` . Konstruktivitet i ndërsjellë për shtigje afatgjata - TV-SHENJA

Konstruktivitet i ndërsjellë për shtigje afatgjata

Përkundër disa mangësive, faktori ndërkombëtar mbetet mbështetës i rëndësishëm i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Faktori ndërkombëtar, i personifikuar te SHBA-të, NATO-ja, BE-ja dhe disa shtete kryesore evropiane, ka kryesisht qasje suportive ndaj shqiptarëve dhe vazhdimisht i nderojnë ata përmes respektimit të gjuhës së tyre dhe takimeve të rregullta me përfaqësuesit e tyre politikë.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Në bazë të Konventën së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, diplomatit i ndalohet të përzihet në punët e brendshme të shtetit pranues. Por, ky rregull nuk respektohet për shtetet e dobëta dhe me të meta serioze, siç është Republika e Maqedonisë së Veriut. Në shtete si këto, ambasadorët vazhdimisht i komentojnë ngjarjet politike ditore, japin vlerësimin e tyre për ndonjë propozim-ligj të caktuar dhe, ndonjëherë, edhe zbulojnë skandale që ndodhin në shtetin pritës, siç ishte rasti me ish ambasadorin amerikan Xhes Bejli, i cili e zbuloi se anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve i kanë ndarë vetvetes bonuse të majme, përveç rrogës së rregullt që e marrin.

Në marrëdhëniet midis shteteve normale një sjellje e tillë nuk tolerohet, madje diplomati menjëherë do të shpallej “persona nongrata”. Por, shtetet e pakonsoliduara si Maqedonia e Veriut, thjesht nuk guxojnë ta përdorin këtë të drejtë – është e paimagjinueshme një shtet si ky i yni ta dëbojë një diplomat amerikan, britanik, gjerman, francez e kështu me radhë. Nuk mund ta dëbosh diplomatin e një shteti që të jep aq shumë në ndihma financiare dhe të mbështetë në arenën ndërkombëtare. Por, përveç dobësisë relative, një arsye tjetër është se vetë politikanët e shtetit pranues e aprovojnë një sjellje të tillë. Në konfliktet e përditshme midis pushtetit dhe opozitës, mendimi i ambasadorëve të huaj shërben si dhënie e legjitimetit para votuesve. Nëse ambasadorët e shteteve dhe organizatave me ndikim e kritikojnë sjelljen e opozitës, pushteti thotë “ja shihni, edhe ndërkombëtarët janë në anën tonë”; nëse po të njëjtit ambasadorë e kritikojnë pushtetin për ndonjë vendim të gabuar, opozita thotë “ja shihni, edhe ndërkombëtarët pajtohen se këta janë pushtetmbajtës të këqij”!

Përveç këtyre që u përmendën, një arsye tjetër pse tolerohet dhe inkurajohet përzierja ndërkombëtare në punët e brendshme të shtetit, është aspirata për integrim në NATO dhe BE dhe kushtet ose kriteret që duhet përmbushur. Meqë për ta arritur integrimin duhen plotësuar disa standarde të caktuara, është e pritshme të tolerosh edhe kritika që ta përkujtojnë se nuk je në rrugë të drejtë për ta arritur këtë qëllim! Te rasti i BE-së kjo bëhet edhe në mënyrë zyrtare përmes Raportit të Progresit të dhënë nga Komisioni Evropian.

Në shtetin tonë multietnik, ku përveç përballjes pushtet-opozitë ekziston edhe përpjekja e shqiptarëve për më shumë barazi, faktori ndërkombëtar mban marrëdhënie të rregullta me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe jep mendim ose sinjal të heshtur se cila është gjendja e marrëdhënieve ndëretnike dhe në cilin drejtim duhet të shkojnë ato.

Kur flasim për ndërkombëtarët në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, fjalën e kemi kryesisht për këto subjekte: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktualisht shtetin më të fuqishëm të Botës; NATO-n, aleancën më të fuqishme të Botës, e cila është shumë e popullarizuar te shqiptarët dhe anëtare e së cilës dëshiron të bëhet edhe Maqedonia e Veriut; Bashkimin Evropian dhe shtetet më me ndikim të saj; si dhe herë pas here si subjekte ndërkombëtare me ndikim në shtetin tonë paraqiten edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, si dhe disa OJQ ndërkombëtare më në zë.

