` . Koncepti i “katër lirive” dhe realiteti botëror - TV SHENJA

Koncepti i “katër lirive” dhe realiteti botëror

Edhe pse është e garantuar me shumë akte ndërkombëtare dhe me legjislacionet vendore – prapëseprapë – liria e shprehjes mbetet ndër çështjet më të ndjeshme dhe shpeshherë shndërrohet në problematikë publike. Kufijtë e saj janë vështirë të përcaktueshëm dhe ndonjëherë subjektivë.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Togfjalëshi “katër liritë”, si nocion dhe si klasifikim, fillin e ka në mesazhin e ish-presidentit të SHBA-së, Franklin Roosevelt (Rusvelt), drejtuar Kongresit më 6 janar 1941. Që atëherë, “katër liritë” janë trajtuar dhe kanë shërbyer si standarde edhe për akte juridike dhe kanë zënë vend posaçërisht në leksikun amerikan si kategori e sferës së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Katër liritë

Viti 1941 ishte dëshmitar i zhvillimit të furishëm të Luftës së Dytë Botërore. Ekspeditat ushtarake nazi-fashiste e kishin shtrirë autoritetin në pjesën dërrmuese të kontinentit evropian. Ndërkaq, SHBA-ja nuk ishte përfshirë akoma në këtë luftë. Atëbotë, në opinionin amerikan, përgjithësisht, mbizotëronte qëndrimi i mospjesëmarrjes në luftëra dhe shefi i Shtëpisë së Bardhë donte t’i jepte fund politikës neutrale të SHBA-së dhe ta aktivizonte ushtrinë amerikane për këtë luftë.

Në fjalimin e tij të famshëm Presidenti Roosevelt vuri theksin në rrezikimin e katër lirive themelore nga kjo luftë, e të cilat duhej mbrojtur si vlera universale në mbarë botën. Për të, një botë më e mirë do ta priste njerëzimin nëse do të garantoheshin në stad universal këto katër liri themelore:

1) Liria e fjalës dhe e shprehjes së lirë anekënd botës (freedom of speech and expression);

2) Liria e personale e besimit (freedom of worship), me anë të së cilës secili individ do të mund të besojë sipas mënyrës së përzgjedhur po nga vetë ai;

3) Liria prej nevojave elementare (freedom from want) ose – thënë ndryshe – çlirimi nga varfëria, që nënkupton krijimin e kushteve ekonomike për banorët e secilit vend për të vazhduar një jetë të shëndetshme e paqësore. Sikurse lë të kuptohet, kjo liri supozon edhe gjendjen pa dhunë e pa luftë; dhe

4) Literalisht: liria prej frikës (freedom from fear). Në shqip më mirë përshtatet si “çlirimi nga frika”, që domethënë liria për të jetuar pa frikë. Për Presidentin Roosevelt kjo do të thoshte arritje në pikën ku asnjë komb nuk do të ndjehej i kërcënuar nga tjetri dhe që armatimet do të reduktoheshin dukshëm në nivel global. (Teksti i fjalimit i qasshëm në: https://www.fdrlibrary.org/documents/356632/390886/readingcopy.pdf/42234a77-8127-4015-95af-bcf831db311d).

 Tabloja faktike e katër lirive

Edhe pse është e garantuar me shumë akte ndërkombëtare dhe me legjislacionet vendore – prapëseprapë – liria e shprehjes mbetet ndër çështjet më të ndjeshme dhe shpeshherë shndërrohet në problematikë publike. Kufijtë e saj janë vështirë të përcaktueshëm dhe, ndonjëherë, subjektivë.

Për ilustrim mund të ofrohet shembulli i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cila është ndër dokumentet juridike që i përcakton disa kritere të kufizimit dhe nënshtrimit të lirisë së shprehjes ndaj sanksioneve ligjore. Sipas KEDNJ-së, veprimi formal kushtëzues a kufizues mund të justifikohet kur është nevoja për një shoqëri demokratike e nevojshme, për interes të sigurisë kombëtare, për integritetin territorial ose sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor (neni 10/2). Këto kritere nuk janë të lehta për t’u kuptimësuar dhe për këtë arsye rol vendimtar luan jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), tek e cila adresohen rastet ankimore të personave me pretendimin se u është shkelur liria e shprehjes nga shteti i tyre, që është palë kontraktuese e KEDNJ-së.

