mungesë burimesh për raportimin e sëmundjeve,” thotë ajo, “kjo mund t’i ndihmojë
organizatat të reagojnë edhe më herët gjatë një shpërthimi viral, duke i
ndaluar ato para se të bëhen emergjencë globale shëndetësore.” Filtrat dhe
algoritmet e Facebook dhe Google mund të jenë një pikë fillestare e mirë në
trajtimin e dezinformatave për koronavirusin, duke i orientuar njerëzit të
gjejnë me lehtësi azhurnime përkatëse dhe autorizuese.

Në një mënyrë të çuditshme, media sociale është bërë gjithashtu një
hapësirë për pikëllimin kolektiv. Në Weibo dhe WeChat tregimet e dëshpërimit
dhe mirësisë janë të shumta. Krahas shprehjeve të frikës nga njerëzit e
mbërthyer në karantinë dhe nga pacientët të paaftë për të marrë trajtim, janë
gjithashtu narracione të njerëzve që dhurojnë vullnetarisht dhe ndihmojnë
njëri-tjetrin në mënyra të papritura dhe bujare. Ato histori personale nuk i
hasni shumë në mbulimin ndërkombëtar të krizës,” thotë She nLu, një
gazetar me qendër në Boston, i cili ka ndjekur nga afër veprimtarinë kineze të
mediave sociale rreth koronavirusit. Por, ata janë bërë një mënyrë e
rëndësishme që njerëzit të ndjekin krizën brenda dhe jashtë Kinës, duke u
ofruar njerëzve, mes gjithë panikut dhe toksicitetit, një rreze të vogël
shprese.

Koronavirusi dhe gazetaria hulumtuese

Përhapja e koronavirusit çoi në rritjen e hetimeve ndërkombëtare për sistemin
politik të Kinës. Derisa disa komentues, pas shpërthimit, e gjetën të efektshme
përgjigjen e Partisë Komuniste Kineze ndaj epidemisë, shumë i gjetën masat
paraprake si të papërshtatshme. Disa madje e akuzuan Partinë Komuniste për
përhapjen e shpërthimit, duke e quajtur atë “koronavirus komunist”. Por,
një nga gjërat premtuese që lindën nga kriza e koronavirusit janë burimet më të
shprehura të informacionit në Kinë dhe përmbajtja krijuese e prodhuar nga zëra
të rinj në median sociale.

Grupi i lajmeve Caixin, i cili ka një nga revistat më të respektuara
tregtare në Kinë, kohët e fundit publikoi një studim të rëndësishëm në formën e
një serie prej katër kapitujsh. E para përshkruan hap pas hapi se si qeveria në
Wuhan vonohet në shpjegimin e shtrirjes së krizës. Artikulli tregon se si
autoritetet vendore kanë qenë duke mbuluar një incident që ka zgjatur rreth një
muaj, duke kërcënuar ose heshtur mjekët që ishin  të vetëdijshëm për krizën, duke injoruar përhapjen
dhe duke fshehur faktin se virusi mund të kalojë nga njeriu në njeri. Raporti i
bazuar në intervistat me akademikë, mjekë, pacientë dhe zyrtarë, thekson se
virusi është i njohur që nga fillimi, përkundër pretendimit të zyrtarëve që
virusi është i kufizuar tek njerëzit që vizitojnë një treg të sigurt të
produkteve të detit dhe të blegtorisë.

