Kontrolli i Kongresit: Çfarë është në lojë në zgjedhjet e 8 nëntorit?

Kontrolli i Kongresit: Çfarë është në lojë në zgjedhjet e 8 nëntorit?

Në dy vitet e fundit demokratët kanë patur shumicën në të dy dhomat e Kongresit dhe presidencën, por mund të mos e kenë një pushtet të tillë të konsoliduar për shumë më gjatë.

Republikanët janë favoritë për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e 8 nëntorit, të mbështetur nga zhgënjimi i amerikanëve mbi ekonominë dhe avantazhet në procesin e rindarjes së zonave zgjedhore që zhvillohet çdo 10 vjet. Por demokratët po punojnë për të mbajtur pozitat e tyre, duke bërë fushatë për ruajtjen e qasjes ndaj abortit dhe çështjeve të tjera.

Perspektiva është më e paqartë në Senat, ku republikanët po bëjnë përpjekje për të rimarrë kontrollin. Disa gara në shtetet kryesore të fushëbetejës janë të ngushta, duke bërë që udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell të thotë se shanset që partia e tij të fitojë një shumicë janë vetëm 50-50.

Një vështrim mbi kontrollin e Kongresit dhe çfarë do të ndodhë nëse republikanët fitojnë një shumicë në të dyja dhomat:

ÇFARË NDODH NËSE REPUBLIKANËT MARRIN DHOMËN E PËRFAQËSUESVE?

Demokratët, të udhëhequr nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kanë mbajtur shumicën që nga viti 2018, kur fituan kontrollin në zgjedhjet e para për në Kongres kur në detyrë ishte Presidenti i atëhershëm Donald Trump. Republikanët mund të rimarrin Dhomën e Përfaqësuesve nëse fitojnë vetëm pesë vende në dhjetëra zona konkurruese dhe po përpiqen të fitojnë shumë më tepër.

Historia gjithashtu u jep republikanëve arsye për optimizëm. Në epokën moderne, partia që mban Shtëpinë e Bardhë ka humbur vendet në kongres pothuajse në çdo zgjedhje afatmesme të presidentit në mandatin e parë.

Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve më 8 nëntor, grupi i tyre do të zgjedhë një kryetar të ri dhe do të marrë pushtetin më 3 janar 2023. Ata do të drejtojnë çdo komision dhe do të vendosin se cilat projektligje do të shqyrtohen në foltore.

SI DO TË DUKET NJË DHOMË E DREJTUAR NGA REPUBLIKANËT?

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka parashtruar tashmë strategjinë “Përkushtimi ndaj Amerikës”, një përmbledhje e gjerë e politikave ekonomike, të sigurisë kufitare dhe politikave të tjera që republikanët do të propozonin në ditët e para të Kongresit të ardhshëm.

Një kthim i republikanëve si shumicë në Dhomë do të ishte një fitore për ish-Presidentin Trump, i cili ka luftuar përpjekjet e udhëhequra nga demokratët për ta mbajtur atë përgjegjës për sulmin e 6 janarit 202 në Kongres. Shumica dërrmuese e republikanëve që pritet të kthehen në Uashington vitin e ardhshëm, së bashku me shumicën e atyre që shpresojnë të fitojnë një mandat të parë, janë besnikë ndaj zotit Trump dhe kanë ndjekur shembullin e tij në politikat dhe pozicionet e tyre.

Në mesin e këtyre aleatëve janë anëtarë të ekstremit të djathtë si deputetja Marjorie Taylor Greene e shtetit Xhorxhia, e cila u hoq nga detyrat e saj në komision nga demokratët për shkak të retorikës së saj ekstreme, por që do të ishte pjesë e një shumice të gjerë qeverisëse në një Dhomë të drejtuar nga republikanët. Zonja Greene qëndroi pas kryetarit McCarthy teksa ky i fundit prezantoi strategjinë “Përkushtimi ndaj Amerikës” në Pensilvani muajin e kaluar.