NATO, BE-ja dhe shqiptarët

Meqë më afër realizimit është aderimi i Maqedonisë së Veriut në NATO (krahasuar me BE-në), do të filloj pikërisht me raportin e NATO-s me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Për shkak të rolit të saj në vitin 1999 në bombardimin e Serbisë, me çka u ndërpre dhe u kthye mbrapshtë spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës, NATO gëzon respekt të madh edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Por, cili është raporti i NATO-s me shqiptarët e Maqedonisë? Fillimisht, në konfliktin e vitit 2001, edhe pse herë pas here lëshonte ndonjë kritikë për UÇK-në, NATO hezitonte ta quajë UÇK-në organizatë terroriste, siç bënte qeveria, media dhe publiku i gjerë maqedonas! Më tej, ishte NATO ajo që e ndërpreu betejën e Haraçinës pas dështimit disaditor të forcave maqedonase për ta marrë fshatin, për të evituar pasojat e panevojshme nga të dyja palët. Në fund, NATO luajti rol kyç në negocimin e ndërprerjes së konfliktit, që në fund çoi deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën përmirësohet dukshëm pozita e shqiptarëve në Maqedoni.

Pas konfliktit të vitit 2001 si episod interesante që vlen të përmenden nga raporti i NATO-s me shqiptarët e Maqedonisë është që në vitin 2003 (pra, vetëm dy vite pas konfliktit të 2001-shit). Sekretari i atëhershëm Gjeneral i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, në selinë e NATO-s në Bruksel, e mirëpriti ish liderin e UÇK-së, Ali Ahmetin. Pra, atë që publiku maqedonas e llogariste si terrorist, NATO e priti si mysafir në selinë e saj! Dhe, në Deklaratën e Samitit të Uellsit të vitit 2014, NATO e ka përmendur rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit.

Gjatë këtij muaji pritet që Maqedonia e Veriut të marrë vendim për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, prandaj le të jetë BE-ja subjekti i dytë ndërkombëtar të cilin do ta analizojmë se çfarë raporti ka me shqiptarët e Maqedonisë. Ashtu si NATO, edhe BE-ja gëzon popullaritet shumë të madh te shqiptarët e Maqedonisë. Sipas anketave, mbështetja për integrim në Bashkimin Evropian te shqiptarët e Maqedonisë arrin deri në 92%. Por, cila është qasja e BE-së ndaj shqiptarëve të Maqedonisë?

Fillimisht, BE-ja qëndron fuqishëm pas implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke e konsideruar implementimin e saj si kusht të veçantë për integrimin e Maqedonisë në BE. Në dokumentin “Strategjia e Zgjerimit dhe Sfidat Kryesore 2012-2013” të përpiluar nga Komisioni Evropian, Marrëveshja e Ohrit quhet “element esencial për demokracinë dhe sundimin e ligjit në shtet”. Për më tepër, në çdo raport vjetor të progresit të Komisionit Evropian përmendet edhe dinamika e implementimit, si dhe shprehet rëndësia e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Bashkimi Evropian mbështet financiarisht shumë projekte në komunat me shumicë shqiptare. Bie fjala, në selinë e Komunës Çair ngado që të kthehesh do të gjesh nga ndonjë shenjë ku shkruan “Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian”. Në fakt, edhe vet objekti i Komunës Çair është ndërtuar me të hollat e Bashkimit Evropian.

Dhe, në fund, shkurt edhe për OSBE-në. Shqiptarët e Maqedonisë asaj i janë mirënjohës për rolin e saj në themelimin e Universitetit të Evropës Juglindore. Ai universitet sot e kësaj dite e ka nofkën “Universiteti i Shtulit” për nder të Komisionarit të Lartë të OSBE-së mbi Minoritetet Kombëtare Maks van der Shtul.

Përkrahja ndërkombëtare për dygjuhësinë

Një trajtim të veçantë vlen t’i jepet dygjuhësisë. Dygjuhësia është një aspiratë e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila ka pasur rezistencë të fortë nga partitë maqedonase dhe intelektualët maqedonas. Dygjuhësia në kushtetutë, me plotkuptimin e fjalës, ende nuk është arritur, por më e afërmja e kësaj është Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, që hyri në fuqi në fillim të 2019-tës. Por, faktori ndërkombëtar e respektonte dygjuhësinë maqedonisht-shqip shumë kohë para miratimit të këtij ligji! Shembulli më i mirë në këtë drejtim është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, e cila në objektin e saj te Kalaja çdo shenjë e ka pasur anglisht, maqedonisht dhe shqip, si edhe ueb-faqen, që në mënyrë të barabartë e mirëmbante edhe në versionin maqedonisht edhe në atë shqip!