Sidoqoftë, qëkur e ka proklamuar në fjalimin e vet Roosevelt-i, në vlugun e Luftës së Dytë Botërore, liria e shprehjes u është nënshtruar kufizimeve të papara në botë, veçan në bllokun lindor të pasluftës, të mishëruar me monizëm në qeverisje dhe ideologji. Totalitarizmi i versionit të Hitlerit e Mussolini-t i ka lënë vend totalitarizmit sovjetik dhe sivëllezërve komunistë anembanë. Persekutimet politike nën arsyetimin e irredentizmit, agjitacionit e propagandës kundër sistemit kanë qenë modus operandi për të gjitha regjimet në fjalë të pjesës së dytë të shek. XX. Por, edhe pas rënies së Murit të Berlinit, ndonëse ka pasur përparim në lirinë e shprehjes, polemikat rreth saj nuk kanë mbaruar dhe kjo është manifestuar sidomos në lirinë e shtypit, si formë e lirisë së shprehjes.

Liria e besimit, po ashtu, është e shpallur ndërkombëtarisht dhe në nivel nacional, mirëpo edhe kjo përballet me probleme të natyrave të ndryshme. Me një anë, paraqitja e grupeve të prira për dhunë dhe akte terrorizuese që thirren në emër të religjioneve, kurse në anën tjetër përçapjet e antifetarëve që duan ta njëjtësojnë fenë me terrorizmin, përbëjnë dy pole ekstreme që dëmtojnë imazhin paqësor të feve dhe bëhen shkak i diskriminimeve dhe urrejtjes në baza fetare. Krejt kjo ia zë frymën harmonisë ndërfetare dhe – përtej të gjithave – e cenon lirinë e besimit përmes krijimit të stereotipave keqësues për grupet e ndryshme religjioze.

Barazia mes njerëzve, pavarësisht përkatësisë fetare, dhe garancia e diversitetit nga ana e shteteve është çelësi që mbyll portën e konflikteve dhe e jetëson lirinë e besimit.

Liria për të jetuar pa varfëri (të mos jetohet në kushte të mizeries), e treta në letrën e Presidentit Roosevelt, sot e kësaj dite paraqet ndër sfidat më të mëdha për shtetet. Në vitin 2015, 195 shtete anëtare të OKB-së i miratuan Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (Sustainable Development Goals) për periudhën e ardhshme pesëmbëdhjetëvjeçare. Sipas tyre, deri në vitin 2030, për mbarë botën synohet zhdukja e varfërisë, zhdukja e urisë si dukuri kolektive, ruajtja e shëndetit, ngritja e mirëqenies, luftimi i pabarazisë dhe një mori objektivash të tjera sociale (https://worldtop20.org/global-movement?gclid=EAIaIQobChMIlv23zPSa6gIVF-vtCh2lUQTREAAYASAAEgK-jvD_BwE). Sido që të jetë, mbetet i kontestueshëm probabiliteti i realizimit të këtyre objektivave për periudhën e mbetur.

Menaxhimi i situatave që vështirësojnë mirëqenien e njeriut dhe e bëjnë nevojtar për gjëra elementare, si – fjala bie – gjendja e katastrofave natyrore, përhapja e sëmundjeve ngjitëse etj., ngelë si sfidë serioze edhe në kohën moderne.

Ta zëmë, vetëm virusi COVID-19 është indikativ për kapacitetet e shteteve veç e veç dhe, aq më fort, për ato të organizatave ndërkombëtare në menaxhimin e krizës që e shkaktoi pandemia. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bë cak i kritikave për administrimin e dobët të rrëmujës shëndetësore. Kështu u shpërfaq edhe brishtësia e koordinimit të shteteve në rrafshin ndërkombëtar. Andaj, megjithëse duhet të vazhdojnë me intensitet përpjekjet për të arritur objektivat e Programit për Zhvillim të Qëndrueshëm, pritshmëria duhet të jetë më reale se kaq.

Dhe, në fund, liria për të jetuar pa frikë – e katërta prej lirive të rreshtuara në listën e fjalimit të Roosevelt-it dhe tejet e veçantë si formulim. Bile, për ironi, sipas Presidentit Roosevelt, zbatimi i saj duhej të kalonte nëpërmjet rrugës së armatosur ushtarake me përfshirjen në Luftën e Dytë Botërore për të rrënuar ngrehinën naziste e fashiste dhe kështu për të parandaluar përhapjen e saj edhe në kontinentet e tjera. Për më tepër, përkundër faktit që e ngriti diskursin e këtyre lirive, vetë Presidenti Roosevelt kishte urdhëruar zhvendosjen e mijëra shtetasve amerikanë me prejardhje japoneze në kampe të përqendrimit. Tek në vitet e 1980-ta shteti amerikan kishte kërkuar falje për këtë trajtim që kishte mbjellë frikë te njerëzit dhe kishte qenë në mospërputhje të plotë me idenë e çlirimit nga frika.

