` . Konak - TV SHENJA

Konak

Të gjithë e dimë se shtëpinë e bën djersa dhe zemra të udhëhequra nga dashuria, por harrohemi mjeshtërisht të joshur nga një e ardhme e idealizuar që nuk vjen kurrë, e cila po i zë frymën të tashmes, asaj të tashmeje të qëndrueshme që nis në folenë e shtëpisë.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Na mungon një Bonnard, domethënë ajo qetësia e brendive (intimism/interior) që ai i pikturonte me përkorje dhe nostalgji, pra edhe me njëfarë dhimbjeje të përzier me shpresë.

Gjendja e paqtë e mjediseve të brendshme (home) po bëhet çdo ditë e më shumë një luks që e gëzojnë pak njerëz, natyrisht jo detyrimisht të kamurit, sepse në thelb nuk ka të bëjë me këtë.

Ndoshta diçka të kësaj natyre përjetonte edhe Bonnard-i, se një “relax” i tillë, që është i mundur vetëm në shtëpi, dalëngadalë po kthehej në privilegj, në një mungesë që ka si kosto cenimin e harmonisë.

Shtëpitë tona janë bërë si dhoma hoteli, sepse në pjesën më të madhe të ditës ne jemi jashtë dhe, për pasojë, mblidhemi në shtëpi pasdite vonë, sa për të marrë veten për aksionin e radhës që na pret të nesërmen.

Edhe ato ditë kur jemi pushim kemi prirjen ta braktisim intimitetin e shtëpisë e të dalim diku jashtë qytetit. Ndoshta ngaqë nuk po bëjmë sa duhet që shtëpia të na mbajë. Ndoshta ngaqë tashmë nuk po i japim më rëndësi raportit mes privates dhe publikes. Ndoshta ngaqë na gënjen ideja se shtëpinë e bën sasia e parave që investojmë në të.

Në fakt, të gjithë e dimë se shtëpinë e bën djersa dhe zemra të udhëhequra nga dashuria, por harrohemi mjeshtërisht të joshur nga një e ardhme e idealizuar që nuk vjen kurrë, e cila po i zë frymën të tashmes, asaj të tashmeje të qëndrueshme që nis në folenë e shtëpisë.

Ky është kuptimi i konakut.

Bonnard-i na kujton se intimiteti apo privatësia e shtëpisë ka një ndikim të ndjeshëm në marrëdhëniet që ne krijojmë me botën jashtë saj.

Hoteli ka një lloj qetësie shqetësuese, ndërsa shtëpia një lloj shqetësimi qetësues.

Edhe natyrat e qeta të Giorgio Morandi-t kanë shumëçka për të na thënë për botën e brendshme të shtëpisë, për intimitetin dhe ndjeshmërinë që na ripërtërin për të më tej. Morandi nuk i modelon sendet apo objektet (shishe, tasa, ibrikë, gota etj.) që zgjedh për t’i pikturuar, pori vesh me frymët e atyre që i kanë përdorur dhe, në këtë mënyrë, ato kanë pulsin e vet që rreth si një melodi që vjen nga larg. Çdo objekt ka një histori të veten, të ndryshme nga objekti përbri. Sipërfaqja e tyre është si një lëkurë me shenja. Me pak fjalë, falë shtëpisë objektet zhvishen nga origjina e tyre industriale dhe shndërrohen në subjekte të një rrëfimi, të një kujtese të caktuar që lidhet sofrën dhe votrën.

Ne kemi nevojë për ngrohtësinë e shtëpisë po aq sa çka dhe bota jashtë saj. Nëse brenda shtëpisë sonë ka qetësi dhe harmoni, e tillë do të jetë gjendja edhe në botën e jashtme.

Ky raport ndërmjet të brendshmes dhe të jashtmes mund të provohet fare thjesht kur vizitojmë qytete të vjetra e me histori, ku mrekullohemi nga rendi, bukuria dhe harmonia, gjë që na bën të kuptojmë se e gjithë kjo është rrjedhojë e rendit, bukurisë dhe harmonisë brenda shtëpive dhe ndërtesave që i kanë dhënë formë këtyre qyteteve.

A nuk e tregon edhe fytyra jonë gjendjen tonë të brendshme?! Nëse nuk na duhet të aktrojmë, pa dyshim që po.

Vetëm nëna mund ta bëjë shtëpinë konak. From house to home.