Më pak se ambasada amerikane, por prapëseprapë në nivel respektues, dygjuhësinë e aplikonin në ueb-faqet e tyre edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe EU Info-Qendra në Shkup. Në konkursin “Babylon” për përkthyes më të mirë të rinj, jepeshin dy çmime; një për përkthim më të mirë në maqedonisht dhe një për shqip. Ndërsa promocionet mediale, si p.sh. “EU for YOU” i publikonin edhe në maqedonisht edhe shqip. Diçka të tillë asnjëherë s’e ka bërë qeveria e VMRO-DPMNE-së (2006-2017). Paratë e majme, që kjo qeveri i harxhonte në lloj-lloj kampanjash dhe reklamash, shkonin kryesisht për mediat maqedonisht, ndërsa për mediat në gjuhën shqipe mbeteshin thërrimet ose madje përfundonin me gishta në gojë!

Prej shteteve anëtare të BE-së që kanë përfaqësi diplomatike në Shkup, në tabelat para ambasadave të tyre gjuhën shqipe e shkruanin qysh para miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ambasada e Italisë, Suedisë dhe Spanjës (që i kanë objektet shumë afër njëra tjetrës). Ndërkaq, së paku në internet, dygjuhësinë e respektonte në mënyrë mjaft të rregullt edhe ambasada franceze.

Të gjithë këta shembuj janë tregues se sa jashtë realitetit janë partitë maqedonase dhe disa qarqe intelektuale me rezistencën e tyre ndaj dygjuhësisë. Për shtetet e zhvilluara, si ato që u përmendën, është më se normale që gjuha e një komuniteti që përbën mbi një çerek të popullsisë së një shteti, siç janë shqiptarët e Maqedonisë, të jetë gjuhë zyrtare e atij shteti.

Prandaj, pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilët avancohet dukshëm përdorimi i gjuhës shqipe, erdhën përshëndetje nga disa përfaqësues ndërkombëtarë. I pari ishte Zëvendës-Sekretari Gjeneral për Politikë të Jashtme të BE-së, Zhan Kristof Beliard, i cili në takimin me, atëherë shefin e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, sipas njoftimit për shtyp të Sekretariatit, e ka uruar zëvendëskryeministrin Lika për miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se kjo arritje është një hap i madh drejt konsolidimit të shtetit në rrugën drejt integrimit dhe ndërtimit të një shoqërie multietnike.

Edhe euroambasadori SamuellZhbogar foli pozitivisht në lidhje me Ligjin për Gjuhët: “E kuptoj se për shqiptarët ligji i gjuhës është tejet i rëndësishëm si elementi i fundit i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe e kuptoj se për shqiptarët ligji i gjuhës është shumë i rëndësishëm që ata të ndjehen të vlerësuar dhe gjithëpërfshirës në shoqëri. E drejta e secilit minoritet nuk duhet dhe asnjëherë nuk ka ndikuar në të drejtat e shumicës, pra dhënia e të drejtave të pakicës nuk rrezikon aspak komunitetin shumicë, gjë që është frikë e ditëve të fundit në vend”. Ndërkaq, në fjalimin e mbajtur para Kuvendit të Maqedonisë, Ligjin për Gjuhët e përshëndeti edhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke e quajtur “hap të rëndësishëm”.

Pra, në përgjithësi, qoftë në mënyrë të heshtur, por duke dhënë shembull nga vetvetja, qoftë në mënyrë deklarative, faktori ndërkombëtar e ka mbështetur aspiratën e madhe të shqiptarëve për dygjuhësi në Maqedoni. Mbetet për t’u parë se si do të jetë reagimi i tyre kur në të ardhmen do të hapet tema që gjuha shqipe të figurojë edhe në Kushtetutë. Por, vështirë se do të dalin kundër, duke e pasur parasysh qasjen e tyre të deritanishme.

Injorimi i disa brengave të shqiptarëve

Deri tani folëm për anët pozitive të raportit të ndërkombëtarëve ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, por nuk bën pa përmendur edhe anën tjetër, sepse qëndrimet nuk janë përherë në favor të tyre.