ÇFARË DO TË THOTË PËR PRESIDENTIN BIDEN NJË DHOMË E DREJTUAR NGA REPUBLIKANËT?

Përparësitë e demokratëve si qasja ndaj abortit, zgjidhja e sfidave të ndryshimeve klimatike dhe kontrolli më i rreptë i armëve do të mënjanoheshin menjëherë. Dhe pjesa më e madhe, nëse jo të gjitha planet e Presidentit Joe Biden do të ishte në fakt “të vdekura” për dy vitet e fundit të mandatit të tij.

Megjithatë, asgjë nuk kthehet në ligj pa nënshkrimin e Presidentit Biden. Projektligjet për financimin e qeverisë, rritjen e tavanit të borxhit dhe trajtimin e çështjeve ushtarake janë të nevojshme që qeveria të funksionojë. Këto projektligje ka të ngjarë të bëhen pika të nxehta në negociatat midis republikanëve, demokratëve dhe Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Biden, i cili shërbeu në Senat për dekada, shpesh ka mbrojtur kredencialet e tij dypartiake dhe ka thënë se dëshiron të punojë me republikanët. Por do të kishte pak oreks për këtë në një Kongres të kontrolluar nga republikanët që e kanë bërë kundërshtimin ndaj Presidentit Biden prioritetin e tyre kryesor.

PO SENATI?

Ndërsa Senati mund të anojë në secilën palë pas zgjedhjeve, partia e shumicës ka ende gjasa të ketë diferencë shumë të vogël. Kjo do të thotë se Presidenti Biden do të jetë në gjendje të gjejë pak më shumë gjuhë të përbashkët në senat, pavarësisht se kush është në krye. Pjesa më e madhe e arritjeve legjislative të zotit Biden në detyrë kanë qenë nënprodukt i negociatave dypartiake në Senat.

Megjithatë, një Senat i udhëhequr nga republikanët mund të miratojë projektligjet e dërguara nga një Dhomë e dominuar nga republikanët, duke ushtruar presion politik mbi Presidentin Biden. Republikanët do të rifitonin kontrollin e komisioneve dhe, me të, fuqinë për të kryer hetime dhe mbikëqyrje të administratës.

Një Senat republikan gjithashtu mund t’ia vështirësojë punën Presidentit Biden duke bllokuar ose vonuar kalimin e kandidatëve të presidentit për në degën gjyqësore dhe ekzekutive.

ÇFARË NDODH NËSE FITOJNË DEMOKRATËT?

Nëse demokratët do të mbanin Senatin dhe republikanët do të fitonin Dhomën, dy dhomat nuk do të kishin gjasa të gjenin shumë gjuhë të përbashkët. Por republikanët mund të përpiqen të fitojnë senatorët më të moderuar demokratë për disa legjislacione.

Nëse demokratët do të ishin në gjendje të mbanin Dhomën dhe Senatin, ata ka të ngjarë të rifillojnë negociatat për disa nga pikat e rendit të ditës të Presidentit Biden që nuk u miratuan kurrë, përfshirë paketën e tij të re të programeve sociale dhe ekonomike që ngeci nga mosmarrëveshjet e brendshme të demokratëve.

SI DUKET HARTA E DHOMËS SË PËRFAQËSUESVE?

Shumica e zonave elektorale për në Dhomën e Përfaqësuesve nuk janë konkurruese, falë një procesi të rindarjes që lejon legjislaturat e shtetit të përcaktojnë zonat zgjedhore nëse dëshirojnë. Shumë legjislatura hartojnë zonat për t’i dhënë përparësi njërës ose tjetrës palë. Megjithatë, dhjetëra vende janë në garë, përfshirë shumë prej atyre të mbajtura nga demokratët që fituan në rrethet periferike në vitin 2018, duke i dhënë partisë shumicën për atë vit.