Frika per se përbën kërcënim dhe një lloj arme kundër vlerave demokratike. Jo vetëm laku kohor pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe intervali i afërt në dekadën e dytë të shekullit XXI, u përcoll në plot vende me akte terroriste, me dhunë të aparatit shtetëror, me shpërngulje të njerëzve nga trojet e veta, duke u kthyer në refugjatë, dhe me fenomene të ngjashme që emërues të përbashkët e kanë pamundësinë e njerëzve për të jetuar të lirë e pa frikë.

Pasiguria, dhuna e pabarazia janë ndër shkaqet thelbësore të krizave humanitare. Në këtë kontekst, zgjidhja e konflikteve e, madje, parandalimi i tyre dhe vënia e paqes duhet konsideruar preokupim për të gjithë aktorët vendimmarrës. Me një fjalë, njerëzit duhet të ndihen të qetë kur duan të bëjnë gjumë, pa pasur shqetësimin se të nesërmen mund të zgjohen të rrezikuar nga dora e dikujt.

Nëse u hidhet një vështrim lajmeve të rëndomta në shtypin botëror, fare e lehtë është të kundrohen titujt që flasin për rritjen e racizmit, mosmarrëveshjet për armët bërthamore, luftërat civile, ngrohjen globale e kështu me radhë. Po t’i kthehesh shtypit shqip, lajmet kryesore të trojeve me shqiptarë kanë të bëjnë me paqëndrueshmërinë politike, zgjedhjet e shpeshta, përplasjet pozitë-opozitë, idenë për shkëmbim territoresh në Ballkan, për Gjykatën Speciale të Krimeve të Kuftës etj. Thënë shkurt, kryesisht tema që ia ngjallin njeriut pasigurinë për të ardhmen.

Në shumë zona të botës duket sheshit se ende nuk është jetësuar liria e njerëzve për të jetuar pa frikë. Ndërkaq, frika është mjet dekurajues që nuk e shpie njeriun në liri.

Jehona e konceptit të katër lirive

Franklin Roosevelt-i vdiq në vitin 1945, por bashkëshortja e tij, Eleanor Roosevelt, vazhdoi ta mbante gjallë konceptin e të shoqit për “katër liritë”. Ajo mori pjesë në hartimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të miratuar me 1948. Kësisoj, në Preambulën e kësaj Deklarate vërehen gjurmët e vizionit të ish-Presidentit. Ndër tjerash, në këtë Preambulë thuhet se “…ndërtimi i një bote në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës dhe besimit dhe çlirimin prej frikës dhe skamjes proklamohet si aspirata më e lartë e çdo njeriu…”.

Kjo tejpamje e Presidentit Roosevelt është aktualizuar herë pas here në diskutimet dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë botërore. Për shembull, në mesazhin e dhënë për nder të Ditës së të Drejtave të Njeriut (10 dhjetori), në vitin 2015, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i ishte drejtuar bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për të drejtat e njeriut nën dritën e katër lirive të përmbledhura nga Roosevelt-i, të cilat i quajti “parime të vlefshme përherë” (http://www.unis.unvienna.org/unis/en/pressrels/2015/unissgsm703.html).

Po kështu, akoma më herët, në fjalimin e mbajtur më 23 shtator 2009 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i asokohshëm i SHBA-ve, Barack Obama, i kishte zënë ngoje katër liritë e Roosevelt-it dhe e kishte rikujtuar rëndësinë e tyre. Krahas kësaj, Obama kishte shquar edhe katër parime të tjera, që bota duhej t’i fuste në agjendën e përbashkët për fillimin e një epoke të re në frymën e bashkëpunimit: çarmatosjen nukleare, nxitjen e paqes dhe sigurisë, ruajtjen e Tokës dhe ekonominë globale që i ofron mundësi çdokujt (https://www.nytimes.com/2009/09/24/us/politics/24prexy.text.html).

Megjithatë, as ky reinkarnim i katër lirive të Roosevelt-it në gjuhën e Obama-s nuk e bën ende të mundur pohimin se ndonjëra nga këto qëllime ka avancuar konkretisht në drejtimin e apeluar.

Por, gjithashtu, kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga këto. Madje, duhet bërë edhe më shumë se kaq në përmbushjen e tyre. Frikën duhet konsideruar armik dhe ajo duhet mposhtur me qëndrim të guximshëm dhe intelektual. Në të kundërtën, as liria e shprehjes, as liria e besimit, bile asnjë liri tjetër, nuk do të ketë kuptim. Fundja, të gjitha janë për njerëzimin.