` . Konflikti i dy narrativave në Maqedoninë e Veriut - TV SHENJA

Konflikti i dy narrativave në Maqedoninë e Veriut

Narrativa maqedone, aq shumë e ngjashme me projektin e Çubrilloviqit, duket se është ende në fazën e konstatimit “të problemit shqiptar”, por, nëse nuk luftohet, ajo nuk do të mbetet në gjendje vegjetacioni. Avancimi i një narrative të tillë, të cilës tashme i mungon veç një element, ofrimi i zgjidhjes së problemit të pretenduar, pa dyshim nuk do të ofronte asgjë të re nga ajo që jep platforma famëkeqe e Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë dy narrativa shtetërore, narrativa politike dhe ajo kulturore.

Narrativa politike pretendon se Maqedonia është shtet i maqedonasve, por në të cilin – referuar preambulës së kushtetutës – garantohet barazia “e plotë qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë e tjera.” Po sipas këtij dokumenti, që është dokumenti bazë i narrativës politike, Maqedonia është një shtet qytetar dhe demokratik, ku sundon e drejta si sistem themelor i pushtetit, i cili garanton të drejtat e njeriut, liritë qytetare dhe barazinë nacionale.

Narrativa kulturore është e përqendruar rreth elementit etnik maqedonas. Sipas kësaj narrative, maqedonasit janë banorët e lashtë dhe origjinalë të territorit që e përkufizon Maqedoninë, se etnitë e tjera janë të ardhura gjatë shekujve dhe për arsye që do t’i shohim më tej, përbëjë kërcënim për etninë maqedone. Këto pretendime, të përfaqësuara nga Akademia e Shkencave, adresohen më së shumti kundër etnisë së dytë më të madhe në Maqedoni.

Akademia e Shkencave të Maqedonisë së Veriut ka shkruar shumë herë në mënyrë fyese e përbuzëse për shqiptarët. Më 2009 ajo akademi botoi një enciklopedi, ku shqiptarët quheshin “njerëz mali”, të cilët kishin zbritur në Maqedoni nga Shqipëria veriore, në shekullin e XVI dhe kishin përzënë maqedonasit nga shtëpitë e tyre.

Më 2017, me rastin e 50-vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, parashikohej një numër botimesh të ndryshme, të cilat një prej anëtarëve të asaj akademie e krahasoi rëndësinë e tyre të njëjtë me Naçertanien, projektin politik të Serbisë së Madhe. Thelbi i narrativës kulutrore maqedone jepet më i drejtpërdrejtë në një tekst sociologjie për shkollat, ku shkruhet me shqetësim për faktin që disa grupe etnike kanë shifra lindshmërie të larta se ajo maqedone. Arsyet e lindshmërisë së lartë, sipas tekstit, janë rrjedhojë e arsimimit të ulët, dhe lindshmëria në mënyrën e vjetër tradicionale, pa kontroll të vetëdijshëm. Lindshmëria e lartë te disa grupe etnike përbën shqetësim, sepse ka grupe të tjera që kanë lindshmëri të ulët. Në tekst jepen dhe sugjerime si mund të përmirësohet situata. Nga njëra ana duhet të frenohet lindshmëria te grupet etnike që e kanë të lartë dhe, nga ana tjetër, duhet të stimulohet rritja e lindshmërisë te maqedonët, që të arrijë “suaza normale”.  Normale, sipas tesktit, është ajo që ndodh në favor të etnisë maqedone.

Siç shihet, narrativa politike dhe ajo kulturore janë kundërshtuese. Narrativa politike është në harmoni me frymën e parimeve themelore të Bashkimit Evropian, ku Maqedonia e Veriut synon të anëtarësohet, ndërsa narrativa kulturore është krejt në kundërshtim me aspiratën e integrimit.