Pyetja kryesore këtu ka të bëjë me atë se si këta transmetues arritën ta
kapërcejnë kontrollin e qeverisë mbi informacionin. Në fakt, kontrolli
qeveritar nuk ka përfunduar ende dhe disa histori, të paktën, janë anashkaluar
përkohësisht. Bërja e politikave në Kinë është më e fragmentuar sesa duket nga
jashtë, veçanërisht pasi që shpesh ekzistojnë boshllëqe në praktikë midis
autoriteteve qendrore dhe lokale. Një arsye për këtë copëzim është që zyrtarët
lokalë mundohen t’i mbulojnë dhe t’i fshehin dështimet e tyre nga Pekini.
Sidoqoftë, kjo situatë krijon hapësirë ​​edhe për raportime kritike.
Autoritetet lokale mund t’i kontrollojnë drejtpërdrejt institucionet e mediave
të regjistruara në provincat e tyre, por nuk mund të bëjnë shumë për
veprimtaritë e burimeve të lajmeve diku tjetër. Prandaj, kjo praktikë, e
quajtur gazetari hulumtuese “ekstraterritorial” (jashtë kufijve
lokal), është një praktikë e gazetarisë kineze që aplikohet një kohë të gjatë.
Pjesa më e madhe e lajmeve gjithëpërfshirëse në lidhje me shpërthimin e
koronavirusit janë publikuar nga organizatat e lajmeve jashtë provincës Hubei,
ku ndodhet Wuhan.

Tani për tani, përgjegjësia e krizës koronavirus – si në krizat e tjera në
të kaluarën – është lënë kryesisht mbi supet e autoriteteve lokale. Fajësimi i
qeverisë qendrore është më i vështirë: një akuzë kundër qeverisë qendrore mund
të rezultojë shpejt në censurë dhe të sjellë dënime të tjera. Shpesh është më e
vështirë të imponohet faji në nivelet më të larta të autoritetit. Gazetarët
perëndimorë e kritikojnë gjithë sistemin politik të Kinës për të metat e veta,
por reporterët kinezë priren t’i shmangin dispozitat e përgjithshme, duke u
përqendruar në vend të kësaj për kriminelë të veçantë.

Gazetaria kritike në Kinë ka qenë në rritje, kjo falë rolit më të fortë të
mediave sociale në përhapjen e informacionit. Mjekët në Wuhan, të cilët bënë
paralajmërimin e parë për sëmundjen e dyshimtë, përdorën grupe në WeChat për të
përhapur shqetësimet e tyre. Mesazhet e tyre u botuan më vonë në faqen e
internetit të Phoenix TV, u analizuan dhe u shfaqën në Caixin, midis burimeve
të tjera të lajmeve. Kushtet e tmerrshme në spitalet e mbipopulluara dhe
imazhet dramatike të çantave të kufomave në Wuhan u regjistruan nga
qytetarë-gazetarë, infermierë dhe pacientë. Platformat e mediave sociale ofruan
imazhe surrealiste të rrugëve të zbrazëta të qytetit dhe imazhe që i penguan
banorët e Wuhan-it të hynin në qytetin e tyre. Mund të thuhet se epidemia e
koronavirusit ishte fatkeqësia e parë e madhe në Kinë, që u transmetua “në
televizion” nga vetë pjesëmarrësit përmes telefonave inteligjentë. Disa
lajme të gjera për krizën e koronavirusit janë shfaqur në faqet e lajmeve
jo-tradicionale, në internet, si Tengxun dhe Sohu.

Nëse një krizë ka potencial të shkaktojë paqëndrueshmëri sociale dhe akuza
publike fillon të zhvendoset nga autoritetet lokale në ato qendrore, qeveria
përpiqet të dominojë median dhe t’i detyrojë mediat të japin një mesazh të
vetëm zyrtar. Nuk është e mundur të thuhet se sa kohë gazetarët kinezë dhe
qytetarët me ankth mund të raportojnë për krizën dhe çka mund të pyesin në
lidhje me të. Përpjekjet e Kinës për të drejtuar ose kontrolluar median kanë
prodhuar burime alternative të lajmeve që i anashkalojnë kufizimet në një
mënyrë delikate dhe indirekte. Autoritetet e tolerojnë këtë në një farë mase.
Edhe nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping qeveria, në një farë mase, është e
ndjeshme ndaj presionit nga poshtë-lart mbi të drejtën e informacionit dhe bën
thirrje për përgjegjësi.

(Ky shkrim është një përmbledhje e disa shkrimeve të publikuara në anglisht
në lidhje me koronavirusin dhe raportimin në media)