Shqiptarët e Maqedonisë pa dyshim se gjendjen e kanë shumë më mirë nga ajo që e kanë pasur dikur, por prapëseprapë janë shumë gjëra që përbëjnë shqetësim për ta. Mbase burim më i madh i revoltës për shqiptarët e Maqedonisë është gjyqësori. Edhe vetë faktori ndërkombëtar pajtohet se gjyqësori në Maqedoni ka mangësi serioze. Por, faktori ndërkombëtar i kritikon vetëm aspektet në përgjithësi problematike, siç janë emërimet partiake të gjykatësve, ndërkaq ndërkombëtarët nuk e kanë ngritur zërin për shqetësimet specifike të shqiptarëve në lidhje me gjyqësorin kur janë standardet e dyfishta në dënime, kur i dënuari është shqiptar ose në lidhje me proceset gjyqësore për të cilat shqiptarët besojnë se janë dënuar njerëz pa fakte të mjaftueshme. Po ashtu do të ishte mirë që faktori ndërkombëtar ta ngrejë si çështje edhe brutalitetin policor, viktimë e të cilit kryesisht kanë qenë shqiptarët dhe rrahjet qyqare nëpër vendbanime me shumicë maqedonase, të cilat zakonisht mbeten të pazbuluara nga policia dhe të padënuara nga gjykata.

Një brengë tjetër e shqiptarëve është diskriminimi ekonomik. Ky diskriminim përbëhet nga dy komponentë: e para është shpërndarja e padrejtë e buxhetit dhe e dyta është mungesa e investimeve private të huaja në vendbanime me shumicë shqiptare. Faktori ndërkombëtar pa dyshim se e zbut sadopak komponentin e parë të këtij diskriminimi përmes financimit të projekteve infrastrukturore në komunat me shumicë shqiptare, por kjo nuk është zgjidhje as e plotë e as afatgjate. Zgjidhja është decentralizimi më i madh fiskal dhe votimi i buxhetit me shumicë të dyfishtë, të njohur si shumica e Badinterit. Sa i përket komponentit të dytë, pra mungesës së investimeve të huaja private në vendbanimet me shumicë shqiptare, faktori ndërkombëtar ka bërë edhe më pak në zbutjen e diskriminimit. Pa dyshim se faji kryesor është për qeveritë maqedonase, të cilat deri tani çdo investim të huaj e kanë orientuar aty ku s’ka shqiptarë, por edhe faktori ndërkombëtar nuk është plotësisht i pafajshëm me atë që fare s’e ka problematizuar këtë shqetësim ose që firmave të veta nuk ua përkujton se Maqedonia e ka edhe pjesën perëndimore (dhe, koincidentalisht, edhe më properëndimore), ku mund të hapen fabrika!

Dhe, shqetësimi i fundit është fjalori i urrejtjes. Shqiptarët, në mënyrë konstante, nga disa gazetarë dhe intelektualë maqedonas, si dhe nga partia kryesore maqedonase VMRO-DPMNE, paraqiten si kërcënim për shtetin dhe në rrjetet sociale rregullisht përdoret termi pezhorativ “shiptar”, ndërsa ambasadorët e huaj nuk flasin për fjalorin e urrejtjes mbi baza etnike, që prek aq shumë qytetarë të shtetit, por vetëm për fjalorin e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT, që përbën vetëm 2-3% të popullsisë. Është e kuptueshme dëshira e tyre për ruajtjen e neutralitetit në mes grupeve etnike, por asgjë s’u kushton nëse e dënojnë në parim fjalorin e urrejtjes mbi baza etnike pa përmendur shembuj specifikë.

Përfundim

Përkundër disa mangësive, faktori ndërkombëtar mbetet mbështetës i rëndësishëm i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Faktori ndërkombëtar, i personifikuar te SHBA-të, NATO-ja, BE-ja dhe disa shtete kryesore evropiane, ka kryesisht qasje suportive ndaj shqiptarëve dhe vazhdimisht i nderojnë ata përmes respektimit të gjuhës së tyre dhe takimeve të rregullta me përfaqësuesit e tyre politikë, madje edhe liderët e partive shqiptare që kanë nga vetëm 2-3 ulëse në Parlament.

Për hir të mbështetjes së tyre të deritanishme, partitë politike të shqiptarëve janë konstruktive dhe, madje, kooperative ndaj faktorit ndërkombëtar, sidomos ndaj proceseve në shtet pas të cilave qëndrojnë ata, për dallim nga partitë maqedonase që edhe në raste të tilla luajnë lojëra politike në relacion pushtet-opozitë. Partitë shqiptare duhet të vazhdojnë të kenë një qasje të tillë konstruktive dhe falë edhe këtij konstruktiviteti të mundohen ta rrisin mbështetjen ndërkombëtare për shqiptarët dhe ta kanalizojnë atë për më shumë përparim të pozitës së tyre juridiko-kushtetuese dhe ekonomike.