Ajo çfarë përfaqëson narrativa kulturore nuk është gjë e re në Ballkan. Përmbajtja e saj, në një formë më direkte dhe më të ashpër, është trajtuar në memorandumin e Vasa Çubrilloviqit, historian dhe akademik serb, i titulluar “Shpërngulja e shqiptarëve”, i cili iu paraqit qeverisë serbe më 7 mars 1937. Prej këtij memorandumi buron dhe fryma e narrativës kulturore maqedone, referuar teksteve të përmendura më sipër. Edhe Çubrilloviqi i shikonte shqiptarët si një shqetësim për etninë serbe, një problem i cili, sipas tij, zinte fill në shekullin XVII. Sipas tij, shqiptarët zbritën “nga malet” në fushat pjellore të Kosovës e Metohisë, ndërsa serbët u shpërngulën drejt veriut. Edhe ai e shikonte me shqetësim lindshmërinë e popullsisë shqiptare, krahasuar me atë serbe. “Rritja e natyrale e shqiptarëve,” shkruante Çubrilloviqi, “është më e madhe se numri i përgjithshëm i rritjes sonë [serbe] natyrale bashkë me kolonistët… Duke pasur parasysh pjellorinë, rritjen e theksuar të shqiptarëve, si dhe konditat gjithnjë e më të vështira të kolonizimit sipas metodave të vjetra, ky disproporcion gjatë kohës do të bëhet gjithnjë e më i madh dhe në fund do t’i vë në pikëpyetje edhe ato pak suksese kolonizuese që kemi arritur nga 1918 e deri më sot.” (Citimet janë nga botimi në shqip i Memorandumit, Klubi i Poezisë, Tiranë, 2015)

Narrativa maqedone, aq shumë e ngjashme me projektin e Çubrilloviqit, duket se është ende në fazën e konstatimit “të problemit shqiptar”, por nëse nuk luftohet, ajo nuk do të mbetet në gjendje vegjetacioni. Avancimi i një narrative të tillë, së cilës tashmë i mungon veç një element, ofrimi i zgjidhjes së problemit të pretenduar, pa dyshim nuk do të ofronte asgjë të re nga ajo që jep platforma famëkeqe e Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve. Në mos qofshin identike në formë, zgjidhjet do të jenë të tilla në përmbajtje.

Masat që ofronte Çubrilloviqi për shpërnguljen e shqiptarëve ishin: shfrytëzimi i faktorit fetar për t’i dëbuar në Turqi, duke u folur mirë për Turqinë, pasi të ishin vendosur nën kontroll, me para ose shtrëngim, elitat fetare dhe njerëzit me influencë; shtrëngimi policor dhe terrori i përditshëm që do ta mërziste qëndrimin në trojet e tyre; shtrëngimet ekonomike, madje ai sugjeronte që masat sanitare në veterinari të përdoreshin me efekte represive; nxitja e konflikteve brenda komunitetit shqiptar ose, tek e fundit, dhe djegia masive e fshatrave ose lagjeve të qyteteve shqiptare, mjet që, sipas tij, Serbia e kishte përdorur me efikasitet pas vitit 1878.

Nuk themi se Maqedonia është duke shkuar drejt kësaj rruge, por, nëse politika e saj do të dominohet një ditë nga narrativa kulturore e përfaqësuar nga Akademia e Shkencave, diku në të ardhmen gjithçka është e mundshme.

Konflikti i brendshëm mes këtyre dy narrativave në Maqedoni shfaqet, jo i hapur, në ngurrimin e qeverisë për ta realizuar regjistrimin e popullsisë në mënyrë transparente, pa drojën e rezultateve që do të dalin prej saj. Narrativa kulturore e shikon si problematik lindshmërinë e lartë të popullsisë shqiptare, ndërsa politika nguron ta bëjë regjistrimin e popullsisë për ta shmangur ballafaqimin me rezultatet e asaj lindshmërie. Për të rregulluar raportet mes etnive, duke marrë në konsideratë numrin e popullsive respektive, u bë Amendamenti V i Kushtetutës së Maqedonisë, prej nga buroi dhe e drejta për zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë administrative, që do të thotë u lejua përdorimi i saj në institucione. Me rezultate të reja të regjistrimit të popullsisë, të cilat mund të mos jenë të pëlqyeshme për përfaqësuesit e të dyja narrativave, do të thotë që mund të lindin kërkesa të reja nga etni të ndryshme. Prej këtej buron gjithë ngurrimi i politikës. Por, nëse synon ndërtimin e një shoqërie në harmoni, politikanët e Maqedonisë duhet të krijojnë politikë në përputhje me gjendjen faktike në terren dhe jo me paragjykimet e krijuara nga narrative të ndryshme. Fati i shtetit serb karshi etnive që deshi t’i kontrollonte në mënyrë represive, duke e fshehur realitetin, është një shembull për gjithë politikanët e vendeve të tjera në Ballkan që të mësojnë se cilat gabime nuk duhet t’i bëjnë në vendet e tyre.